Shpërthim pranë shtëpisë së kryebashkiakut
HIMARE - Konflikti i lindur një vit më parë, ndërmjet dy komshinjve në zonën e Himarës për pronën, ka vijuar edhe mbrëmjen e së dielës. Rreth orës 22:30 është dëgjuar një shpërthim, i cili vinte nga veriu i qytetit, aty ku ndodhet dhe banesa e kryebashkiakut Bollano. Forcat e rendit, si dhe ato të antiterrorit të Vlorës mbërritën në Himarë dhe bënë këqyrjen e vendngjarjes. Sipas ekspertëve, një sasi dinamiti jo në masë të madhe kishte shpërthyer, duke vënë në panik banorët. Policia e Himarës bëri të ditur se si pasojë e kësaj ngjarjeje, nuk ka pasur të dëmtuar në persona, por as dëme materiale. Blutë shoqëruan dy personat, të cilët janë përfshirë në konflikt për pronën, Mantho Rondo dhe Qirjako Bollano. Ata janë marrë në pyetje për disa orë për këtë ngjarje, ndërsa blutë bën të ditur se janë duke hetuar rrethanat e shpërthimit. q.b