Fondi 5 milionë USD, lista e 740 pronarëve në garë
BLEDAR HOTI
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po punon mbi listën e plotë të ish-pronarëve, të cilët kanë paraqitur kërkesë për t’u kompensuar financiarisht për vitin 2008. Në garë për fondin prej 500 milion lekësh të reja janë 740 ish-pronarë nga e gjithë e gjithë Shqipëria. Agjencia e Kthimit të Pronave pas mbylljes së afatit më datë 3 dhjetor ka nisur procesin e verifikimit të vendimeve të njohura së pronësisë për ish-pronarët. Puna fillimisht nis me klasifikimin e vendimeve të marra ndër vite, ku zanafilla do të jetë viti 1993. Zyra qendrore gjatë këtyre dy javëve së bashku me 12 zyrat rajonale do të verifikojë dokumentet e paraqitura nga ish-pronarët, të cilët duan të përfitojnë nga fondi prej 500 milionë lekësh. Dokumentet e pronësisë, të dhënat nëse ish-pronarët kanë përfituar më parë janë pjesë e procesit të verifikimit të zyrave rajonale të AKKP-së gjatë kësaj periudhe. Pjesa më e madhe e aplikuesve në bazë të sipërfaqeve që kanë në dispozicion përfitojnë një kompensim financiar maksimal deri në 200 m2. Numrin më të madh të depozituesve e përmbajnë ish-pronarët e Qarkut të Tiranës me mbi 170 kërkesa. Më pas vijnë Qarku i Korçës me mbi 100 kërkesa nga ana e ish-pronarëve. Në vendin e tretë renditet Qarku i Shkodrës, e më pas vjen ai i Fierit, Vlorës dhe Durrësit. Qarku i Kukësit ka më pak kërkesa nga ish-pronarët për t’u kompensuar financiarisht. Për herë të parë Agjencia e Kthimit të Pronave synon të realizojë një kompensim financiar në shkallë republike. Kjo për shkak se harta e miratuar e vlerës së trojeve është në shkallë republike. Aktualisht, qeveria ka miratuar së fundmi një hartë të re të çmimeve për Tiranën dhe Durrësin. Ky ishte rishikimi i parë i hartës për këto dy qytete, që kanë edhe pjesën më të shtrenjtë të çmimit të trojeve në rang republike. Çmimet për qarqet e tjera të vendit priten të rivlerësohen së shpejti nga ana e qeverisë, e cila prej muajsh ka nisur procesin e nxjerrjes së shifrave të reja. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave duhet që brenda muajit dhjetor të realizojë shpërndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh të reja. Kjo për shkak se rrezikon të digjet ky fond. Pritet që në fillim të muajit janar AKKP-ja të derdhë në llogaritë bankare të fituesve shumën, që përfitojnë nga kompensimi financiar. Në listën aktuale janë të paktën ish-pronarët, që kanë vendim për njohje pronësie në vitin 1993. Pjesa me e madhe e tyre janë pas vitit 1994.