E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkurueshmëria tatimore dhe tatimi i sheshtë

Autori i Lajmit: Agim Mahmuti
Konkurueshmëria tatimore në të njejtën kohë paraqet edhe mundësi, edhe rrezik. Tatimet më të ulëta mund ta stimulojnë biznesin dhe, në kushte të drejta, t i rrisin të ardhurat tatimore. Në qoftë se ulen shumë, ata mund të jenë të dëmshme për të hyrat tatimore dhe t i rrezikojnë të mirat publike sikur që janë: infrastruktura, arsimi dhe shëndetësia. Në vendet relativisht të varfëra, përfshirë një numër të vendeve të Evropës jug-lindore, e kotë do të ishte pritja që këto të mira të furnizohen vetëm nga sektori publik. Sa vjen e më shumë po diskutohet për rolin e partneriteteve publiko-private (public-private partnership) në zhvillimin e infrastrukturës së Ballkanit.
Konkurueshmëria tatimore në vendet e BE-së
Numri më i madh i vendeve në tranzicion u mbështetën në politikën fiskale si mjet i mundshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte (IHD). Për këtë qëllim, në vitet e 90-ta, vendet nga Evropa qendrore përdornin lirime të përkohshme nga pagesa e tatimeve dhe stimulime të tjera fiskale. Ndikimi pasues mbi vëllimin dhe shumën e të hyrave të kapitalit, ndihmuan në nryshimin e këtyre ekonomive dhe në përmirësimin e konkurueshmërisë së tyre. Edhe pse investitorët shpesh i theksojnë burokracinë dhe korrupsionin si barriera për ekspansion të ekonomisë, me rëndësi është edhe politika fiskale. Shembull për atë se sa të rëndësishme mund të jenë politika fiskale dhe konkurueshmëria tatimore, është suksesi i Sllovakisë që ta bind Hundai-n të investojë në një projekt të madh automobilistik. Vendi në mënyrë të “nxehtë” garonte me vendet fqinje, duke kombinuar rroga relativisht të volitshme me mjete impresive finansiare. Ky shembull mund të shqyrtohet nga dy pika vrojtimi. Njëra është në raport me pranimin e dhjetë vendeve të reja anëtare, duke përfshirë tetë vendet ish komuniste, në BE. Edhe pse aderimi në BE i detyron vendet-anëtare të unifikojnë legjislacionin, megjithatë, ka fusha ku të drejtat nacionale mbeten të një rëndësie të veçantë, dhe kjo rezulton me dallime të dukshme edhe kur parimet e përgjithshme politike janë të njëjta. Konkurueshmëria tatimore është një fushë e tillë. Pika e dytë e vrojtimit ndërlidhet me aftësinë e qeverisë që ta shfrytëzon politikën fiskale me qëllim që ta ndihmojë ekonominë. Disa vende të reja anëtare në BE i ulin tatimet deri në atë shkallë, ashtu që vendet më të hershme anëtare flasin për “konkurrencë jo te ndershme”. Sllovakia zbatoi kuotë për tatim personal të të hyrave (19 përqind), duke imituar modelin të cilin vendet baltike e testonin me vite. Kohë më parë në Poloni dhe Hungari kishte ulje të tatimit në të ardhura. Politika e këtyre dy vendeve nga Evropa qëndrore shkaktoi reaksione të ndryshme tek vendet më të vjetra anëtare të BE-së. Austria, për shembull, vendosi se duhej të shfaqet me një politikë të ngjashme me qëllim që të ndërpresë derdhjen e mundshme të kapitalit.
Tatimi i sheshtë
Tatimi i sheshtë (apo “Flat Tax” në gjuhën angleze) është tatim me normë të unifikuar tatimore ose tatim proporcional, ashtu si edhe thiret, e tatimon të hyrën e përgjithshme të një personi, familje ose kompanie me një normë të njëjtë të kamatës. Zakonisht vlen për tatimimin e të hyrave, por në raste të caktuara mund të zbatohet në tatimimin e konsumit. Tatimi i sheshtë, së pari është aplikuar pas revolucionit francez edhe atë mbi klerët të cilët deri atëher nuk kishin paguar tatime, që konsiderohet edhe si shkas për vetë revolucionin. Gjatë shekullit 19 e aplikojnë thuajse të gjithë vendet evropiane, deri pas Luftës së parë botërore kur e zëvendësojnë me tatimin progresiv në të hyra, si mënyrë e vetme që të rriten të hyrat tatimore për rindërtimin e vendeve pas mbarimit të luftës së parë dhe që të furnizohen me armë për Luftën e dytë botërore.Pas një pushimi të gjatë tatimi i sheshtë filloi që të ridalë në skenë, edhe atë para ca vitesh në vendet e Evropës Lindore, veçanarisht në vendet baltike.
