EULEX, misioni që nisi nga enklava e Graçanicës
Misioni EULEX, vendosjen e pjesëtarëve të vet në të gjithë territorin e Kosovës nuk e nisi as në Prishtinë dhe as në pjesën veriore të Mitrovicës, por në enklavën serbe të Graçanicës që serbët e konsiderojnë si "kryeqendrën ortodokse" të tyre në Kosovë, ndërsa shumë serbë të atjeshëm, por edhe më gjerësisht në Serbi, e konsideruan 9 dhjetorin 2008 jo vetëm si ditën e një "pushtimi të ri", por edhe si kapitullim të Serbisë. Shefi i EULEX-i, Iv de Kermabon, lidhur me fillimin e vendosjes dhe të shpërndarjes së njerëzve të vet, mandati të cilëve do të jetë "vendosja e ligjit, e rendit dhe lufta kundër krimit" në Kosovë, tha dje se "është i ndërgjegjshëm për rezistencën që do të ndeshë misioni i EULEX-it në mjediset serbe", duke theksuar se kjo do të reflektohet në ritmin e vendosjes së këtij misioni. "Dinamika e vendosjes sonë do të varet nga bashkëpunimi me popullsinë lokale. Parashikojnë që, në disa raste, do të ketë nevojë për më shumë kohë që njerëzve në mjediset serbe t‘u shpjegojmë, t‘i bindim, t‘u japim mesazhe pozitive dhe të përpiqemi që të bashkëpunojnë me ne, që misioni ynë të jetë i efektshëm", tha Kermabon, duke vënë në dukje se ai ka "kompetenca të caktuara të fushës së pushtetit ekzekutiv, por se, fillimisht, "do të përqendrohet te mbikëqyrja e dhënia e këshillave dhe do të përpiqet që të inkurajojë institucionet lokale që të marrin pjesën e vet të përgjegjësisë". Dy ndihmësit kryesorë të shefit të stacionit të policisë së Graçanicës, Nebojsha Popoviç, do të jenë një pjesëtar slloven dhe një tjetër gjerman të EULEX-it. Në katër komunat e pjesës veriore të Kosovës janë caktuar nga dy policë për çdo stacion policie, do të kenë kryesisht rol vëzhgues e këshilldhënës dhe do të punojnë, kryesisht, me personelin lokal. Në të gjitha katër "kalimet administrative" që lidhen me Serbinë, janë vendosur 32 pjesëtarë të policisë kufitare, nga ata 15 në veri, ndërsa në pikëkalimet doganore do të ketë nga dy punonjës, njoftoi zëdhënësi i misionit të EULEX-it, Viktor Rojter. Banorët e pjesës veriore të Mitrovicës kishin dalë dje në rrugë, qysh herët në mëngjes dhe vështronin në heshtje hyrjen në këtë pjesë të qytetit të një kolone makinash, të përbërë nga tre ////////////kombi (mikrobuza) dhe një xhip me shenjat e BE-së, ku ndodheshin 20 pjesëtarë francezë dhe rumunë të EULEX-it. Kolona mbërriti në oborrin e Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës. Kapaciteti i plotë i njësisë policore, të përbërë nga pjesëtarë italianë, francezë dhe rumunë, që do të vendosen në këtë pjesë të Mitrovicës, do të jetë 115 veta, kurse ai i njësisë policore polake që do të vendoset po këtu - 108 veta. Ministri i së ashtuquajturës "Ministri për Kosovën dhe Metohinë", Goran Bogdanoviç, mendon se EULEX-i në mjediset serbe do të ketë një mandat të ndryshëm nga ai në pjesën tjetër të Kosovës. "Pres që, në ndryshim nga UNMIK-u, EULEX-i do të bëjë përpjekje suplementare që të sigurojë dhe të mbrojë bashkësinë etnike serbe më të kërcënuar, do të mbrojë pronat e serbëve, do të garantojë lirinë e lëvizjes dhe kthimin në masë të 200 000 serbëve që janë larguar që këndej gjatë periudhës 1999-2004", tha ai. Buxheti i EULEX-it, në 16 muajt e parë, do të jetë 205 milionë euro, ndërsa mandati i tij është dyvjeçar, me qëllim që "autoritetet e Kosovës të fitojnë sa më shumë përvojë që t‘u garantojnë ligjin dhe rendin të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë", thuhet në dokumentin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pjesëtarët e misionit të EULEX-it janë nga shumica e vendeve të BE-së, si dhe nga SHBA-ja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Kroacia.