E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave nuk do të rrisë migracionin

Deklaratat Edhe ministrja Bregu deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin

Liberalizimi i vizave të shqiptarëve nuk do të rrisë migracionin e tyre në vendet e Bashkimit Europian. Kjo ishte garancia që dha dje ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, gjatë një ekspozeje të bërë në lidhje me masat e marra nga qeveria shqiptare në lidhje me politikat migratore në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Sipas Bashës, fushata intensive që qeveria po bën në lidhje me procesin e lëvizjes së lirë, do të ndihmojë për të mos pasur raste të migracionit. “Shqipëria është angazhuar në një fushatë intensive për të informuar qytetarët e saj se procesi i shumëdëshiruar i liberalizimit të vizave, do të thotë lehtësim i lëvizjes së lirë të tyre dhe jo i qëndrimit dhe punësimit, duke shpresuar se liberalizimi i vizave nuk do të rrisë migracionin”, deklaroi Basha në fjalën e tij. Sipas Bashës, menaxhimi i kufijve dhe migracioni, janë elemente thelbësore për sa i përket marrjes së një përgjigjeje të shpejtë për liberalizimin e vizave. Në këtë kuadër, ministri theksoi se ka pasur përmirësime thelbësore të realizuara nëpërmjet vënies në funksionim të teknologjive të reja për menaxhimin e integruar të kufijve, instalimin dhe funksionimin e plotë të sistemit TIMS në të 24 pikat e kalimit kufitar dhe vënies në përdorim të qendrës së kontrollit dhe komandës. “Në procesin e anëtarësimit në BE, faza e fundit që Shqipëria sapo kaloi, ajo e pyetësorit, përmbante një sërë pyetjesh në kapitullin 24 për lirinë, drejtësinë dhe sigurinë, mbi politikën migratore dhe përafrimin e kësaj politike me atë të Bashkimit Europian”, u shpreh Basha. Madje, vijoi ai, mund të them se zinte një vend të madh në këtë kapitull, çka na dha edhe njëherë mundësinë të analizonim stadin aktual ku gjendet Shqipëria në raport me standardet europiane dhe praktikën e acquis-communautaire dhe të konstatonim me kënaqësi se në tërësi Shqipëria ka lëvizur në drejtimin e duhur, duke adoptuar një kuadër tërësisht të përafruar me atë të BE-së në këtë fushë. Nga ana tjetër, dje ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, deklaroi se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe nuk ka asnjë arsye të ketë vonesa në këtë proces. “Ai skenar i parashikuar që gjithçka do të përmbyllet brenda vitit 2010 nuk ka asnjë shtyrje. Ne nuk kemi kërkuar të jemi shtesë në këtë projekt, ne nuk kemi kërkuar të jemi zbatim në këtë proces, kemi kërkuar dhe i kemi qëndruar gjithmonë me dinjitet opinionit dhe qasjes sonë që ky është një proces meritash”, deklaroi ministrja Bregu. Sipas saj, Shqipëria ka kërkuar të vlerësohet në bazë të meritave të veta në këtë proces. Kreu i qeverisë “Berisha” ka deklaruar se nuk ka asnjë arsye për shtyrjen e procesit të vizave, por vendimi pozitiv pritet të merret brenda këtij viti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›