E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Misioni i rendit dhe ligjit, në të gjithë Kosovën

Qeveria amerikane përshëndet shtrirjen e EULEX-it në të gjithë Kosovën dhe rithekson mbështetjen për integritetin territorial të saj. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpresin shtrirjen më 9 dhjetor në gjithë Kosovën të Misionit të Rendit dhe Ligjit në Kosovë (EULEX)", thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon Mekormak. Në këtë deklaratë theksohet se "SHBA ritheksojnë mbështetjen për EULEX-in dhe janë krenare që mund të kontribuojnë me personel në këtë mision". Në kuadër të EULEX-it, Amerika do të kontribuojnë me një kontingjent prej 80 vetash - policë, gjyqtarë dhe prokurorë. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe më parë nevojën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës". Ndërkaq, në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme shqiptare, mirëpritet fillimi dhe funksionalizimi i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, në gjithë territorin e Kosovës, si një proces i rëndësishëm jo vetëm për të ardhmen e saj, por dhe të të gjithë rajonit. Nëpërmjet një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë gjithashtu shpreh bindjen se ky mision do të përmbushë me sukses të plotë përgjegjësitë e veta, në funksion të garantimit të shtetit ligjor dhe arritjes së standardeve evropiane, duke e shkurtuar rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe në NATO. Duke rikonfirmuar mbështetjen e fuqishme për autoritetet zyrtare të Kosovës dhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me EULEX-in, në përputhje me Kushtetutën e saj dhe planin "Ahtisari", vendimtare këto për suksesin e Misionit të BE-së, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë është e bindur se Kosova ka kapacitetet e nevojshme për të përballuar me sukses të plotë edhe përgjegjësitë e reja që do të marrë me përmbylljen e Misionit të Kombeve të Bashkuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›