Ministri i Drejtësisë, masa disiplinore për kryeprokurorin
adi shkembi
Qeveria miraton ndryshimet në ligjin për Prokurorinë. Me gjithë debatet e shumta mes Ekzekutivit dhe organit të akuzës në periudhën korrik-shtator, në mbledhjen e djeshme është miratuar propozimi i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, lidhur me një sërë ndryshimesh në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Gazeta zbardh të plota ndryshimet e miratuara dje në qeveri dhe që pritet të kalojnë për votim në Parlament.
Ligji
Me gjithë kundërshtitë e vazhdueshme të kryeprokurores Ina Rama lidhur me masat disiplinore që mund të japë ministri i Drejtësisë për të, qeveria nuk është tërhequr nga varianti i saj fillestar. Në nenin 56 të ligjit të miratuar dje nga Ekzekutivi thuhet se, “ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga Ministria e Drejtësisë sipas kësaj pike”. Pikërisht pas pikës 4 të këtij neni është shtuar një pikë tjetër, aq shumë e kontestuar dhe e konsideruar si kërcënim për organin e akuzës nga vetë kryeprokurorja. “Mbi bazën e rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës”, thuhet në pikën 5 të shtuar në ligjin për Prokurorinë.
Alibeaj
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e ka argumentuar këtë nen me rritjen e përgjegjshmërisë në kryerjen e detyrës shtetërore nga ana e prokurorit. Në relacionin e draftit të miratuar dje në qeveri, Alibeaj shpjegon edhe arsyen e këtij neni. “Me qëllimin e vetëm, rritjen e një elementi të rëndësishëm të punës së Prokurorisë dhe që ka të bëjë me anën tjetër të medaljes, pavarësinë si dhe rritjen e përgjegjshmërisë në kryerjen e detyrës shtetërore. Mbi bazën edhe të praktikës së akumuluar deri më sot është bërë një detajim i mëtejshëm i raportit mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm”, thuhet në relacionin e Alibeajt. Kjo pikë e propozuar nga ministri i Drejtësisë nuk është pranuar për asnjë moment nga organi i akuzës. Në një intervistë në 12 shtator të këtij viti, kryeprokurorja Ina Rama është shprehur: “Në një moment të caktuar çdo maxhorancë që do të godasë punën e Prokurorisë mund ta godasë nëpërmjet një raporti dhe që nuk prodhon rezultat, por e bën vurnerabël institucionin e akuzës. E ekspozon pa një vendimmarrje të caktuar të Kuvendit”. Sipas saj, “nëse Kuvendi do të ketë nevojë të marrë një vendim për këtë raportim, por që nuk është e parashikuar në draft, logjika ta do të mendosh që Kuvendi do mbështesë ministrin e Drejtësisë, duke qenë se Kuvendi në shumicën e tij mbështet maxhorancën qeverisëse. Kështu që gjithsesi që oponenca e prokurorit në këtë rast do të ishte thjesht një ekspozim i shumë fakteve që përbëjnë sekret hetimor dhe i pavlerë përveçse të indimidimit (kërcënimit) të organit të akuzës”.
Ndryshimet në ligjin “Për Prokurorinë”
Shtohet neni 3/ç
Shmangia e konfliktit të interesit
1. Drejtuesit e prokurorisë së rrethit gjyqësor, drejtuesit e prokurorisë pranë gjykatës së apelit, prokurorit të apelit, prokurorit të prokurorisë së përgjithshme apo prokurorit të përgjithshëm, kur gjendet në një çështje penale në rastet e parashikuara në nenet 16 dhe 17 pika 1 e kodit të procedurës penale, i ndalohet të japë urdhra dhe udhëzime me shkrim të prokurorit të çështjes apo të influencojë në çdo mënyrë tjetër.
2. Në këtë rast drejtuesi në konflikt interesi njofton me shkrim prokurorin e përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm, kryesisht ose me kërkesë vendos me shkrim mbi përjashtimin e drejtuesit nga procedura e dhënies së urdhrave dhe udhëzimeve drejtuesin në konflikt interesi. Në këtë vendim prokurori i përgjithshëm cakton nëse dhe në ç’pjesë kanë vlerë veprimet e kryera mbi bazën e urdhrave dhe udhëzimeve të dhëna më parë nga drejtuesit në konflikt interesi.
