EULEX rifillon procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit

EULEX-i rifillon procesin gjyqësor kundër liderit të Lëvizjes Vetevendosje Albin Kurti. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se procesi do të fillojë me 15 shkurt në Gjykatën e Qarkut, ndërsa seancat dëgjimore do të mbahen në muajin shkurt dhe mars.
“Ky është një vazhdim i procesit gjyqësor që ka nisur në vitin 2007, ndërsa rasti është transferuar nga UNMIK-u te EULEX-i. Procesi gjyqësor që ndalur atëherë, pasi që asnjë avokat nuk pranonte ta mbronte zotin Kurti”, thuhet në deklaratën me shkrim të zëdhënëses Limdal.
Procesi gjyqësor do të zhvillohet nga një panel i përzier gjykatësish, ndërsa kryesues do të jetë një gjyqtar i EULEX-it.
Lajmin për rifillimin e procesit gjyqësor, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, edhe vetë Albin Kurti, i cili ka thënë se nga EULEX-i i është dërguar një ftesë për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të 15 shkurtit.
Mbi Albin Kurtin rëndojnë akuzat për pjesëmarrje në një turmë që ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtar kryerjen e punëve zyrtare dhe për thirrje për rezistencë në lidhje me ngjarjet e shkurtit të 2007-tës në Prishtinë, në të cilat ishin vrarë 2 protestues.
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate ka kritikuar vendimin e EULEX-it dhe ka thënë se bëhet fjalë për një proces të montuar politik. /rel/
Vetëvendosje: EULEX'i i vazhdon plumbat e UNMIK'ut
Në një komunikatë të Lëvizjes “Vetëvendosje” thuhet se me rihapjen e rastit të Albin Kurtit, EULEX-i ka zgjedhur t’i vazhdojë plumbat e UNMIK-ut.
“EULEX-i ka marrë nga UNMIK-u 1,200 dosje për raste të veçanta. Shumica prej tyre janë dosje politikanësh të korruptuar, krim politik e ekonomik. Por EULEX-i i ka lënë këto dosje me një anë dhe ka zgjedhur riaktualizimin e procesit të turpit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Albin Kurti është mbajtur në burg për gati një vit, shkurt 2007-janar 2008, ndonëse shumë organizata të mëdha ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, në mesin e tyre edhe Amnesty International, konkluduan se demonstruesit ishin përbrenda kornizës paqësore të protestës.
Edhe sot e kësaj dite vrasësit e demonstruesve paqësor, policët e kontingjentit rumunë të UNMIK-ut nuk janë ndëshkuar nga drejtësia, por ata janë lejuar të kthehen në Rumani. (Kosovapress)