E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX nis shqyrtimin e dosjeve nga UNMIKU

Në një konferencë me gazetarë, kryetarja e gjykatësve të EULEX-it, Maria Giuliana Civinini, ka bërë të ditur se këto raste kriminale të pranuara nga UNMIK-u kanë të bëjnë kryesisht me krime të luftës, krim të organizuar, por edhe raste të tjera.

“Ne kemi pranuar 200 raste nga UNMIK-u, ndoshta numri nuk është shumë impresiv, mirëpo duhet të keni parasysh se këto raste janë nga më të rëndësishmet në vitet e fundit. Rastet e pranuara janë të ndryshme, disa kanë të bëjnë me krime të luftës, krim të organizuar, terrorizëm, por edhe krime kundër njerëzimit”, deklaroi Maria Giuliana Civinini, kryetare e gjykatësve të EULEX-it.

Civinini ka thënë se për dallim nga sistemi gjyqësor i UNMIK-ut, ky mision është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe kanë bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet gjyqësore të vendit. Ajo ka pranuar se rastet e pranuara nga UNMIK-u nuk kanë qenë në gjendje të rregullt për t’ u trajtuar menjëherë në gjyq.

“Shumica e rasteve kanë të bëjnë me periudhën e viteve 1998-1999, por edhe raste të trazirave të marsit 2004 dhe krimit të organizuar. Fatkeqësisht këto dosje të pranuara nga UNMIK-u nuk kanë qenë në gjendje të mirë, për shembull ato nuk kanë qenë të renditura siç duhet. Për këtë ne kemi shumë punë për të bërë që t’i bëjmë ato gati për gjykim”, tha Civinini.

Kryetarja e gjykatësve të EULEX-it ka bërë të ditur se përkrah këtyre rasteve të trashëguara nga UNMIK-u, EULEX-i është duke trajtuar edhe raste të reja, ndër to ajo ka përmendur një rast të trafikimit të grave. (ktv/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›