E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPDAT: Duhet zëvendës për kryeprokurorin

 

OPDAT, misioni i SHBA-së për konsulencën juridike, kërkon vendosjen e një zëvendësprokurori në strukturën e këtij institucioni. Në letrën që këshilltarja ligjore e OPDAT, Melissa Schraibman i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, vë theksin pikërisht te vendosja e një zëvendësi për Prokurorin e Përgjithshëm, duke shtuar se grupi fillestar i punës në mars të vitit 2008 ra dakord për krijimin e këtij pozicioni. “Konkluzioni i grupit të punës në atë kohë ishte që ka një nevojë reale për një zëvendës prokuror të përgjithshëm, i cili do të ndihmojë Prokurorin e Përgjithshëm në administrimin e përditshëm të zyrës dhe do të bëjë një përfaqësim të qëndrueshëm të zyrës në mungesë të prokurorit të përgjithshëm”, thuhet në letrën e OPDAT. Sipas këtij institucioni, vendosja e një zëvendësprokurori të përgjithshëm do të japë qëndrueshmëri përfaqësimit të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm si dhe do të shmangë mbingarkesën me punë të drejtorëve kur mungon prokurori i përgjithshëm. Lidhur me heqjen e imunitetit të prokurorëve OPDAT thekson se, “ne besojmë fuqishëm që imuniteti apo privilegje të çdo lloji paraqesin vështirësi ekstreme në hetimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion apo shkelje të tjera dhe për rrjedhojë procedimet e suksesshme kundër zyrtarëve me imunitet kanë qenë shumë të pakta”. OPDAT mbështet edhe variantin e Ministrisë së Drejtësisë për raportet që do i dërgohen Kuvendit për inspektimet në prokurori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›