E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURALIUS e PACA: “Zgjedhja e gjyqtarëve të mos mbajë peng imunitetin”

22-07-2012 / Gazeta 55

Ndërkombëtarët ftuan formalisht dje opozitën që të mos e kushtëzojë heqjen e imunitetit me nisma-barrikada, si ajo e zgjedhjes së gjyqtarëve me 3/5-at e Kuvendit. Ekspertët e EURALIUS dhe PACA thanë se mbështesin draftin për heqjen thuajse të plotë të imunitetit për deputetët, zyrtarët dhe gjyqtarët, por pak shpresa ka se opozita e barrikadave do ta votojë nismën me 6 gusht

Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni parlamentar i Ligjeve, nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topali zhvilloi dje seancën dëgjimore me grupet e interesit, për të dëgjuar mendimet e tyre lidhur me nismën “Për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë”, përmes ndryshimeve kushtetuese.
I mbledhur paraditen e së premtes, Këshilli i Legjislacionit dhe komisioni Parlamentar i Ligjeve, pas një debati në parim që zgjati rreth tre orë me prezantimin e dy drafteve të PD dhe PS, vendosi të zhvillojë seancën dëgjimore për ndryshimet kushtetuese me ekspertët ndërkombëtarë të misioneve evropiane në Tiranë si, EURALIUS dhe PACA, me konstitucionalistë të fushës, me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj e me anëtarë të Gjykatës së Lartë, Ariana Fullani dhe Arian Nuni. Dhanë qëndrimet e tyre për heqjen e imunitetit kryetarët e institucioneve të pavarura kushtetuese, që raportojnë në Kuvend: Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Në seancën e djeshme për 8 orë radhazi, u zhvillua një diskutim maratonë pyetjesh dhe përgjigjesh, u dhanë mendime, sugjerime dhe përvoja nga sistemet e tjera parlamentare të Evropës për heqjen e imuniteteve dhe kërkesës për ndryshimet në Kushtetutë, që buron nga kjo çështje.
Ekspertët e EURALIUS dhe PACA-s, dy misione që kanë asistuar drejtësinë shqiptare gjatë viteve të fundit, dhanë opinionin e tyre rreth propozimit zyrtar të mazhorancës dhe draftit të socialistëve, rreth modaliteteve përkatëse të kufizimit të imunitetit. Përfaqësuesi i “EURALIUS”, Joaquin Urias tha se mbështeste më shumë propozimin e Partisë Demokratike, pasi ai kishte marrë edhe ekspertizën e plotë të tyre.
“Propozimet e dy partive i arrijnë qartë standardet që ne duam të kemi. Propozimi i PD-së na bën të lumtur se është propozuar nga EURALIUS, ndaj themi se na duket më i përshtatshëm, megjithatë them se dhe propozimi tjetër (i PS) i arrin standardet evropiane. Shpresoj që qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugë të mesme dhe të kenë një zgjidhje për imunitetet në Shqipëri, dhe t’i bashkohen kështu nismës së komunitetit evropian”, u shpreh ekspert i EURALIUS.
Por sipas tij, edhe drafti i socialisteve është brenda standardeve evropiane. Ekspertet u ndalën më tej tek e drejta për të ushtruar kontroll në shtëpinë e deputeteve apo për arrestimin e tyre. Sipas eksperteve, nëse ato zhvillohen pa dijeninë e të zgjedhurit, atëherë kjo do të cenonte figurën jo vetëm të deputetit, por edhe të parlamentit.
Specialistët e dy misioneve u shprehen kundër dënimit për shpifje, duke theksuar se do të preferonin më mirë një zë më shumë në parlament, sesa deputetë të frikësuar nga ndëshkimi.
“Çështje problematike është ajo lidhur me shpifjen. Mendoj se nuk duhet të lejoni që deputet të ndiqen penalisht për shpifje, pasi është më mirë dhe nga eksperienca evropiane që deputeti të thotë diçka sesa të mos ketë të drejtën të japë mendimin e saj. E dyta ka të bëjë me kontrollin e banesës, në rekomandimet ndërkombëtare lejohet që prokurorët të fillojnë një hetim ndaj deputetëve. Një kontroll banese mund të ndikojë në funksionimin e parlamentit. Pasi nëse banesa e tij po kontrollohet tani nuk mund të shkojë në punë. Por, pengesës është edhe për prokurorët. Në këtë rast rekomandimi im si ekspert është që ndalimi për kontrollin e banesës të shihet në kodin penal jo në Kushtetutë”, nënvizoi përfaqësuesi i EURALIUS, Urias.
Ndërsa përfaqësuesi i PACA-s, Tilman Hoppe deklaroi se dy draftet e paraqitura janë të mira, por vendimmarrja për këtë i takon ligjvënësve shqiptarë.
“Ka dy opsione dhe janë shumë të mira, pasi kanë të bëjnë me kufizimin e imunitetit. Dhe ndoshta ju jeni të interesuar të dini se cili është propozimi më i mirë. Në të gjithë mendojmë se vendimmarrja i përket politikanëve shqiptarë pasi ne kemi të drejtë vetëm të këshillojmë dhe më pas ju vendosni”, tha ai. 
Të njëjtin vlerësim shprehu edhe zyrtari i EURALIUS-it, i cili theksoi se mazhoranca dhe opozita duhet të bien dakord dhe të gjejnë konsensusin. Joaquin Urias vuri në dukje se imuniteti ka qenë edhe është një kërkesë permanente e Bashkimit Evropian, në vijim të plotësimit të standardeve të integrimit.
“Prej shumë vitesh Bashkimi Evropian ka nxitur Shqipërinë të marrë masa që të ndryshojë imunitetin shumë të madh të gjyqtarëve, ku rekomandimi kryesor ishte që imuniteti i përgjithshëm duhej të hiqej. Shpresoj që qeveria dhe opozita të gjejnë një rrugë të mesme. Sot dua të them se jam i lumtur se këto është rënë dakord për këtë reformë dhe dua të them se jam dakord me dy propozimet. Ndaj ju përshëndes dhe uroj të gjeni konsensus për t’iu bashkuar BE”, tha zyrtari i EURALIUS.
Ndërkohë përfaqësuesit e PACA dhe EURALIUS kërkuan që të bëhet kujdes sa i takon kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve, pasi sipas tyre imuniteti i tyre prek drejtpërdrejt të drejtat e gjyqtarëve. “Sipas rekomandimeve evropiane Gjykata e Lartë nuk ka pse të mos jetë gjykatë karriere. Gjykata kushtetuese është jashtë gjyqësorit. Nëse ia japin të drejtë parlamentit rritet vartësia, ndaj nuk do rekomandoja që kompetenca e ti jepet parlamentit”, theksoi Joaquin Urias.
Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, të pak ditëve më parë, u ra dakord që shqyrtimi i kësaj çështjeje në Parlament të bëhet në seancën e datës 6 Gusht. Heqja e imunitetit ka qenë jo pak herë kërkesë e ndërkombëtarëve, për ti hapur rrugë përmbushjes së 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian nga ana e klasës politike shqiptare.

