E Shtunë, 31 Tetor 2026

EURO SI GUR I MARRëZISë KRYEMINISTRORE

Hedh një i marrë një gur në pus dhe dhjetëra të tjerë nuk e nxjerrin dot. Kjo thënie e vjetër mund të shërbejë për të përkufizuar në mënyrë më lakonike thelbin e atij paniku që përfshiu pak ditë më parë tregun e valutës në Shqipëri. Të enjten e javës që sapo u mbyll, leku pësoi një zhvlerësim aq të fortë përballë euros sa shumë kambistë dhe agjenci të këmbimit valutor, i pezulluan operacionet në pritje të sqarimit të situatës. Po atë ditë para publikut u shfaqën me deklarata në mbrojtje të monedhës vendase Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani dhe Ministri i Financave, Ridvan Bode. Një ditë më pas, të premten situata u paraqit më e normalizuar. Po cila ish ajo forcë që desh ngriti një cunam financiar me pasoja të pariparueshme? Si jo pak herë në këto 20 vjet, Sali Berisha dora vetë, këtë radhë në rolin e kryeministrit. I ftuar të marrë pjesë në konferencën e 8-të ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë Berisha deklaroi se do të jetë e shpejtë dita e zëvendësimit të monedhës vendase, lekut, me euron. Një deklaratë krejt pa vend, aspak në kohën e duhur, por thjesht e nxitur nga marrëzia e madhështisë e këtij politikani të cilin arroganca nuk e lejon të mësojë nga pësimet e të kaluarës. Dhe si për ironi, tema e konferencës ku ai përdori euron si "gur filozofal" për të rrezatuar madhështi dhe vizion, vërtitej rreth stabilitetit dhe mësimeve që duhen nxjerrë nga kriza që po kalon bota sot. Berisha bëri të kundërtën, jo vetëm desh rrënoi stabilitetin e lekut, por tregoi se nuk di të nxjerrë asnjë mësim nga krizat sikundër edhe ajo e piramidave financiare që vendi pësoi, po për kryefaj të tij, 12 vjet më parë në vitin e mbrapshtë 1997.

***
Ministri i Financave Bode, u përpoq ta mjegullojë gafën e rrezikshme të shefit të tij, duke deklaruar se dukuria ishte rrjedhojë e mbiçmimit të euros dhe jo e zhvlerësimit të lekut. Por pikërisht në momentet që Bode shqiptonte këtë "sofizëm" euro zhvlerësohej në tregjet ndërkombëtare kundrejt dollarit. Shihej qartë se faji nuk ishte i Euros por i Berishës që e kish përdorur Euron si një gur që hidhet në pus. Por Bode nuk mund ta thoshte një gjë të tillë. Por ai mund tha një gjë tjetër, tha se si fajtore për zhvlerësimin e euros ishte opozita që po keqpërdorte deklaratën e kryeministrit. Një politizim vulgar i një çështjeje të pastër financiare, që tregon se edhe pse ka vite si ministër financash, Bode nuk ka harruar të dalë shumë shpejt në rolin e militantit të rëndomtë partiak kur ia do nevoja. E si e paska shfrytëzuar për keq opozita deklaratën e Berishës? Duhet të jesh ose dinak ose paranojak të thuash se kambistët, agjencitë e valutës apo edhe qytetaret mund të luajnë me paratë e tyre sepse kështu i pëshpërit opozita, duke i keqinterpretuar një thënie të kryeministrit. Nuk është faj i opozitës se Kryeministrit i teket të deklarojë që leku do të zëvendësohet shumë shpejt nga euro, se ne "duhet të dorëzohemi para euros" dhe se shumë subjekte interesi financiari detyron ta kuptojnë kështu: është më mirë t‘i kesh kapitalet apo depozitat në euro sesa në lek. Ishte pra deklarata marroke e Kryeministrit dhe jo konspiracioni i opozitës shkaku i shakullimës që përfshiu tregjet e monedhave fundjavën e kaluar. Jo rastësisht edhe Guvernatori Fullani (madje edhe Bode vetë) u ndal t‘i shpjegonte publikut se procesi i zëvendësimit të monedhës sonë me euron do të jetë shumë i gjatë. I ftoj shqiptarët të besojnë te leku, - tha ndër të tjera Fullani, duke u përpjekur të kurojë keqkuptimin që kish ngjallur deklarata pa mënd e Berishës pikërisht në kohën kur Banka e Shqipërisë dhe institucione të tjera po përpiqen të bindin shqiptarët të marrin edhe kredi jo në valutë, por në monedhë vendase. Prova se lëkundja e beftë e tregut të parasë kishte në bazën e tij faktorë psikologjikë është vetë fakti, që pas këtyre deklaratave qetësuese, kurset e këmbimit nisën të rikthehen në kuotat tradicionale të kohëve të fundit.

