E Shtunë, 31 Tetor 2026

OMONIA, shoqate kulturore apo politike?

Tashmë jemi mësuar që pas çdo provokimi të lëshuar nga OMONIA dhe sidomos kreu i saj, Vasil Bollano, të bëhemi dëshmitarë të efektit ortek që krijojnë deklaratat, veprimet, kërkesat apo reagimet e tij. Skema është thuajse e njëjtë: Bollano lëshon deklaratën, ndërhyn një politikan i lartë grek, pastaj dalin në skenë PBDNJ-ja e në mënyrë të veçantë OMONIA, e cila nuk përton as të lëshojë deklarata nga më të ashprat. Për një farë kohe jehona e këtij orteku bartet nga zërat antishqiptarë përtej kufirit, nga politika e Athinës, nga organizatat me bazë etnike greke brenda kufirit tonë dhe gjatë gjithë kësaj hapësire kohore nga opinioni publik shqiptar - thuajse asnjëherë nga Tirana zyrtare.

Ndodh kështu sa herë që kryetari i Bashkisë së Himarës kërkon numërimin e popullsisë me etni greke, shkolla për fëmijët e kësaj etnie, më shumë të drejta të mohuara, tabela rrugësh që flasin vetëm greqisht, deri edhe gafa e dikurshme, kur në një intervistë tha pa iu dridhur syri se himarjotët nuk kërkojnë asgjë më shumë nga ç‘kërkojnë kosovarët - për fat të mirë vijat paralele mes dy rasteve të hequra shumë tinëzisht nga numri një i OMONIA-s bënë efektin e kundërt, jo vetëm nuk gjetën jehonë nga zyrtarët grekë (ndër të paktat raste) dhe ligjëruan gjithë stuhinë që opinioni ynë ngriti mbi deklaratën e mbi të personalisht, por mbi të gjitha nxorën në pah amatorizmin politik të vetë Vasil Bollanos.

Po aq absurd ishte edhe incidenti i fundit, që e vuri përsëri Vasil Bollanon dhe OMONIA-n, organizatën që përfaqëson, në qendër të indinjatës së opinionit shqiptar. Përmes një memorandumi drejtuar më 25 nëntor Parlamentit dhe Ministrisë së Jashtme greke, organizata i kërkonte shtetit fqinj të refuzonte nga ana e tij ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Në memorandum i kërkohej Athinës të mos e jepte miratimin e saj deri në çastin kur "Shqipëria të mos njohë zyrtarisht si zonë minoritare ato treva që pala shqiptare nuk i njeh si të tilla: Saranda, Gjirokastra, Delvina, Korça, bashkë me 99 fshatra të këtij pellgu".

Siç është bërë tani rutinë, ngacmimi i radhës i OMONIA-s tërhoqi mbi vete mërinë e opinionit shqiptar. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi veprimin "klithmë ekstremistësh", ndërkohë që deputeti Spartak Ngjela kërkoi sërish ndjekjen penale të Vasil Bollanos.

Por reagimi më i drejtë dhe më i studiuar ndaj provokimit të radhës së OMONIA-s erdhi nga një tjetër zë i panoramës së faktorëve shqiptarë dhe pikërisht nga pretendenti për fronin mbretëror të Shqipërisë. Në një prej deklaratave të rralla publike, Leka II nënvizoi "mosmirënjohjen dhe fyerjen flagrante të radhës ndaj kombit dhe popullit shqiptar" dhe "bukëshkalën e përsëritur e të përhershme" nga ana e OMONIA-s. Por ajo që e bën më të goditur qëndrimin e pretendentit për fronin shqiptar është vërejtja që organizata duhet t‘i përmbahet statusit ligjor të saj si "shoqatë kulturore".

