EURALIUS: Zgjidhje konsensuale për ligjin
EURALIUS, misioni evropian i asistencës për sistemin shqiptar të drejtësisë kërkon një zgjidhje konsensuale mes qeverisë dhe Prokurorisë lidhur me heqjen e imunitetit për përfaqësuesit e organit të akuzës. Në letrën e Roland Miklau, shef i misionit, Marina Thode, eksperte për drejtësinë penale dhe Meri Papakostandini, eksperte shqiptare për drejtësinë penale, theksohet se “në parim ne nuk kemi kundërshtim mbi shfuqizimin e dispozitës ekzistuese, por jemi të vetëdijshëm se përfaqësuesit e shoqatës së prokurorëve dhe përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, anëtarë të grupit të punës mbështesin me forcë ruajtjen e dispozitës ekzistuese siç është, ndaj diskutime të mëtejshme janë të nevojshme për të arritur një zgjidhje konsensuale”. Lidhur me raportimin e ministrit të drejtësisë në kuvend për inspektimet në prokurorinë e përgjithshme, EURALIUS thekson se “dispozita ekzistuese në fuqi që nga viti 2001 nuk ka treguar të meta thelbësore në funksionimin e saj. Ne besojmë që duhet të ekzistojë një organ i jashtëm që ka të drejtë të kryejë inspektime në zyrat e prokurorisë, duke supozuar që kjo bëhet në përputhje të plotë me ligjin. Një kontroll i tillë është gjithashtu në të njëjtën linjë me zyrat e prokurorisë në vende të tjera, ku ky i fundit është i pavarur dhe një kontroll i tillë kryhet nga Ministria e Drejtësisë”.