***
E keqja duket kaloi por rreziku mbetet. Sepse mbeten deficite buxhetore dhe tregtare gjithnjë e më të thella në sajë të "kujdesit" dhe aventurave ekonomike të Kryeministrit Berisha. Mbetet edhe vetë Berisha që situatave të mahisura financiare di t‘u shtojë edhe faktorin e një spiraleje psikologjike. Dhe do mbetet i rrezikshëm sa kohë nuk do të heqë zakonin t‘ia mbushë kot gjë që e bën rëndom (sikundër dhe e ka pranuar) në fushata elektorale ku edhe nuk prish shumë punë. Por kostoja e gjepurave politike është shumë e lartë kur bëhet fjalë për tregje tepër delikate si ato të parasë. A nuk është provuar një gjë e tillë edhe në fund të vitit 1996 dhe në prag të rrënimit të piramidave financiare kur e pyetën për garancinë që jepnin ato piramida? Dhe Berisha u përgjigj: Paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë. Ishte një përgjigje që nuk lidhej fare me pyetjen e gazetarit. Në fakt Berisha nuk e kish hallin te paret e shqiptarëve por donte t‘i jepte përgjigje prokurorisë së përgjithshme italiane që akuzonte Shqipërinë për pastrim parash. Por aq sa tha mjaftonte. Publikut shqiptar nuk i interesonte përmbajtja e asaj që tha Presidenti i asaj kohe Sali Berisha, por fryma optimiste që ai rrezatonte kur fliste për piramidat. Publiku nuk merret me thelbe por me sipërfaqen e gjërave. Nëse shfaqesh i buzëqeshur kur të pyesin për Piramidat, s‘ka fare rëndësi ajo që thua, ata do vazhdojnë të investojnë. Nëse i thua se shumë shpejt do kalojmë në euro, ai kalon që të nesërmen në euro. Kaq gjë e di çdo qeveritar i përgjegjshëm. Berisha jo, megjithëse ka 20 vjet që qeveris punët e këtij vendi herë në pushtet dhe herë në opozitë. Prandaj edhe në muajt e fundit të vitit 1996 "populli" vazhdoi të derdhte te "populli" qindra milionë të tjerë, duke shitur me dhen e me shtëpi, në ca skema financiare që do rrëzoheshin pak muaj më vonë. Hovi për të investuar në piramida do të qe fashitur sikur Berisha të kish dhënë një përgjigje tjetër, sikur të kish rrezatuar një frymë tjetër apo të kish dhënë një sinjal për më tepër kujdes dhe maturi. Dhe mund të matet shumë lehtë, me saktësi matematikore, sesa dëm financiar u ka shkaktuar deklarata e Berishës mbi "paratë e pastra" mijëra familjeve. I shkaktoi dëm edhe vetes dhe pushtetit të tij. Sepse po të mos i kish nxitur shqiptarët të investojnë në piramida me deklarata të tërthorta mbi pastërtinë e parave të tyre, edhe përmasat e krizës nuk do të kishin qenë ato që u shfaqën në mars 1997. Histori e vjetër? Aspak përsa kohë Berisha është aty duke lëshuar kohë pas kohe gurë marrokë deklaratash që, larg qoftë, mund t‘i detyrojnë përsëri të gjithë shqiptarët të hidhen në pus për t‘i nxjerrë. Si në vitin ‘97.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›