E Shtunë, 31 Tetor 2026

Peja vëzhgohet me kamera

Nga Express më 30 prill 2011 në ora 15:17

Së shpejti, Peja do të jetë qyteti i parë në Kosovë që do të monitorohet 24 orë “online” nga kamerat që do të vendosen në 23 pika kryesore të rrugëve, projekt ky i Komunës në vlerë 100 mijë euro.

Rastet e shumta të ngatërresave të personave të ndryshëm dhe incidente të tjera të shkaktuara nga ngasja e pakontrolluar e automjeteve duke e rrezikuar jo rrallë jetën e qytetarëve, grabitjet e lokaleve dhe shumë incidente të tjera kanë shtyrë pushtetin lokal të Pejës që të aprovojë një projekt, i cili pretendon të mbikëqyrë rrugët më të frekuentuara në qytet.

Sipas Zeqir Kelmendit, zyrtar për informim pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë (DRP), vendosja e kamerave është një lehtësi e madhe për policinë, ngase, në radhë të parë e ka efektin e parandalimit dhe të preventivës, duke ndikuar te delikuentet e mundshëm që të jenë të kujdesshëm me sjelljen e tyre në qytet.

“Projekti do të mundësojë që krimet eventuale të çfarëdo natyre të zbulohen më shpejt. Thyerjet e lokaleve, objekteve afariste dhe private, vjedhjet e natës, tejkalimet e shpejtësisë, parkimet e ndaluara, dëmtimi i pronës publike, rrahjet si dhe konfliktet me
armë, me aplikimin e kamerave shtojnë mundësinë e efikasitetit të punës së Policisë, që është shumë e rëndësishme për ruajtjen e rendit”, ka thënë Kelmendi.

Projekti i Komunës së Pejës, i cili do të futet në funksion së shpejti, është i pari në Kosovë, pasi asnjë qytet nuk ka mbulesë me kamera përveç zonave para disa institucioneve me rëndësi.

Ky projekt do të realizohet me bashkëpunim të përbashkët të Urbanizmit, Shërbimeve Publike dhe Policisë, pasi secili mund t’i shfrytëzojë ato në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe ndjekjen dhe luftimin e krimit. Komuna tashmë ka ndarë buxhetin për realizim të plotë të këtij projekti, në vlerë 100 mijë euro.

Projekti do të realizohet në faza, ndërsa tashmë janë përcaktuar 23 pika të lokacioneve të ndryshme ku do të vendosen kamerat.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›