Nedved: “Na duhet qershia mbi tortë”
Deri tani Juventusi ka bërë një fazë grupi të mrekullueshme në Ligën e Kampioneve. Mungon vetëm “qershia mbi tortë”. Për të mbajtur vendin e parë në Grupin H i mjafton të mos humbasë në shtëpi kundër BATE Borisovit. Mesfushori çek, Pavel Nedved, u shpreh: “Këto ndeshje kanë kontribuar për të shtuar vetëdijen tonë. Na ka bërë më të fortë, edhe brenda nesh”. Juventusi i fitoi të dy sfidat kundër Realit të Madridit dhe 36-vjeçari ndihet shumë krenar. “Sipas meje, në futbollin e sotëm duhet të vraposh shumë, çdokush duhet të luajë atje ku ka nevojë skuadra. Unë jam në dispozicion dhe do të jem i kënaqur nëse luaj”. Të dielën Juventusi do të përballet me Milanin në kampionatin italian, por Nedved dëshiron të mendojë vetëm për ndeshjen kundër bjellorusëve të Bate Borisovit: “Liga e Kampioneve kërkon përqendrim të madh, ndryshe rrezikon të bësh teatër të shëmtuar. Është shumë e vështirë të arrish deri në finale. Gabon një ndeshje dhe je jashtë. Ne do të dëshirojmë të mbërrijmë deri në fund, por nuk duhet të lejojmë gabime. Tani jam duke menduar të ardhmen dhe finalen e Romës”.
Lioni e Bajerni janë automatikisht të kualifikuara dhe sfida midis kampionit të Francës dhe atij të Gjermanisë ka më shumë rëndësi për vendin e parë në Grupin F, pasi dy ekipet, pas pesë ndeshjeve të para, janë në kuotë të barabartë pikësh, nga 11. Rumunët e Steaua dhe italianët e Fiorentinës do të luftojnë në Bukuresht për vendin e tretë që të çon në Kupën UEFA. Skuadrës së Adrian Mutusë i mjafton dhe barazimi, pasi ka dy pikë më shumë se Steaua. Trajneri i Fiorentinës, Çezare Prandeli, synon të çojë të paktën fitoren e parë në shtëpi në Ligën e Kampioneve: “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, edhe pse kemi dy rezultate që na shërbejnë e përfaqësojnë një avantazh të vogël. Megjithatë, skuadra duhet mendojë vetëm për të fituar. Jemi shumë të motivuar, pasi luajmë për një vend në UEFA”. Steaua-Fiorentina është një ndeshje speciale për rumunin Adrian Mutu: “Do të gjej një ambient të vështirë, por ka një personalitet të madh dhe do të jap më të mirën. Më vjen keq që jemi eliminuar nga Liga e Kampioneve, por kundërshtarët ishin të fortë dhe ne bëmë një figurë të mirë. Tani po punojmë të jemi përsëri vitin e ardhshëm”. Porto-Arsenal është një tjetër sfidë tërheqëse e Grupit G. Të dyja skuadrat janë të kualifikuara dhe e vetmja vlerë nga përballja është përcaktimi përfundimtar i skuadrës, që do ta mbyllë fazën e grupeve në vendin e parë. Skuadrës angleze së Arsen Vengerit i mjafton barazimi në Portugali.
Ravena blindon Filipin, kartoni shkon 2 milionë euro
Ravena blindon Brian Filipin, mesfushorin e ri të talentuar shqiptar, i cili luan në Serinë C1/A. Lezhjani 19-vjeçar ka qenë një ndër protagonistët në skuadrën e njohur italiane dhe drejtuesit e klubit i kanë bërë ofertën për të nënshkruar kontratën si lojtar profesionist, duke parë dhe kërkesat në drejtim të tij në prag të hapjes së merkatos dimërore. Klubi përcaktoi edhe vlerën e kartonit të golashënuesit më të mirë të Ravenës në dy versionet e Kupës së Italisë (5 gola), por që ka lënë emrin e tij edhe në ndeshjet e kampionatit të Serisë C1/A.
“Është rrumbullak 2 milionë euro”, - tha menaxheri Sokol Haxhia për gazetën “Albania”. “Janë të paktën katër klube që kërkojnë të investojnë te Filipi dhe, Ravena, duke parë interesimin e tyre të fortë e disa edhe me oferta konkrete, shpejtoi në hartimin e nënshkrimin e një kontrate prej lojtari profesionit të Brianit”. “Opsioni i parë është blerja e gjysmës së kartonit së tij, pasi këtu në Itali klubet e Serisë A dhe B e praktikojnë këtë mënyrë bashkëpronësie për lojtarët që konsiderohen si me të ardhme”. Sipas Haxhisë, i pranishëm në marrëveshjen me presidentin e Ravenës, Xhani Fabri, drejtorin Sportiv Xhorxho Bufone e menaxherin e klubit, Emilio Manzani, synimi i klubit është përfitimi në maksimum nga një lojtar i talentuar. Brian Filipi, i konsideruar edhe një “Ervin Skelë i ri” për shkak të vizionit të tij për lojën e goditjet standarde, është lojtar i Kombëtares shqiptare U-21 dhe ka luajtur në dy ndeshjet e fundit eliminatore të Kampionatit Europian 2009, kundër Kroacisë dhe Azerbajxhanit.
Salihi pranon të vërtetën
Ried i sulmuesit Hamdi Salihi humbi 2-0 kundër Salzburgut në kampionatin austriak. Shkodrani pranon një të vërtetë të hidhur: “Ne nuk kemi në ekip kualitete për të përballuar një ekip si Red Bull Salzburgu”.
Igli Tare pezullohet një ndeshje
Igli Tare protestoi ndaj veprimeve të gjyqtarit gjatë ndeshjes së humbur 3-0 të Lacios me Interin në Romë, dhe pas ndëshkimit me karton të kuq Gjykata Sportive e ndëshkoi drejtorin Sportiv shqiptar të Lacios me një ndeshje pezullim.
Kanavaro: “Të ëndërrosh nuk është e ndaluar”
“Të ëndërrosh nuk të bën keq, pjesa tjetër varet nga ne”. Për kapitenin e Napolit, Paolo Kanavaro, një nga katër vendet e para në Serinë A është plotësisht i mundshëm, çka do t’i siguronte napolitanëve edhe një vend në Ligën e Kampioneve.
Kapllani, si Obama: “Yes, we can”
Edmond Kapllani në rolin e Barak Obamës, presidentit të zgjedhur amerikan. Sulmuesi shqiptar i Karslruhes ka festuar me tifozët, duke mbajtur një banderolë ku ishte shkruar lajtmotivi i fushatës së Obamës: “Yes, we can” (Po, ne mundemi). Fansat e Karlsruhes besojnë se do t’ia dalin të mos rrëzohen nga Bundesliga 1. Gjithsesi, Kapllani, një prej heronjve të Karlsruhes kur ajo militonte në Bundesligën 2, ende nuk e ka shënuar golin e parë për këtë sezon në Bundesligë. Por, për gazetën gjermane “Zydojçce Caitung”, sulmuesi shqiptar është parë në versionin e suksesshëm amerikan të Barak Obamës: “Yes, we can”.
10 Dhjetor 2008