EURO sërish në Kosovë
Në fillim të muajit maj, Kosova do të jetë nikoqire e Kampionati Evropian. Por, jo i sportit më të popullarizuar në botë, por garave të futbollit për robotë, ‘Euroby 2011’.
Në fakt, kjo është hera e dytë që Federata e Evropiane e Futbollit për Robotë (FIRA) vendos që kjo garë të zhvillohet në Kosovë, pasi edhe në vitin 2009 vendi ynë ishte nikoqir i Kampionati Evropian për robotë.
Ky eveniment do të mbahet në Prishtinë, prej 3 deri më 6 maj. Ky kampionat do të organizohet nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), dhe do të zhvillohet në objektin e këtij institucioni, i cili gjendet në kryeqytet.
Në këtë kampionat pritet të marrin pjesë skuadra të ndryshme nga vende evropiane, si nga Austria dhe Gjermani.
Drejtori i përgjithshëm i UBT-së dhe i ekipit kosovar që do të marrë pjesë në këtë evropian, Edmond Hajrizi është shprehur i kënaqur, pasi vendi ynë do të jetë për të dytën herë nikoqir i këtij kampionati dhe është shteti i vetëm në regjion që organizon Kampionat Evropian të futbollit për robotë.
“Jemi të vetmit në rajon që kemi ekipe të tilla dhe jemi të vetmit që organizojmë gara të tilla. Besoj se kësaj radhe ky kampionat do të jetë më mirë i organizuar nga ai i vitit 2009, pasi kemi bërë një përvojë, kemi një infrastrukturë të mirë nga ai kampionat, ndërsa tani i kemi bërë edhe disa improvizime të tjera”, tha Hajrizi në një konferencë për media të mbajtur në këtë institucion arsimor.
“Ne synojmë që këtë dije dhe këtë përvojë ta përcjellim vazhdimisht në gjeneratat e reja. Ky kampionat besoj se do të jetë motiv edhe për të rinjtë tanë që studiojnë teknologjinë”, u shpreh ai.
Hajrizi tha se në kuadër të këtij evenimenti do të luhen edhe disa lojëra të futbollit me robotë, të cilët i emitojnë lëvizjet e njeriut.
“Me këta robotë, kemi një projekt që deri në vitin 2050 ta mposhtim Barcelonën. Por tani jemi vetëm në fazën e eksperimenteve”, tha ai.
Kurse, trajneri i ekipit kosovar që do të garojë në këtë kampionat, Bertan Karahoda tha se janë bërë disa ndryshime në UBT-Kosova, pasi në këtë ekip janë vetëm dy anëtarë nga ai i vitit 2009.
Ndërsa, anëtari i këtij ekipi, Sherif Hyseni u shpreh të jetë i nderuar që do ta përfaqësojë UBT-Kosovën në ‘Euroby 2011’. Udhëheqësit e ekipit kosovar shpresojnë që në këtë eveniment ta befasojnë futbollin evropian të robotëve.
Zyrtarët e Universitetit për Biznes dhe Teknologji thanë se synim i tyre mbetet që në të ardhmen ta organizojnë edhe Kampionatin Botëror të futbollit për robotë, në të cilin do të merrnin pjesë edhe ekipe të tjera shumë cilësore edhe nga kontinentet e tjera.
Rregullat e lojës
Futbolli i robotëve zhvillohet duke përdorur robotët e programuar, të cilët lëvizin, apo thënë ndryshe, janë robotë gjysmëinteligjentë, që veprojnë së bashku në mënyrë kooperative.
Sipas rregullave, robotët nuk guxojnë të jenë më të mëdhenj se 7.5 cm dhe të kenë shpejtësi më të madhe se 12 km/h. Një ekip i futbollit të robotëve duhet t’i ketë dymbëdhjetë lojtarë, prej të cilëve njëmbëdhjetë luajnë, kurse një duhet të mbetet si rezervist.
Një nga robotët është portier, kurse të tjerët janë sulmues. Një ndeshje futbolli e robotëve zgjat dy herë nga pesë minuta. Nëse ndonjëri robot dëmtohet gjatë zhvillimit të ndeshjes, atëherë loja ndërpritet në pauzë, derisa i dëmtuari të largohet nga fusha.
Mirëpo, përveç dueleve me nga njëmbëdhjetë robotë, luhen edhe lojë të niveleve tjera, si me nga pesë dhe shtatë robotë. Edhe për këto nivele, rregullat e lojës janë të njëjta.
Citat: “Me këta robotë, kemi një projekt, që deri në vitin 2050 ta mposhtim Barcelonën. Por tani jemi vetëm në fazën e eksperimenteve”
Edmond Hajrizi, president i UBT-së