Draftet për Imunitetin
Dy projektet, ai i PD-së dhe i PS-së, ndryshojnë nga njëri-tjetri në një përkufizim të rëndësishëm. Ndërsa projekti i demokratëve, që është një përshtatje në shqip e draftit të EURALIUS dhe PACA-s, përcakton heqjen e plotë të imuniteteve për deputetët dhe ministrat. Kjo do të thotë se ata, sipas ligjeve në fuqi, mund të merren në ndjekje penale dhe civile, mund të arrestohen dhe mund t’u kontrollohet banesa, për çdo lloj akti të kryer, përveç mendimeve dhe votës që japin në parlament. Ndërsa projekti i PS-së nuk kërkon heqjen e plotë të imunitetit, duke mbajtur të paprekur deputetin apo ministrin nga arrestimi apo kontrolli i banesës.
Në ditën e parë të mbledhjes së këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ftoi opozitën të tregojë vullnetin politik dhe të miratojë heqjen e imunitetit sipas kalendarit të miratuar nga konferenca e kryetarëve. Topalli tha se nisma në fjalë ka një histori gati 10-vjeçare, që fillon që në vitin 2003 dhe ka qenë nisma me ecurinë më të ngadaltë në historinë e Parlamentit shqiptar.
Jozefina Topalli nënvizoi se nëpërmjet kësaj nisme deputetët kanë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre me votë dhe jo me fjalë për të qenë të barabartë para ligjit ashtu si të gjithë qytetarët shqiptarë. “Një formalizim të ri i heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë duke filluar nga deputetët e parlamentit të Shqipërisë dhe duke vazhduar në institucione të tjera të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian që janë më të specializuara PACA dhe  EURALIUS”, tha ajo.
Por nga ana tjetër, socialistit Fatmir Xhafaj që bëri prezantimin e projektit, ky përkufizim mbron deputetët nga goditjet eventuale politike. “Është hera e parë që ka një nismë kushtetuese për heqjen e imunitetit. Në realitetin shqiptar ka pasur një qëndrim të përbashkët për kufizimin e imunitetit. Shumica reflektori dhe pas 8 vjetësh erdhi tek varianti ynë. Ne kemi shprehur qëndrimin tonë për domosdoshmërinë për heqjen e imunitetit dhe situata aktuale e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë e imponon një hap të tillë”.

Kryeprokurorja Ina Rama: “Heqja e imunitetit i jep liri hetimit”

Kryeprokurorja Ina Rama u shpreh dje rreth nevojës së heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë, gjatë seancës dëgjimore të organizuar në Kuvend, me grupet e interesit, lidhur me çështjen e imunitetit të zyrtarëve. “Jam e kënaqur që mbërritëm në këtë pike. Institucioni ynë në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar që imuniteti të hiqet si një mbrojtëse kushtetuese”, tha InaRama.
Duke vlerësuar të dy draftet e paraqitura në Parlament, për çështjen e imunitetit, Kryeprokurorja Rama tha se, “të dy draftet realizojnë qëllimin tonë thelbësor, pra bëjnë të mundur që prokuroria të bëjë hetime ndaj zyrtarëve që gëzojnë imunitetin. Në thelb duket që këto ndryshime i hapin rrugë hetimit dhe ne jemi të realizuar në pritshmëritë tona”, tha ajo. Kryeprokurorja Rama sugjeroi që, “do ishte shumë e përshtatshme që paketa kushtetuese të shoqërohej me një paketë, e cila do të sillte ndryshimet procedurale ose disa përkufizime të sqaroheshin më tepër për të mos lënë vend që të zbatohen procedura të gabuara”.

Avokati i Popullit Igli Totozani: “Avokatët të mbrohen nga presionet”

Avokati i Popullit, Igli Totozani sugjeroi trajtimin me kujdes të çështjes për imunitetin e zyrtarëve të lartë, gjatë seancës dëgjimore të organizuar sot në Kuvend me grupet e interesit, lidhur me dy draftet e paraqitura për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, në kuadër të luftës kundër korrupsionit. “Duhet të kuptoni se, risku që në punën tonë, në ushtrimin e funksioneve kushtetuese, të gjendemi përballe presioneve abuzive, nuk është i vogël”, tha ai.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›