Përparësitë e tatimit të sheshtë
Ky është një sistem efikas, përshkak se tërë e hyra, tatimohet në burimin e saj d.m.th. tek prodhuesi respektivisht dhënësi i shërbimit. Prej këtu rjedh edhe thjeshtësia e sajë. Për dallim nga ligji për TVSH, tatimi i sheshtë nuk kërkon burokraci të madhe dhe organe tatimore voluminoze. Përparsia e madhe e tatimit të sheshtë është që e destimulon evazionin tatimor përshkak të thejshtësisë ajo më së lehti zbulohet. Gjithashtu, ekspertët ekonomik theksojnë edhe impaktin pozitiv të tatimit të sheshtë mbi ekonominë, veçanërisht në tërheqjen e investimeve të huaja. Me inkuadrimin e këtij lloj tatimi, ekonomia informale parashikohet të tkurret, ndërsa bizneset do ta kuptojnë që përfitimet e shmangies ndaj detyrimeve financiare janë të vogla, krahasuar me rreziqet. Një gjë e tillë e bën këtë tatim më efikas në realizimin e të hyrave buxhetore. Për këtë si rast tipik përmendet Federata Ruse, ku në vitin e parë të aplikimit të këtij tatimi të hyrat reale tatimore u rritën për 25 për qind.
Dobësitë e tatimit të sheshtë
Por nuk është gjithçka aq e bukur. Analizat tregojnë se tatimi i sheshtë e ndryshon strukturën e buxhetit në anën e të hyrave në “llogari” të obliguesve të vegjël tatimor, që është e kuptueshme për shkak se zvoglim më të madh ka tek obliguesit që tatimoheshin me normë të lartë. Më thjeshtë, buxheti më së tepërmi do mbushet nga të varfërit se sa nga të pasurit. Për këtë shkak kundërshtarët e tatimit të sheshtë thonë se është manipulim ky tatim të prezentohet si i drejtë dhe social, për shkak se ngarkesën e tatimimit e hudhë në klasën e ulët dhe të mesëm, kurse i shkarkon të pasurit. Ky tatim është jo i mirë edhe për arritjen e disa qëllimeve politike dhe përkrahje të një kategorie të caktuar të qytetarëve, për shkak se nuk parasheh lehtësira tatimore. Si një dobësi e madhe e tatimit të unifikuar llogaritet edhe jofleksibiliteti i tij kah importi dhe eksporti. Për dallim nga TVSH-ja, ky tatim bazohet në të hyrat, kështu që komponenta tatimore është e ndërtuar në çmimin e prodhimit apo shërbimit. Kjo do të thotë se prodhimet e vendit do të jenë më të shtrejta në raport me ato të importuarat të cilave TVSH-ja u refondohet gjatë eksportit nga vendet e tyre. Gjithashtu, prodhimet e vendit që eksporton jashtë do të bëhen më të shtrejta, dhe kjo nuk është një problem i vogël.Tatimi i sheshtë është zbatuar kryesisht nga vendet lindore, ndërkaq në ato perëndimore, kur është cekur si temë, ka hasur në kundërshtime të forta (rasti i Gjermanisë, Spanjës etj.). Statistikat nga ato vende që kanë adoptuar këtë taksë flasin në përgjithësi, për luhatje në nivelin e të ardhurave në buxhetin e shtetit para dhe pas taksës. Sipas studimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar: “The “Flat Tax(es)”: Principles and Evidence”, (Michael Keen, Yitae Kim, and Ricardo Varsano), rezulton se disa nga vendet që e kanë futur këtë taksë gjatë 12 viteve të fundit – duke përfshirë disa vende Baltike, si dhe Sllovakinë dhe Rumaninë, mund të detyrohen ta braktisin këtë skemë. Vlerësimi thekson se skemat ekzistuese në tetë vende të Evropës Lindore, “ndryshojnë tërësisht” nga njëra-tjetra dhe që “provat empirike të efekteve