E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX padit ish drejtuesit e UK-se Tortura ndaj civileve

Misioni i Bashkimit Europian për drejtësi dhe rend në Kosovë EULEX-i ngre padi kundër Sabit Gecit dhe Riza Alisë. Prokurorët evropianë kanë ngritur padi për krime lufte kundër dy ish-udhëheqësve të UÇK-së për periudhën e konfliktit 1998-'99. Sipas agjencisë së lajmeve AFP të akuzuarit Sabit Geci dhe Riza Alia përballen me akuza për "krime lufte kundër popullatës civile", të kryera në dykampe të UÇK-së në Shqipëri. Aktakuza u ngrit prej prokurorit amerikan në EULEX, Robert L. Dean.

Kampet e UÇK-së në Kukës dhe Cahan ishin qendra "logjistike, stërvitore dhe furnizimi", por dy të akuzuarit i kanë përdorur ato për të "mbajtur civilë dhe persona, që nuk merrnin pjesë në luftë", thuhet në aktakuzë. Agjencia franceze e lajmeve AFP, që thotë se ka parë aktakuzën në versionin shqip, e raporton se ende nuk është e qartë se kur do të nisë gjykimi i dy ish komandantëve. Sabit Geci u arrestua në maj, kurse Riza Alija në qershor të vitit të kaluar. Aktakuza vjen në një kohë kur Kosova përballet me raportin akuzues të Dick Martyt, i cili gjithashtu përmend Gecin si të dyshuar për vrasjen e një civili në Kukës, që fillimisht u rrah e më pas u qëllua për vdekje.

Sipas aktakuzës së prokurorit Dean, Geci e Alia akuzohen se “ishin përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në keqtrajtimin e personave që mbaheshin në këto kampe” .Prokurorët e EULEX-it thonë se kanë siguruar dëshmi nga 20 të paraburgosur, të cilët kanë pësuar trauma fizike dhe psikologjike “për shkak të kushteve në të cilat janë mbajtur të burgosur dhe si rezultat i torturave”. Identiteti i dëshmitarëve është mbajtur sekret dhe emrat e tyre janë të koduar në një shtojcë të veçantë konfidenciale të aktakuzës.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›