E Diel, 1 Nëntor 2026

Uashington Post: “Shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë zhvillimin e tyre si një shtet i vetëm komunist”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Judith Listoëel
Uashington Post, korrespondent i shërbimit të jashtëm të “London Financial Times”

24 tetor 1968. Tiranë, Shqipëri – Vendi më i vogël dhe më pak i zhvilluar ndër shtetet komuniste në Evropë, ka arritur shumë këto 20 vitet e shkuara. Megjithatë, çmimi ka qenë i lartë. Populli i Shqipërisë, vendit ku komunizmi ka ndjekur gjurmët e traditës së vjetër staliniste, i është ndërprerë çdo lidhje me pjesën tjetër të botës. Që prej vitit 1944 dhe më pas, Enver Hoxha dhe dishepujt e tij, e kanë drejtuar vendin në linjat e komunizmit stalinist. Në atë kohë popullsia e kryeqytetit Tiranë, u rrit nga 30.000 në 200.000 banorë. Edhe pse të trishtuar dhe të pazhvilluar fizikisht, tiranasit vishen mirë po të krahasohen me banorët e rreckosur të zonave rurale. Popullsia e Shqipërisë po arsimohet. Nga 20 për qind në vitin 1944, tanimë gjysma e popullsisë di shkrim dhe këndim. Arsimimi është i detyrueshëm për tetë vitet e para të shkollës; janë ndërtuar shkolla të mesme, një universitet në Tiranë dhe një shkollë teknike në Shkodër. Të gjitha këto janë pa pagesë. Edhe shërbimi mjekësor është falas gjithashtu. E gjithë toka është kolektivizuar, ndonëse çdo fshatari i lejohet të shfrytëzojë një gjysmë akër tokë. Në të gjithë vendin ka 22 ferma shtetërore dhe një numër “fermash malore”, të cilat përdoren për punë pylltarie. Ushtarët në uniforma të zhubrosura, që duken si të burgosur sovjetikë lufte në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore, bëjnë një pjesë të mirë të kësaj pune. Dhe këtë fakt, një qytetar i këtij vendi e shpreh kështu: “Të mbash një ushtri është një gjë shumë e kushtueshme. Neve na nevojitet një e tillë dhe ushtarët duhet të justifikojnë mbajtjen e saj. Pjesa më e madhe e shtëpive të fshatarëve, janë pak më të mira se karakatinat, edhe pse shtëpitë e reja në fshatra janë të hijshme dhe solide. Fëmijët shqiptarë duken të shëndetshëm, por ata nuk buzëqeshin, as i përshëndesin turistët; disa prej tyre dhe i kanë pështyrë. Duke qenë se asnjë shqiptar nuk lejohet të udhëtojë jashtë kufijve të vendit, ata nuk ia kanë idenë në kuptimin e plotë të fjalës se si duket bota jashtë këtyre kufijve. Krenaria e regjimit shqiptar është industrializimi. Në këtë fushë, arritjet mund të admirohen. Në një uzinë prodhimi telash bakri, e pajisur me makineri të teknologjisë kineze, 90 për qind e prodhimit eksportohet dhe një pjesë e mirë e tyre shkon në Perëndim. Një e treta e fshatrave dhe 51 qytetet e këtij vendi janë tërësisht të elektrifikuar. Deri në vitin 1970, të gjitha zonat rurale të Shqipërisë pritet të kenë energji elektrike. Për sa u përket pagave, paga minimale mesatare është e barasvlefshme me 40 dollarë amerikanë. Por paga më e lartë mujore është 60 $ dhe atë e përftojnë vetëm ministrat. Megjithatë, duke qenë se shtëpitë, makinat dhe nevojat e tjera të qytetarëve të këtij vendi u sigurohen pa pagesë nga shteti, këto para mund të konsiderohen si para xhepi. Tatim mbi të ardhurat nuk ka. Të gjithë zyrtarët e vendit, që nga Kryeministri dhe nëpunësit poshtë tij, duhet të bëjnë një muaj punë krahu në vit. Gjithë këto arritje, por çmimi cili është?! Shqipëria është vendi më shumë i nënshtruar në Evropë. Indoktrinimi nis që në djep e përfundon në varr. Nuk ka as edhe një lloj lajmi nga bota e jashtme, përveç atyre që qeveria zgjedh për t u lejuar. Nuk ka gazeta veç atyre lokale dhe shumë pak njerëz kanë radio. Veç kësaj, nuk është e këshillueshme të dëgjosh transmetimet e huaja. Nën të tilla kushte izolimi, kjo lloj damkosje komunizmi po manipulon mendjet e shqiptarëve. Fotografitë e Hoxhës, portretet dhe statujat e tij janë kudo. Emri i tij me sloganet e përvetësuara, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shëmtojnë shpatet e maleve. Të vetmet që kanë arritur të ruajnë një farë pavarësie ishin kishat. Në këtë vend ka tri fe: myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Por pas prishjes me Rusinë në vitin 1962, Enver Hoxha duhet të mbështetej krejtësisht tek Kina e Maos. Për të ecur paralel me linjën e Revolucionit Kulturor, e vetmja gjë që Hoxha mund të ofronte ishte të asgjësonte kishat. Besohet se një kryepeshkop i kishës katolike, punon në një qoshe të një ndërmarrjeje shtetërore, por kjo nuk mund të konfirmohej. Letërsia për ligësinë e Bashkimit Sovjetik dhe rrethanat e prishjes me Moskën, u sigurohet pa para vizitorëve të vendit. Përveç fyerjeve dhe kundërfyerjeve, Tirana dhe Moska akuzojnë në mënyrë reciproke njëra-tjetrën për spiunazh, përgjimin e ambasadave, madje dhe për shpimin e gomave të makinave diplomatike. Shqipëria është zhvilluar materialisht këto 24 vitet e fundit. Kur udhërrëfyesi im i fundit, [asnjëri nuk ishte shumë i sjellshëm] më tha: “Shpresoj që të kthehesh pas 20 vitesh, për të parë atë që do të kemi arritur”, m u duk se e kishte me gjithë mend”.
