Keshillli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve vijon seancen degjimore

Misioni Europian që asiston drejtësinë shqiptare EURALIUS dhe projekti antikorrupsion për Shqipërinë në Këshillin Europës PACA, rekomanduan votimin pa vonesa të nismës për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve. Nuk ka asnjë arsye, sipas tyre, që kjo të shoqërohet me nismën tjetër të socialistëve për zgjedhjen me shumicë të cilësuar të anëtarëve dhe kryetarëve të organeve të drejtësisë. Në përgjigje të deputetëve socialistë, ekspertët hartues të nismës që PD e ka depozituar në Kuvend, konsideruan se ndryshe nga kjo nismë e re për reformë kushtetuese, propozimet për imunitetin janë të pjekura dhe të mirëstudiuara në kohë.
PACA dhe EURALIUS gjatë seancës dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit vlerësuan të dy variantet paraqitura për imunitetin, por ata thanë se ai që ka firmën e tyre është më cilësor, edhe nga pikëpamja e qëndrueshmërisë kohore në të ardhmen. Ata evidentuan se varianti i PD ofron më pak mbrojtje imunitare për deputetët se sa ai i socialistëve.
EURALIUS dhe PACA sugjerojnë votim të hapur, siç është paraqitur në variantin e PD-së, kur duhet vendimmarrja e Kuvendit për kthimin e imunitetit të deputetëve në rast të cenimit të funksionalitetit të tij. Socialistët kanë propozuar votim të fshehtë.
Imuniteti i anëtareve të Gjykatës së Lartë shihet si një tjetër moment debati mes palëve, pasi projekti i EURALIUS i trajton ata si të barabartë me anëtarët e gjykatave të tjera, pasi siç u shprehën ata, herët a vonë kjo gjykatë do të jetë gjykatë karriere dhe jo me anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe do të jetë KLD që vendos për gjyqtarët. Të dy nismat parashikojnë gjithashtu që deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet në Kuvend dhe votat e dhëna prej tij, me përjashtim të shpifjes. Ekspertët e huaj sygjeruan si mundësi që edhe për shpifjen në Kuvend të mos mbahet përgjegjësi. Duke folur edhe në emër të OSBE, dhe misionit amerikan Opdat, ndryshe nga demokratët, socialistët kanë kërkuar autorizim të Kuvendit, jo vetëm për arrestimin, por edhe kur ushtrohet kontroll personal ose i banesës. EURALIUS dhe PACA deklaruan se janë në favor të mbulimit të imunitetit vetëm për arrestimin.