Më 4 maj, në grevë
Shërbyesit shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të premten kanë bërë të ditur se më 4 maj do të mbajnë një grevë njëorëshe dhe kjo pasi kujdestaritë e muajit mars i kanë marrë me zbritje në pagë.
Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemail Selmani në një konferencë për media tha se mjekët nga 17 euro që janë paguar për kujdestari, me zbritje ato i kanë marrë në 11 euro, ndërkaq stafi i mesëm siç janë infermierët, nga 11 euro sa janë paguar, u ka rënë t’i marrin vetëm nga 4 euro.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës (FSSHK) që në strukturë të saj përbërëse është edhe Sindikata e QKUK-së, përkrah fuqishëm vendimin e Këshillit Drejtues të kësaj sindikate mbi protestën njëorëshe, e cila do të mbahet më datën 4 maj, pranë Klinikës së Kirurgjisë. Sindikalistët e QKUK-së thanë se nëse protesta e majit nuk i ngre pagat e kujdestarisë, atëherë do të vendoset për një grevë, ku në të do të marrë pjesë edhe stafi i Emergjencës.