Vidhnin banesa e lokale, goditet grupi kriminal në Tiranë
Një grup kriminal prej gjashtë personash është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit, pasi akuzohen se kanë kryer një numër të konsiderueshëm vjedhjesh në Tiranë. Më pas, sendet e vjedhura në banesa apo lokale, ata i dërgonin për t’i shitur në një dyqan në Elbasan. Bëhet fjalë për disa lokale dhe banesa të vjedhura gjatë këtij muaji në zona të ndryshme të Tiranës. Operacioni i koduar “Mesnata” është finalizuar nga strukturat policore të komisariatit nr. 3, të cilët bënë të mundur edhe goditjen e këtij grupi kriminal me tendencë vjedhjet e pasurisë. Burime zyrtare policore bëjnë të ditur se falë një pune të mirëfilltë hetimore dhe operacionale u bë i mundur arrestimi i shtetasve Arjan Fejzullahu, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë; Valter Vladi, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Laknas, i dënuar më parë për vjedhje; Simon Thanasi, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë në shtetin grek, për shitje të lëndëve narkotike; Ilir Shehi, 32 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar dy herë për vjedhje; si dhe Ilir Zenko, 44 vjeç, lindur dhe banues në Mëzes, i dënuar më parë për plagosje. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tyre, i cili tashmë është identifikuar por për arsye të hetimit nuk u bë publik nga ana e policisë. Sipas të njëjtave burime policore, ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të një sërë vjedhjesh lokalesh e banesash të ndodhura në këtë fillim viti, në Tiranë. Kapja e shtetasit Arjan Fejzullahu u realizua në sajë të posedimit të informacioneve për vendndodhjen e tij, i cili qëndronte i fshehur tek disa të afërm në qytetin e Elbasanit, ndërsa 4 shtetasit e tjerë u kapën në Laprakë, Tiranë. Nga hetimet e policisë u konkludua se autorët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi realizonin vjedhjet, sendet e marra i dërgonin në qytetin e Elbasanit në një pikë shumice, me synim shitjen dhe përfitimin monetar të tyre, sende të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Objektet e vjedhura
Nga ana e policisë është dokumentuar tërësisht përfshirja e këtyre shtetasve në vjedhjen e ndodhur më datë 02 janar 2010, ku dyshohet se në Rrugën e Durrësit në Tiranë kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të një shtetasi. Gjithashtu, më datë 10 janar 2010, në rrugën “Gjergj Legisi”, pranë shkollës “Aleks Buda”, kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të një shtetasi; më datë 13 janar 2010, në Rrugën e Durrësit në Tiranë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje të një lokal bar-kafe “Bistro”, në pronësi të një shtetasi; më datë 20 janar 2010, në rrugën “Pandi Dardha”, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin “Agri”, në pronësi të një shtetasi; më datë 21 janar 2010, në rrugën “Lord Bajron”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi; më datë 05 janar 2010, në Laprakë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi; më datë 08 janar 2010, po në Laprakë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi; më datë 20 janar 2010, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë kanë vjedhur me thyerje furrën e bukës “Thethi”, në pronësi të një shtetasi. Po ashtu, është dokumentuar tërësisht implikimi tyre në të tjera vjedhje, konkretisht më datë 12 janar 2010, në Kodër-Kamëz, kanë vjedhur lokalin e një shtetasi. Më datë 12 janar 2010, në Kodër-Kamëz, dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e lokalit në pronësi të një shtetasi. Më datë 07 janar 2010, në Kodër-Kamëz, kanë vjedhur lokalin në pronësi të një shtetasi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sërë sendesh të vjedhura, mjetet që përdornin për kryerjen e veprave penale si kaçavidë, doreza, kapuç etj. Materialet e përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 134/2 dhe 25 të Kodit Penal. Aktualisht, sipas policisë, nga strukturat e hetimit të krimit të komisariatit të policisë nr. 3 Tiranë së bashku me seksionin përkatës po punojnë intensivisht në drejtim të dokumentimit të tjerave vjedhjeve të automjeteve dhe të banesave, të realizuara nga ky grup kriminal, të realizuar në kohë e vende të ndryshme në Tiranë.
Detaj
11 është numri i banesave dhe lokaleve të vjedhura nga grupi kriminal i arrestuar