të tyre, janë shumë të kufizuara”. Gjithashtu, thuhet se nuk ka një rregull fiks, sipas të cilit, futja e një skeme të taksës së sheshtë, do të sillte rritje apo do të kishte pajtim më të mirë me zbatimin e ligjeve fiskale.Sipas autorëve të studimit, “çka mbetet e paqartë, është qëndrueshmëria e taksës së sheshtë. Nga pikëpamja strukturore, tatimet e sheshta që janë përshtatur deri më sot, nuk sigurojnë një bazë koherente ndaj vështirësive që shumica e vendeve provojnë sot, në taksimin e të ardhurave kapitale që lëvizin nga vendi në vend”. Disavantazhi kryesor ekonomik i këtyre skemave, është që ato kanë sjellë efekte, shpesh jo të mira mbi ndërmarrjet më të vogla. “Planifikimet e politikave ekonomike, përgjithësisht priren drejt përshtatjes së normave, prej të cilave parashikohet të mbështesin subjektet që përfitojnë në një nivel të mesëm: ekzaktësisht grupi që rrezikon më shumë humbje nga përshtatja e valës së dytë të tatimeve të sheshta”, theksojnë autorët. Studimi vëren faktin se ka një marketing të tepruar ndaj tatimeve të sheshta: “Një pikë shqetësuese në diskutimin mbi taksën e sheshtë lidhet me faktin se është më tepër e lidhur me retorikën dhe nxitjen apriori se sa e mbështetur në analizë dhe argumente”. Autorët janë të mendimit se kjo prirje mund të shënojë shkatërrimin e skemave: “Vetë përhapja e tatimit të sheshtë në vetvete, dobëson vlerat e saj, pasi bëhet shumë e lehtë për t u imituar”.
Kokluzione
Edhe pse shumë prej teoriticientëve ekonomik nuk pajtohen në drejtim të çështjes se sa është e drejtë shfrytëzimi i lehtësimeve tatimore në tërheqjen e investimeve të huaja direkte, praktika tregoi se pikërisht ato lehtësime ndikuan që shumë vende në zhvillim të realizojnë rritje të qëndrueshme të investimeve direkte të huaja. Përgjithësisht, nga kritikët e sajë, tatimi i sheshtë cilësohet si një masë krejt e kundërt me filozofinë e Robin Hudit, pasi u “merr para të varfërve për t ua dhënë të pasurve”.
E përkthyer në një mënyrë më ortodokse, tatimi i sheshtë shkon kundër filozofisë së tatimit progresiv, sepse përdor formulën “një kapelë u shkon të gjitha kokave”, në një kohë që sipas variantit progresiv të tatimit, sa më shumë të ardhura sigurohen, aq më shumë para paguhen edhe në vlerë relative (edhe në përqindje përveçse cash ), çka përkthehet në më shumë detyrime monetare ndaj shtetit. Ndërkaq, në rastin konkret, në përqindje, këto detyrime janë të njëjta për të gjithë taksapaguesit.Duke qenë se rezultatet e tatimit të sheshtë, në vende të ndryshme kanë dhënë rezultate të ndryshme, debati ka marrë më së shumti një orientim filozofik. Mbrojtësit e tatimit të sheshtë shprehen se kjo masë shmang diskriminimin, pra nëse dikush është i aftë të fitojë më shumë para, nuk ka pse të “penalizohet”. Ndërkaq, kundërshtarët e sajë shprehen se kjo masë shkon kundër moralit social dhe godet më të dobëtit. Në fakt, edhe pse në rastin e tatimit progresiv kemi të bëjmë me një diskriminim të qartë, jo domosdoshmërisht diskriminimi përbën një argument, pasi ky term në vetvete nuk paraqitet domosdoshmërisht me konotacion negativ.
*Autori është magjistrant (MSc) i studimeve ekonomike evropiane
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›