Vetëm 30% paguajnë energjinë
LAZARAT - Vetëm 30% e familjeve në fshatin Lazarat paguajnë energjinë elektrike, duke krijuar deficit në arkën e OSSH-së së Gjirokastrës. Kur niveli i arkëtimeve në rang rrethi është në masën 98%, pjesa e ngelur, u takon konsumatorëve në fshatin Lazarat. Sipas drejtorit të OSSH-së së Gjirokastrës, Astrit Kasaj, për të eliminuar këtë fenomen të trashëguar prej vitesh në komunën e Lazaratit, dy ditë më parë janë ngritur grupet e inspektimit në terren të cilët do të raportojnë situatën e më pas ndërmarrjen e sanksioneve ligjore karshi konsumatorëve, që realisht vjedhin energjinë e konsumuar. Në këtë fshat ka nisur dhe vendosja e matësve për të zhdukur informalitetin në konsumin e energjisë. Numri i familjeve që nuk paguajnë energjinë e konsumuar, vlerësohet të jetë 670. Mësohet se dhe në komunën e Picarit janë dhjetëra familje që nuk paguajnë energjinë. p.n