E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAP: Vendimin e merr KQZ

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), në takimin e mbajtur të martën, ka thënë se “vendimi i kontestuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka karakter udhëzues, duhet të shqyrtohet nga vetë KQZ-ja, por është KQZ-ja ajo që duhet të zgjedhë se çfarë vendimi do të marrë në zbatim të vendimit të KZAP-it”.

Kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, tha se, bazuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, del qartë se KZAP-i ka autorizim t’i anulojë rezultatet në një vendvotim, apo të udhëzojë KZQ-në që të urdhërojë përsëritjen e votimit në një qendër votimi. Por, siç theksoi ai, KZAP-i nuk ka kompetencë të urdhërojë përsëritjen e votimit.

Kjo çështje, siç pohoi Rrecaj, është kompetencë e rezervuar e KQZ-së, në pajtim me nenin 106.2 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka qartësuar në mënyrë më të hollësishme vendimin e 19 dhjetorit të këtij organi, përmes të cilit KQZ-ja udhëzohet të shpallë rivotim në komunën e Prizrenit, të Gjilanit dhe atë të Lipjanit.

Pas dilemave në radhët e anëtarëve të KQZ-së se a po udhëzohet ky institucion nga KZAP-i për të vendosur për përsëritjen e votimeve në këto komuna apo po urdhërohet për të bërë një gjë të tillë, kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, në një konferencë për media, tha se i takon KQZ-së të vendosë në lidhje me vendimin e KZAP-it.

“Nuk nënkupton detyrimi që KQZ-ja patjetër t’i përsërisë votimet, por patjetër duhet të vendosë në lidhje me vendimin. Po të ishte një situatë tjetër, nuk do të ishte fjala për një udhëzim, por do të ishte fjala për një urdhër”, u shpreh ai.

Në vendimin e së shtunës të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, KQZ udhëzohet që të shpallë rivotim në Prizren, Gjilan e Lipjan, për shkak të parregullsive të shumta të evidentuara gjatë hetimeve të këtij organi.

I pyetur se cilat nga dy partitë që garojnë për këto komuna, pra Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, qëndrojnë prapa këtyre parregullsive, Rrecaj u shpreh:

“Edhe komisionarët e LDK-së, edhe komisionarët e PDK-së janë marrë me mashtrime, me falsifikime. Do të thotë, te të dyja subjektet politike ka parregullsi”.

Rrecaj po ashtu hodhi poshtë mundësitë për ndërhyrjet politike në vendimin e KZAP-it. Ai tha se vendimi i këtij organi ka qenë i paanshëm dhe i bazuar në faktet e gjetura gjatë hetimeve. (REL)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›