E Shtunë, 31 Tetor 2026

NE PRITJE TE LEHJES

1.
Tao quhet qeni im, një Shar-Pei, racë që gjatë Revolucionit kulturor kinez ishte para zhdukjes, i përndjekur nga Garda revolucionare për krimin politik, përkëdhelje nga familja perandorake në cilësinë e racës zyrtare.
Në fund të të gjashtëdhjetave apo fillim të të shtatëdhjetave fillon kontrabandimi i Shar-Peit, fillimisht në Hong-Kong (që atëherë ishte nën administrimin kolonial britanik) e pastaj, për në Kanada dhe SHBA. Në Mileniumin e tretë, Shar-Pei do të popullarizohet botërisht, me atë 20 për qind të tepërt të lëkurës që ka, si qen reklame publicitare për çdo gjë të njomë, prej kremërave e deri te letra e tualetit.
Mbërriti edhe në film. Në dy skena të "Amerikanit të qetë" (The Quiet American) , një Shar-Pei arrin që me prezencën e vet aziatike t‘i japë shije plotësuese sharmit kolonial të Saigonit, në fund të luftës vietnameze me francezët dhe pa filluar atë me amerikanët.
Në njërën prej dy skenave do të lehë, duke shkaktuar reagimin e Taos, një lehje të tij këtej ekranit filmik.
Në tërë historinë e tyre të gjatë, të Taos që nëpërmjet ekzileve, kontrabandës dhe modës së Mileniumit të Tretë do ta shpinte në Prishtinë, e të Shar-Peit tjetër, yllit filmik që do të duhej të jepte patinën e vjetërsisë filmit; pra, përtej rrëfimeve për Revolucionin kulturor, afinitetin perandorak për ta dhe afinitetin e Maos për të prerë koka, njerëzish e qensh, të lidhura me Perandorinë - vetëm një moment do t‘i bashkojë këta të dy, vetëm lehja, ajo që do ta çojë Taon nga gjumi i cili ia rrudh tërë trupin si një peshqir i madh, e do ta sjellë afër ekranit, që të përgjigjet me një lehje tjetër, duke treguar me saktësi të prerë artikulimi se identiteti i tij është ai që është, i qenit, ndërsa krejt pjesën tjetër të identitetit të tij ia kemi ndërtuar ne të tjerët, sajuesit, dhe lexuesit e historisë.

2.
Rrëfimi për identitetin shkon përtej koincidencës të lehjes së dy Shar-Peive, njërit nga njëra anë, tjetrit nga ana tjetër e ekranit, apo nëse do, e realitetit.
Në "Amerikanin e Qetë", të filmuar sipas romanit të Graham Greene, autori trajton disa prej temave të tij të preferuara, që shikojnë nga një kënd ironie temat që kanë të bëjnë me identitetin. Aty është Alden Pyle, një intelektual i ri amerikan, i pasionuar me predikimet për "Rrugën e tretë" (as kolonializëm francez, por as komunizëm)që del të jetë në fakt agjent i shërbimeve sekrete amerikane me detyrë nxitje të një ushtrie autoktone të dëgjueshme për Washingtonin. Apo, Thomas Fowler, një gazetar britanik që raporton për luftën në Vietnam (quhej Indokinë asobote) dhe që zgjon interesimin e lexuesve të vet vetëm kur thyen iluzionin e krijuar deri atëherë, se lufta po fitohej nga të bardhët, jo nga të verdhët, dhe se të bardhët kishin filluar me masakra ndaj të verdhëve, luftëtarë apo civilë, njësoj.
Ata do të zbulojnë veten vetëm kur të zbulojnë njëkohësisht ku jetojnë, në një vend që është krejtësisht tjetër prej përshtypjes së krijuar jashtë, atje në metropolet e largëta. Pyle do të zbulojë se misioni i tij është i humbur kur të zbulojë njëkohësisht edhe vdekjen e Fowler se Indokina që ai ka njohur është tashmë e kaluara; se po vijnë kohët për të cilat duhet të shkruajë dikush tjetër.
Lufta po bëhej si lehja, gjuhë lehtësisht e identifikueshme për ata që gjenden në të. Të tjerat, pastaj, u bënë pjesë të identitetit që u ndërtuan nga të tjerët, sajuesit dhe lexuesit e historisë.

3.
Por, ndeshja e të vërtetës me atë metropolitane nuk do të jetë kund më e fortë për Graham Greene se "Njeriu ynë në Havanë" ("Our man in Havana). Në të, një shitës aspiratorësh, James Worwold do të rekrutohet për shërbimin e zbulimit britanik, gjatë kohës së diktaturës së Fulgencio Batistas në Kubë. Worwold, në mungesë aktiviteti spiunimi, fillon të shpikë rrjete agjenturash e veprime kundërspiunimi, deri te përshkrimi i një arme sekrete bërthamore që po ndërtohet në Kubë, e që e skicuar del të jetë inspiruar nga pjesët e aspiratorit.
Realiteti i Worwoldit në një moment merr kahe edhe më dramatike. Në Kubë do të marrë pjesë në aksione të rrezikshme, përfshirë vrasjen, me vetë faktin e të qenit agjent sekret. Në Londër, do të kuptojnë se është trillues, do ta ftojnë prapa, por për të mos e komprometuar Shërbimin e zbulimit, do t‘i japin një dekoratë, duke vërtetuar edhe një herë se gjuha e të vërtetave metropolitane është si lehja, lehtësisht e identifikueshme për ata që shërbehen me të. Të tjerat, pastaj, janë pjesë të identitetit që ndërtohen nga të tjerët, sajuesit e lexuesit e historisë, si puna e këtij Graham Greene.

4.
Pata drekë me shefin e UNMIK-ut në Prishtinë, Zannier, një diplomat italian me përvojë, që gjendet në një situatë që kisha ndjenjën e largët sikur të ishte sajuar nga Graham Greene. Për autoritetet kosovare, ai është thuajse një fantazmë; thuhet se është në qytet, por nuk e ka parë kush (apo nuk duhet parë). Kur shkon në Moskë apo takohet me diplomacinë kineze, ata i kërkojnë të bëjë gjëra, që ky nuk mund t‘i bëjë, siç është administrimi i vendit.
Herë pas here takohet me të dërguarin europian, Feith, që përfaqëson edhe vendet europiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por si Përfaqësues i lartë civil përfaqëson vendet që e kanë njohur pavarësinë dhe janë përgjegjëse për zbatimin e Planit Ahtisaari. Brenda një fjalie, Feith do të thotë se përfaqëson edhe njërin mendim, edhe atë që është kundër mendimit të parë- Zannier do të thotë se është neutral, ndaj çdo njërit mendim.
Një pjesë të madhe të kohës e kalon duke udhëtuar. Ai dhe stafi i tij kanë gati përshkrim kryesor të vendit të punës përfaqësimin e Kosovës. Në takime shumëpalëshe, qofshin ato të Bashkimit Europian apo të Ballkanit Perëndimor, Zannier apo dikush nga stafi i tij do të ulet në tavolinën në të cilën shkruan UNMIK/Kosovo, do të bëjnë përshëndetjen fillestare protokollare dhe do t‘ia japin fjalën përfaqësuesit të Kosovës, Presidentit, ministrit apo ndonjë zyrtari tjetër, duke treguar se të gjitha janë të gatshme për formatin e Graham Greene, të ndërtuara nga sajuesit e lexuesit të historisë. Ajo që ende nuk është dëgjuar është ekuivalenca e lehjes, ajo pjesë e komunikimit që duhet të tregojë se çfarë është realiteti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›