E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i narkomanëve

Narkomania në Kosovë është në rritje. Mirëpo, asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës e as për sasinë e konsumimit të drogës në Kosovë. Përdorues të drogave janë të të gjitha grupmoshave, raporton radio gjermane “Deutsche Welle”.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër drogave në Kosovë, ku ndër pesë ministritë përgjegjëse për implementimin e saj, Ministria e Shëndetësisë ofron programe parandaluese, trajtim dhe rehabilitimin e individëve që kanë përdorur drogë. Ndërkohë, në Kliniken Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), funksionon Reparti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë.

Shefi i këtij reparti, Shaban Mecinaj, inkurajon përdoruesit e substancave narkotike që të drejtohen në këtë qendër detoksikuese, e cila megjithëse me kapacitete të vogla mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t´i rikthehen jetës normale.

“Në klinikë fillimisht bëjmë një intervistë motivacioni. Dhe, në momentin që pacienti pranon të trajtohet, atëherë ne bëjmë pranimin dhe trajtimin e tyre në një kohëzgjatje prej 10-të deri në 15-të ditë. Kjo quhet periudha e detoksikimit apo e pastrimit nga substancat narkotike. Mirëpo, krahas programeve detoksikuese, neve na mungojnë programet mbajtëse. Dhe fatkeqësisht, deri me tani s’ka ndonjë fond të veçantë për këtë fenomen, përveç një iniciative nga Fondi Global, i cili së shpejti pritet të themelojë tri qendra, në Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë“, ka thënë Mecinaj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›