Drogë drejt Italisë, arrestohen tre persona
Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit në tentativë për të kaluar 24 kg marijuanë me traget për në Bari të Italisë. Falë të dhënave të grumbulluara në rrugë operative, policia mundi të identifikonte dhe më pas të kapte në flagrancë të rinjtë, si dhe në një kohë të shkurtër të zbulonte edhe vendin e origjinës së sasisë së drogës. Gjatë dy ditëve të fundit, policia e Durrësit ka nisur goditjen e grupeve kriminale dhe ato të trafikut të drogës, duke finalizuar asgjësimin e dy prej tyre, shumë të rrezikshëm. Drejtori i Policisë Qarkut, Aleks Hajdari, tha dje për “standard’ se “të gjitha strukturat e policisë janë angazhuar totalisht në zbulimin dhe goditjen e grupeve kriminale dhe ato të trafikut të qenieve njerëzore dhe drogës, në këtë kuadër, ne kemi finalizuar dje një tjetër operacion i koduar “Emigranti” nga strukturat e seksionit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe ato të Policisë Kufitare e Migracionit, duke arrestuar në flagrancë tre shtetas, Flamur Xeka dhe Shkëlqim Xeka, banues në Mamurras, si dhe Ernest Alia, banues në Mamurras. Gjatë kontrollit të ushtruar në pikën e kontrollit antidrogë të Portit Detar, në autoveturën tip “Fiat Punto” me targa BG820XV, të drejtuar nga shtetasi Flamur Xeka, ku si pasagjer udhëtonte edhe shtetasi Shkëlqim Xeka, u gjet e u sekuestrua sasia prej 14 kilogram lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kanabis sativa”. Drejtori Hajdari tha: “Gjatë punës për dokumentimin e këtij aktiviteti kriminal, u identifikua edhe personi i tretë i dyshuar si i përfshirë në këtë veprimtari kriminale, Ernest Alia”. Policia, gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 9,35 kg lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kanabis sativa, dy armë automatike të modeleve 54 dhe 56, 1065 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy presa për presim të lëndës narkotike, automjeti tip “Fiat Punto” si dhe 7000 mijë lekë të rinj”. Materialet procedurale për veprat penale të trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim, prodhimit e shitjes të lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Gjithashtu, po dje, blutë e Durrësit në kuadër të operacionit “Shpërndarësi”, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Besnik Domi, banues në Durrës, në lagjen 5, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet e u sekuestrua në cilësinë e provës materiale sasia prej 693.4 gr bimë kanabis sativa, e ndarë në qese te vogla farmacie. Materialet procedurale i kaluan prokurorisë Durrës.
Operacioni
Operacioni i policisë i koduar me emrin “Emigranti” nisi rreth orës 04:30 minuta të mëngjesit, pas një telefonate në sallën operative të Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit në Durrës, që ka sinjalizuar për lëndë narkotike në automjetin tip “Fiat” me targa të huaja. Antidroga në kontrollin e ushtruar në automjetin tip “Fiat Punto” BG 820 XV që do të nisej në Itali me tragetin e linjës Durrës - Bari të ankoruar në Portin e Durrësit, gjeti sasinë prej 14 kg lëndë narkotike të dyshuar për kanabis sativa të fshehur në hapësirën e dyerve të makinës. Droga ishte mbështjellë me letër natriban dhe e ndarë në pako. Policia dyshon se droga kishte për destinacion Italinë dhe do të çohej në shtetin fqinj nga 2 kushërinjtë Flamur Xeka 32 vjeç, drejtues i automjetit, Shkëlqim Xeka 27 vjeç, si dhe shtetasin pasagjer, Ernest Alia, 38 vjeç. Dy të arrestuarit Xeka janë nga Mamurrasi dhe prej vitesh mësohet se janë rezidentë në Itali. Pak minuta pas arrestimit të këtyre personave, në kontrollin e ushtruar në banesën e Ernest Alisë u gjet dhe u sekuestrua 9. 35 kg kanabis, 2 automatikë si dhe 1605 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Të tre shtetasit do të akuzohen për “posedim dhe trafik të lëndëve narkotike”, ndërkohë që nga burimet policore mësohet se po hetohet për implikimin e personave të tjerë në këtë trafik.