E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama zgjat mandatin në opozitë

22-07-2012 / Gazeta 55

Pinjolli i Bllokut në krye të PS-së e ka ndarë mendjen: Ai do të qendrojë në opozitë e do shpallë zyrtarisht luftën e ftohtë me ndërkombëtarët, mjaft që të pengohet rruga e integrimit të vendit në BE. Edi Rama shpalli dje se s’do ta votojë nismën për heqjen e imunitetit, edhe pse bëjnë apel Brukseli e Uashingtoni. Interesat e tij thelbësore mbeten kërkesat e grupit të miliarderëve si dhe bllokimi i reformave që na afron me BE-në

Edi Rama tejkaloi veten dje në çdo tregues të përditshmërisë politike. Që nga konferenca për shtyp në mesditë, atëherë kur s’e priste askush pasi e gjithë vëmendja ishte përqendruar në ambientet e Kuvendit ku zhvillohej mbledhja e Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit të ligjeve me objekt; seancë dëgjimore me grupet e interesit lidhur me kufizimin apo heqjen e imunitetit; debatet e pafrytshme të Fatmir Xhafajt, Ermonela Felajt apo dhe Vasilika Hysit në mbledhjen në fjalë; e deri te editoriali i tij, gjithnjë për shqetësimin rreth imunitetin, pa një pa dy e rreshtojnë atë në pozitat e një kryebllokuesi të vërtetuar.
Nuk janë surpriza dhe as imprensione qëndrimet e PS kundër reformave, aq më tepër rekomandimeve të Brukselit zyrtar, që lidhen automatikisht me të ardhmen evropiane të vendit. Partia Socialiste ka ruajtur në vazhdimësi prirjen e saj të bllokimit dhe zvarritjes së nismave ligjore, pa u shqetësuar për rëndësinë dhe impaktin e tyre qoftë politik apo edhe ekonomik. E në këto kushte, maksima e selisë rozë gjithnjë është orientuar drejt tendencave destabilizuese dhe krijimit të artificave rivendikuese thjesht e vetëm arritjen e një kredoje politike që në të vërtetë s’i shërben askujt, as vetë PS-së. Sikurse u keq-orientua dhe më keq akoma u djallëzua me ligjin për ngritjen e Gjykatës Administrative, të cilin e la në sirtarët e Kuvendit prej vitit 2008-ë, për të dhënë votën konsensuale vetëm pak muaj më parë, pasi kishte dalë dimri.
Është i njohur dhe i ditur roli i Partisë Socialiste në reformat ekonomike, aq të domosdoshme në kushtet e një krize të egër dhe të paprecedentë në rajon e më gjerë. Asnjë ligj të votuar dhe një nismë kontribuuese në drejtim të rigjenerimit të potencialeve mbështetëse. Kësisoj, s’mbeten pas efektet bllokuese të selisë rozë në kthjellimin e perspektivës evropiane të Shqipërisë. Krahas mosmbështetjes së liberalizimit të vizave, projekt për të cilin u shpreh lart e poshtë nga Brukseli në Berlin, Madrid e Paris se, me heqjen e vizave, vendet e “Schengen”-it do masivizohen nga kontigjentë kriminalë dhe të papunë.
Një mesazh rrëqethës dhe reklama më negative që mund t’i bëhet vendit nga një klikë aparteidesh që janë sendërtuar rreth konjukturave të nomenklaturës komuniste. Pranoi miratimin e disa ligjeve me 3/5, sikurse shprehu një gjysmë-miratimi për Kodin e Ri Zgjedhor bashkë me presionin e ndërkombëtarëve se, PS rrezikonte të konsiderohej si forcë destruktive dhe ilegale.
Sot, jemi në suazën e diskutimeve të gjëra për heqjen apo kufizimin e imunitetit. Ka edhe një asistencë ndërkombëtare për këtë çështje e cila kalon caqet e mbështetjes ligjore, duke u konfirmuar në një oportunitet konform sfidave të Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Sërish, Edi Rama është në pozita bllokuese. Ka frikë nga dorëzimi i imunitetit, thonë zëra të brendshëm të selisë rozë, të cilët edhe pse jo zyrtarë, bartin dhe përcjellin frikën e tmerrshme të Edvinit dhe grupit të tij të miliarderëve. Për të dhe të ardhmen e tij politike, ka vetëm dy javë kohë. Dy javë kohë për reflektim se, heqja e imunitetit nuk është vetëm një nevojë imediate e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin, por edhe një kërkesë permanente e Bashkimit Evropian, në këmbim të statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti. Nuk është thjeshtë çështja e ndryshimeve Kushtetuese, pasi kjo është shndërruar në një kërkesë banale nga kryesocialisti sa herë që ka një nismë ligjore që kërkon konsensusin e opozitës dhe 3/5 e votave. Tendenca qëndron te roli bllokues në drejtim dhe orientim sipas amanetit të atit të tij shpirtëror, për penguar me çdo kusht integrimin e Shqipërisë në BE.
Kundërshtimi i heqjes së imunitetit dhe kushtëzimi i tij me ndryshimet kushtetuese, është një lojë që Rama tentoi ta implementojë para zgjedhjes së presidentit ku dështoi; gjatë hartimit të reformës zgjedhore ku sërish dështoi; dhe tani gjatë diskutimeve për imunitetin.
Ka dyshime për rezultatin përfundimtar?
Jo, kur bëhet fjalë për një njeri të mësuar me dështime.

Kushtet e Ramës për Imuniteti

Kryetari i opozitës, Edi Rama la të kuptohet qartë gjatë daljes së tij para medias, por edhe në editorialin e nisur gjatë mbrëmjes, se ndonëse ka nisur debatin procedural parlamentar për ndryshimin e Kushtetutës për heqjen e imuniteteve, “forca e tij politike nuk do ta votojë atë, pa u kompletuar njëkohësisht reforma kushtetuese si e tërë, pra pa u miratuar dhe nisma tjetër për votimin me shumicë të cilësuar të anëtarëve dhe kryetarëve të organeve të drejtësisë”.
Kjo pasi kryesocialisti është i bindur se “nuk është mburoja e imunitetit ajo që ka penguar drejtësinë të veprojë mbi zyrtarët shqiptarë në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë”. Në dukje i paqartë dhe në amulli të plotë, gjithnjë për të mos shprehur dakordësi për nismën e mazhorancës, një dokument i bazuar në ekspertizën evropiane falë asistencës së EURALIUS dhe PACA-s, Rama vuri kushtet dhe interesin e tij politik, para interesit kombëtar të vendit në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të statusit kandidat. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›