10 vjet më vonë
Shqipëria, çmenduria e dukshme e së cilës fsheh dinakëri të madhe, u prish me Kinën pas 17 vitesh “miqësi të pathyeshme”, me shkakun e mosbesnikërisë ideologjike. Sinqerisht, këto veprime të Shqipërisë nuk është se na interesojnë shumë, por për sa kohë ky vend është më shumë një pajisje që tregon drejtimin e erës së pastërtisë ideologjike marksiste, ky veprim është një goditje ndaj Kinës. E vendosur pranë përjashtimit nga Partia Komuniste të zonjës radikale Mao, “brigadës së saj të katërt” dhe rehabilitimit të Ten Hsiao Pinit, ky vend thotë se Republika Popullore pas Maos, po qeveriset në përputhje me interesat amerikane. Zoti Ten, 73 vjeç, është një nga të paktët pinjollë të politikës kineze që qëndron dukshëm në krah të politikave të caktuara. Si një njeri i preferuar i të moderuarit të fundit, Çu En Lai, ai kërkon rritjet ekonomike ose për të qenë më të saktë, nuk do të lërë nevojat e etura të ekonomisë kineze t u nënshtrohen padrejtësisht interesave të tjera. Prandaj, me sa duket, ai do të paguajë disa njerëz më shumë, nëse kjo do ta ndihmonte për të rritur prodhimin; të blinte teknologji të huaj më të avancuar, madje pse jo të merrte edhe kredi për të zvogëluar përçarjet e fushatave ideologjike si ajo e “Revolucionit Kulturor” e kështu me radhë. Të tilla politika të moderuara kapitaliste, që kërkojnë marrëdhënie të mira me demokracitë e industrializuara, e zemërojnë Shqipërinë. Por kjo e fundit me standardin më të ulët të të jetuarit dhe një nga vendet me popullsinë më të vogël në Evropë, ka kërkesa krejt të kundërta nga ato të Kinës. Dhe ai slogani se si shkon Shqipëria, ashtu shkon edhe Kina nuk funksionon më. Zoti Ten dhe kolegët e tij duket qartë se kanë për qëllim të mos ndjekin rrugën e Shqipërisë. Tashmë ka një marrëveshje amerikane e përdorur nga ata që nuk kanë ndonjë simpati të madhe për Pekinin, e çfarëdo që të ketë ndodhur në të shkuarën, nuk ka më arsye për ta konsideruar Kinën si kërcënim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke lënë mënjanë Tajvanin, dy qeveritë nuk kanë mosmarrëveshje të tjera. Në vitet 70 frika e Kinës nga Rusia dhe perceptimi i SHBA-së se ajo do të përdorte Pekinin për t i bërë presion Moskës dhe të rriste stabilitetin në mbarë Azinë, solli ujdinë. Të dyja vendet ranë dakord të shtynin çështjen e Tajvanit që të shijonin frytet e bashkëpunimit në nivele të tjera. Këtu janë Pekini dhe Uashingtoni në këto momente. Ardhja në pushtet e Tenit, gjatë kohës kur lidhjet strategjike ekzistuese të Pekinit me Uashingtonin janë ndër më të fortat, konfirmon gjithashtu dhe interesin ekonomik e politik të Kinës. Kjo është më e mirëpritur, sepse vjen në një kohë kur trazirat post Maoiste në Pekin, kishin hedhur disa dyshime, nëse Kina donte me të vërtetë të vazhdonte përpjekjet Nikson-Mao për të përmirësuar marrëdhëniet kino-amerikane. Sekretari i Shtetit, Vance, po përgatitet të vizitojë Pekinin së shpejti, vizitë e cila do të jetë kontakti i parë i nivelit të lartë ndërmjet dy administratave të reja. Zoti Ten, i cili priti si Presidentin amerikan Nikson, ashtu edhe liderin e Partisë Hua Kuo-Fen, do të jetë atje në pritjen e Sekretarit dhe kjo është një shenjë e mirë.
Ky lajm është publikuar: 23/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›