E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX kundër hyrjeve të pautorizuara të serbëve

PRISHTINë- EULEX ka udhëzuar Policinë e Kosovës që të mos lejojë hyrjen në territorin e Kosovës të zyrtarëve serbë, po qe se ajo nuk është e autorizuar nga institucionet kosovare. Pas vizitave të ditëve të fundit të politikanëve serbë në veri, të realizuara në kuadër të fushatës paraelektorale të zgjedhjeve lokale serbe, autoritetet kosovare i patën kërkuar EULEX-it dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare që të mos ketë vizita të paautorizuara të përfaqësuesve të Serbisë.

Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing, ka deklaruar për mediat kosovare, se me udhëzimin e EULEX-it drejtuar strukturave policore kosovare, është njoftuar edhe Beogradi zyrtar. “Pas ngjarjeve të fundit lidhur me vizitat e paparalajmëruara të zyrtarëve serbë në Kosovë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Brukselin dhe Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-i ka dhënë udhëzime Policisë së Kosovës se, në rast se vizita nuk është e autorizuar, duhet të refuzohet hyrja. Kjo përfshin bartësve të armëve, të cilëve po ashtu do t’u refuzohet hyrja me përjashtim të autorizimit paraprak. Lidhur me vizitat private duhet të zbatohen masat e zakonshme të kontrollit. Vizitorët privat nuk janë të autorizuar të bartin armë”, u shpreh Klasing per mediat kosovare.

Gjatë dy javëve të shkuara, pa marrë leje nga autoritetet kosovare, në veri të Kosovës qëndruan tre politikanë serbë-udhëheqësi i radikalëve serbë, Tomisllav Nikolic, ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, dhe ish-ministri në Qeverinë e këtij të fundit, Sllobodan Samarxhic.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›