Ndryshimet në ligj, prokurorët pa imunitet
adi shkembi
Miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për Prokurorinë, do të zhveshë këta të fundit nga çdolloj imuniteti. Në draftin e miratuar dje në qeveri është shfuqizuar neni 36 i ligjit “Për Prokurorinë”, i cili parashikon pikërisht rastet e ndalimit ose arrestimit të përfaqësuesve të organit të akuzës. “Prokurori nuk mund të ndalohet ose arrestohet pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, veç rasteve të kapjes së tij në flagrancë. Në këto raste organi përgjegjës njofton Prokurorin e Përgjithshëm. Nëse Prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nga çasti i ndalimit ose arrestimit nuk jep pëlqimin, organi përgjegjës është i detyruar të lirojë prokurorin e ndaluar ose arrestuar në flagrancë”, thuhet në nenin 36, i cili është shfuqizuar në draftin përfundimtar të paraqitur në qeveri nga ministri Alibeaj. Ky nen është mbrojtur fort nga kryeprokurorja Ina Rama. Në intervistën e muajit shtator ajo ka deklaruar: “E vetmja gjë që neni 36 i këtij ligji i ofron prokurorëve është një garanci ndaj arrestit që mund t’u bëhet atyre dhe organi që vlerëson nëse mund të arrestohet ose jo, është vetëm Prokurori i Përgjithshëm. Është një masë që është parashikuar të mbrojë prokurorin nga arbitrariteti i rrugës, nga arbitrariteti qoftë edhe i forcave policisë së shtetit në një reagim të çastit ndaj një prokurori, i cili mund të ndodhet në një pozicion të caktuar për shkak të ushtrimit të funksioneve të tij, të cilat nuk i ka asnjë zyrtar tjetër i shtetit”.
Emërimi i Prokurorit
Në draftin e Alibeajt përcaktohen edhe vendet ku mund të punësohet Proku-rori i Përgjithshëm pas përfundimit të mandatit të tij. Fillimisht në nenin 7, pas pikës 1, është shtuar një paragraf, sipas të cilit “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e juristëve me përvojë pune jo më pak se 10 vjet në sistemin e drejtësisë dhe shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale”. Ndërkohë në paragrafin e tretë të shtuar të këtij neni thuhet se nëse Prokurori i Përgjithshëm shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, ai nuk përfiton hapësirat që i ofrohen përmes kësaj shtese në ligj. “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm ose në një vend të barazvlefshëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të rëndë të ligjit ose akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e prokurorit të përgjithshëm”, thuhet në paragrafin e shtuar në nenin 7.