Dhe me të vërtetë, sa do t‘i lejohej përpilimi i memorandumeve të tilla shoqatave me karakter kulturor, të cilat në pjesën dërrmuese kanë qëllim ekzistencial krijimin e urave lidhëse mes popujve e etnive e kurrsesi të kundërtën? Si është e mundur që një shoqatë kulturore e shohim të veprojë e të sillet në njëqind për qind të rasteve si subjekt politik, madje si subjekt radikal politik. Mos të harrojmë që nga organizata OMONIA kemi dëgjuar reagimet më të ashpra politike lidhur me pretendimin grek për të ashtuquajturin Vorio-Epir: skandali i videos së ushtarëve grekë, të cilët këndonin një këngë antishqiptare gjatë stërvitjes, shkaktoi reagime shumë të ashpra në mjedisin shqiptar - në disa qytete tonat u dogjën e u grisën flamuj grekë - lidhur me të cilat OMONIA deklaroi se "nuk duam që akte të tilla të na shtyjnë në situata konfrontimesh etnike, por paralajmërojmë se nuk do t‘i tolerojmë dhe në qoftë se këto akte do të vazhdojnë, do të na detyrojnë të reagojmë në mënyra të tjera".

E, megjithatë, në kuadrin e panoramës gjithëpërfshirëse politike duket sikur OMONIA-s i është përcaktuar nga qarqet që luftojnë për Vorio-Epirin thjesht roli i provokatores. Sepse, si shoqatë kulturore nuk i lejohet të bëjë më shumë, veç të ndezë shkrepëse. Pamë se memorandumi në fjalë ishte aq absurd, sa detyroi reagimin e menjëhershëm edhe të qeverisë greke, e cila përmes zëdhënësit të Ministrisë së saj të Jashtme deklaroi se distancohej nga pretendime të tilla dhe se shumë shpejt do të nënshkruante MSA-në për Shqipërinë.

Ajo që i komplikon vërtet gjërat, është se deklaratat e OMONIA-s artikulohen në më të shumtën përmes gojës së kreut të saj, Vasil Bollanos, i cili, përveç të qenit kryetar i Bashkisë së Himarës, është edhe eksponent i një force politike me emërtim mjaft fisnik, Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Vetëm pak kohë më parë, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, deklaroi publikisht se nuk përjashtohej aspak mundësia që në legjislacionin tjetër Vasil Bollano të bëhej deputet i Parlamentit shqiptar (edhe kjo shkaktoi reagime të ashpra në opinionin shqiptar). Në rast se do të ndodhë vërtet kështu, efekti zinxhir i deklaratave të OMONIA-s do të ketë simbolikë më domethënëse për elementin ekstremist antishqiptar - në të dyja rastet, edhe sikur Bollano të vazhdojë të mbetet kryetari i saj pas zgjedhjes si deputet, edhe në rastin kur vendos të dorëhiqet.

Kështu, në rast se tani kemi kërkesa, qëndrime, apo deklarata të lëshuara nga një shoqatë kulturore, me kryetar kreun e Bashkisë së Himarës, me rastin e hyrjes së Bollanos në Parlament do të kemi deklarata të bëra nga një organizatë, kryetari apo ish-kryetari i së cilës është pjesë e Parlamentit shqiptar. Rrethi i ri veç do t‘u jepte edhe më shumë ngarkesë politike deklaratave të OMONIA-s. Qarqet që qëndrojnë pas OMONIA-s e pas çështjes së Vorio-Epirit do kishin kështu edhe më shumë shanse për t‘i shitur qëndrimet absurde të OMONIA-s si deklarata të mirëfillta politike dhe jo si lajthitje, ndonjëherë edhe të sikletshme, të një shoqate kulturore që kalon përtej caqeve ku e kufizon ky status.

Por duket se, të paktën për momentin, një prej qëllimeve kryesore të të gjitha këtyre qarqeve - duke parë se si vend i Bashkimit Evropian, brenda kufijve të të cilit një ditë do të përfshihemi edhe ne, për Athinën është paksa absurde ngritja e problemeve territoriale me fqinjët - është lënia në harresë e një çështjeje që vërtet përbën shqetësim për Greqinë: ajo e pronave të komunitetit çam të përzënë me dhunë nga trojet e veta pas Luftës së Dytë Botërore. Në cilësinë e shpatës së Demokleut mbi qeveritë shqiptare, çështja e Himarës ka shërbyer mrekullisht për grekët si mjet presioni që Tirana ta zërë shumë pak në gojë problemin e gjenocidit çam, në fakt thuajse fare, dhe në ato pak herë si çështje teknike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›