E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metalurgët e Kurum, në protestë për sigurinë në punë e pagat



ELBASAN - Plagosja e punëtorit të firmës turke "Kurum" ka bërë që rreth 500 metalurgë të ngrihen në protestë njëorëshe paraditen e djeshme. Ata kanë braktisur punën për të kërkuar publikisht plotësimin e kushteve të sigurisë në ambientet e firmës. Protesta u organizua nga Sindikata e Punëtorëve të Industrisë në bashkëpunim me atë të punonjësve të Uzinës së çelikut dhe asaj të Petëzimit. Kreu i Konfederatës së Sindikatës së Industrisë, Kol Nikolli, i pranishëm dhe në mbështetje të punonjësve të kompanisë turke, ka shprehur shqetësimin për gjendjen në të cilën, sipas tij, punojnë aktualisht metalurgët. Ai theksoi se firmat e huaja në Shqipëri nuk po i respektojnë kushtet e përcaktuara me ligj dhe po i diskriminojnë punëtorët shqiptarë, duke mos u garantuar atyre as të drejtat më minimale. Nikolli ka fajësuar Konfederatën që drejton për moskryerjen siç duhet të detyrës për sa i takon organizimit të lëvizjeve të fuqishme sindikaliste në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të punëtorëve. Protesta e metalurgëve zhvillohet sipas organizatorëve, pasi firma turke Kurum International nuk u ka garantuar atyre paga në nivele të pranueshme, nuk u ka krijuar kushte për sigurinë e lartë në frontin e punës, nuk zbaton vendimet e Këshillit të Ministrave për dietën ushqimore prej 5-mijë lekësh në ditë si dhe nuk u jepet rregullisht antidodi, (substancë kundër helmeve në punë). Rritja e pagës prej 20% dhe mjaft kërkesa të tjera, sipas protestuesve, nuk po respektohen nga ana e Kurum International. "Nëse këto kërkesa nuk do të plotësohen, atëherë metalurgët dhe të gjithë punëtorët e tjerë anembanë Shqipërisë do të hidhen në greva masive duke i përshkallëzuar ato deri në zhvillimin e një greve të përgjithshme", shtoi Nikolli. Drejtuesit e firmës turke Kurum International u bënë thirrje punëtorëve ta braktisnin protestën, në të kundërt ata do të humbisnin vendin e punës. Pritet që protesta të përshkallëzohet ditën e sotme, ku sipas informacioneve numri i punonjësve që do të protestojnë do të jetë edhe më i madh. Ndërkohë që 55-vjeçari Balilaj, i cili u dëmtua të dielën nga shpërthimi i një depozite me mazut, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën. Disa persona u shoqëruan për ngjarjen, por askush nuk është vënë para përgjegjësisë, pasi ajo u cilësua aksidentale. a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›