3. Në rastin kur prokurorit të përgjithshëm i kërkohet nxjerrja e një urdhri apo dhënia e një udhëzimi në një procedim në të cilin ai është në konflikt interesi, atëherë ai deklaron me shkrim gjendjen e konfliktit të interesit dhe njofton prokurorin që i ka kërkuar nxjerrjen e urdhrit apo dhënien e udhëzimit. Në këtë rast, urdhri apo udhëzimi nxirret nga prokurori më i vjetër në detyrë, drejt në strukturën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Neni 10 ndryshohet
Kompetenca
1. Këshilli i Prokurorisë kryen këto funksione në ndihmë të Prokurorit të Përgjithshëm.
2. Mendimet e Këshillit të Prokurorisë paraqiten në formë të shkruar, të arsyetuara dhe nënshkruhen nga kryetari. Akti i bashkëlidhet detyrimisht dhe mendimi i anëtarëve në pakicë.
3. Këshilli i Prokurorisë ushtron këto kompetenca:
a) Organizon konkursin për emërimin e kandidatëve për prokuror dhe i jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për emërimin e prokurorëve në detyrë, shkarkimin e tyre, si dhe çdo nismë tjetër në natyrë disiplinore.
b) Shqyrton vlerësimin e punës së prokurorëve dhe i paraqet për miratim Prokurorit të Përgjithshëm vlerësimin përfundimtar të aftësive profesionale të prokurorëve;
c) I jep mendim Prokurorit të Përgjithshëm për ngritjen në detyrë të prokurorëve transferimin (lëvizje paralele ose ndryshme të ngjashme), si dhe kandidaturat e drejtuesve të prokurorive dhe zëvendësit e tyre, duke paraqitur mendimin e tij për kandidatët pas procedurës së konkurrimit të tyre;
ç) Jep mendim për miratimin nga Prokurori i Përgjithshëm të Rregullores së Këshillit të Prokurorisë;
d) Jep mendim për planin vjetor të inspektimeve dhe tematikën e tyre;
dh) Merr në shqyrtim dhe jep mendim për vlerësimet e ministrit të Drejtësisë lidhur me inspektimet e kryera në organe të prokurorisë;
e) Jep mendim për projekt aktet normative të prokurorit të Përgjithshme, për unifikimin e politikës së ndjekjes penale në hetim dhe në gjykim, si dhe propozon masa për organizimin e brendshëm dhe miradministrimin e prokurorisë apo përmirësimin e legjislacionin në fushën penale;
ë) Kryen çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj.
4. Këshilli i Prokurorisë shqyrton ankesat për vlerësimin e prokurorëve dhe mund të refuzojë ose ka të drejtë të fillojë rishikim të vlerësimit që nuk është pranuar nga prokurori përkatës, sipas rregullave të përcaktuara nga Prokurori i Përgjithshëm.
5. Në rastet kur Prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga Këshilli, vendimmarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar.
Në nenin 56 shtohet
Ministri i Drejtësisë paraqet në Kuvend, të paktën një herë në vit, raport me shkrim për inspektimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë, duke vënë në dijeni edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Raporti përmban të dhëna të përgjithshme për çështjet e parashikuara në pikën 2 të këtij neni. Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij në lidhje me raportin e dërguar nga Ministria e Drejtësisë sipas kësaj pike. Mbi bazën e rezultateve të kontrollit, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, paraqet rekomandim për marrje mase disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm shqyrton rekomandimin dhe vendos lidhje me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.
"Ligji bie ndesh me Gjykatën Kushtetuese"
Prokuroria e Përgjithshme konteston disa prej neneve të hartuar nga Ministria e Drejtësisë për ligjin e organit të akuzës. Në letrën e datës 27 tetor 2008 të dërguar nga anëtarët e grupit të punës së zyrës të Prokurorit të Përgjithshëm, Zamir Shtylla dhe Kujtim Luli, vihet theksi te neni 56, i cili sipas këtij institucioni bie ndesh me Gjykatën Kushtetuese. “Jemi kundër variantit të parë që ndryshon nenin 56 të propozuar nga Ministria e Drejtësisë, sepse ndryshimet e propozuara bien ndesh me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nr. 26, datë 04.12.2006 dhe nr. 12, datë 20.05.2008, ku theksohet qartë se mjetet e kontrollit parlamentar (pse jo dhe të kontrollit ekzekutiv) nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete”, thuhet në letrën e Prokurorisë. Duke iu referuar nenit 3/ç, që ka të bëjë pikërisht me shmangien e konfliktit të interesit, Prokuroria thekson se “sugjerojmë që me këtë synim është e nevojshme të rishikohen dhe përmirësohen nenet 26 dhe 27 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo, sepse ky nen në përmbajtje dhe në formë përbën një normë procedurale penale”. Për sa i përket nenit 8/2 shkronja ‘f’, që ka të bëjë me kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm, në mendimin e tij ky organ kërkon që të hiqet togfjalëshi ‘dhe përgjigjet për mosmarrjen e masave të duhura’. “Kjo sepse gjatë ushtrimit të ndjekjes penale secili prokuror mban përgjegjësi për ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore”, thekon më tej Prokuroria.