E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX paralajmëron “rezultate” kundër korrupsionit

Zëvendësshefi i EULEX-it, Roy Reeve, paralajmëron se “së shpejti do të shihen rezultatet e punës së këtij misioni në luftimin e korrupsionit dhe krimit”.

Reeve i bëri këto komente, sot pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe EULEX-it, ndërkohë që ky mision ka disa muaj që është duke punuar në rastet e hapura që kanë mbetur nga UNMIK-u.

Memorandumi i sotëm u tha se ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet MEF-it dhe Departamentit Ekzekutiv të Policisë së EULEX-it, për mbështetjen e ndërsjellët në shkëmbimin e informacioneve dhe këshillave profesionale, me synim luftimin e informalitetit.

Reeve saktësoi se kjo është marrëveshja e dytë që është arritur për të luftuar korrupsionin, shpëlarjen e parave dhe keqpërdorimet tjera financiare. Ai theksoi se EULEX-i ka nevojë për shkëmbime të informacioneve prej data bazës së ministrisë.

Në pyetjen e gazetarëve se pse EULEX-i edhe pas një viti nuk ka mundur të ketë ndonjë veprim konkret në luftimin e korrupsionit, Reeve tha se kjo nuk është diçka që mund të bëhet “brenda natës”. Por konfirmoi se është duke u punuar në rastet që kanë mbetur të hapura nga UNMIK-u dhe premtoi se së shpejti do të shihen rezultatet.

“Jemi duke punuar që 7 apo 8 muaj në rastet e hapura që kanë mbetur nga UNMIK-u. Ne e kemi filluar punën, që do të shihni rezultatin në muajt e ardhshëm. Siç e thash nuk është punë që kryhet brenda natës, është punë që është e akumuluar së bashku me qeverinë dhe jemi të gatshëm për të punuar”, tha Reeve, transmeton KosovaPress.

Memorandumi i nënshkruar sot parasheh bashkëpunim konkret në krijimin e ekipeve të përbashkëta, shkëmbimin e informacioneve të policisë së EULEX-it, MEF-it dhe institucioneve tjera, siç janë Administrata Tatimore, Dogana e Kosovës si dhe forma të tjera të përkrahjes reciproke mes këtyre institucioneve.

Ministri i MEF-it, Ahmet Shala, tha se marrëveshja siguron që informacionet të kenë një derë hyrëse dhe një derë dalëse nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe të jenë një formë e rregulluar e përdorimit të këtyre informacioneve, gjithnjë me qëllim të sigurimit që rendi dhe ligji të jenë në funksion të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shala shtoi se marrëveshja kontribuon në zbutjen e aktiviteteve financiare, qoftë masave kundër pastrimit të parasë, qoftë formave të tjera të anashkalimeve të obligimeve ligjore.

“Përmes kësaj marrëveshje ne jemi komfort planeve të programeve të Qeverisë së Kosovës kundër informalitetit dhe masave që ka marrë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera mbështetëse ndërkombëtare, që informaliteti të jetë një nga prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, për të luftuar, çdo kohë të mos respektimit të ligjit dhe anashkalimit të procedurave që kanë të bëjnë më standarde të kontabilitetit, qoftë të raportimeve financiare”, u shpreh Shala.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›