E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i energjisë nuk do të ritet në 2011-n, ERE ia faturon KESH-it



Ervin KOÇI

Një lajm i mirë vjen për të gjithë shqiptarët, të cilët vitin tjetër nuk do të duhet ta paguajnë më shtrenjtë çmimin e energjisë elektrike. Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mos e rrisë çmimin e energjisë për konsumatorët shqiptarë vitin e ardhshëm, duke e lënë atë në kuotat e deritanishme. Pas një mbledhjeje të gjatë për shqyrtimin e propozimit të kompanive “CEZ Shpërndarje”, “KESH sh.a.” dhe OST-ë, për rritjen e çmimit të energjisë për të gjithë kategoritë e konsumatorëve deri në masën 12 për qind, ERE ka vendosur që çmimi të mbetet i pandryshuar. Por Enti edhe pse nuk i ka plotësuar kërkesën CEZ-it në kurriz të konsumatorit shqiptar, ia ka kompensuar kësaj kompanie humbjet duke i ulur çmimin që ajo e blen energjinë nga KESH-i. Sipas vendimit të djeshëm të ERE-s, “KESH-i do ta ulë çmimin e shitjes së energjisë për CEZ-in, për shkak të performancës së tij të mirë financiare”.

Vendimi
ERE mori dje vendim që të qëndrojë në fuqi çmimi mesatar i energjisë elektrike, ai me 9.53 lekë për kv/orë. Po kështu ERE vendosi që në fuqi të qëndrojë dhe fasha për konsum deri në 300 kv/orë, mbrojtëse për shtresat e varfra, duke hedhur poshtë kërkesën e operatorëve që fasha të hiqet. Sipas ERE-s, “çmimi për familjarët do të qëndrojë 7.7 lekë deri në 300 kv/orë, kurse mbi 300 kv/orë çmimi do të bëhet 13.8 lekë”. ERE vendosi gjithashtu që për furrat e bukës dhe prodhuesit e miellit, çmimi të jetë 7.6 lekë për kë/orë, për shërbimet e tregtinë 12.2 lekë kv/orë dhe për industrinë 10.8 lekë për kë/orë. KESH-i, OST-ja dhe “CEZ Shpërndarje” kërkuan që për vitin e ardhshëm të kishte një rritje të çmimit për konsumatorët me 12 për qind. E thënë ndryshe, nga 9.53 lekë për kilovat orë që është aktualisht, çmimi mesatar i energjisë propozohej që të rritej në 10.67 lekë për kilowat/orë. Kompania “CEZ Shpërndarje” e argumentoi kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë me argumentin se duhen kryer investime, ndërkohë që humbjet mbeten të larta për shkak të vjedhjes së energjisë nga një pjesë e konsumatorëve.

Protesta
Vendimi unanim i marrë dje nga ERE kundër rritjes së çmimit të energjisë erdhi paralelisht me protestat jashtë dyerve të Entit, nga sindikatat që kundërshtonin këtë rritje të propozuar nga operatorët e energjisë. Ashtu siç kishin njoftuar, sindikalistë, shumë organizata nga shoqëria civile dhe qytetarë u shprehën dje kundër rritjes së energjisë me anë të një proteste që zhvilluan pikërisht para institucionit të ERE-s, aty ku dhe u caktua vendimi përfundimtar pas kërkesave nga kompanitë që menaxhojnë energjinë elektrike në Shqipëri. Dhjetëra protestues kërkuan anulimin e vendimit, pasi siç thanë ata, kjo kërkesë është absurde në kushtet ku jetojnë shqiptarët. Fiqiri Xibri, i sindikatës së minatorëve u shpreh se, protesta po bëhet në emër të dhjetëra mijëra qytetarëve që nuk kanë kurajë të protestojnë. “Jam i bindur që asnjë shqiptar nuk e dëshiron këtë rritje drastike të çmimit të energjisë. Pas kësaj do vijojnë të rriten të tjera produkte të shtrenjta në vend, do jetë e papërballueshme për konsumatorin”,- tha Xibri

BOX///////////////////////////////
Meta: ERE vendosi me profesionalizëm mbrojti konsumatorin

Në një konferencë për mediat, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ilir Meta ka folur për vendimin e fundit të Entit Rregullator të Energjisë, për të mos rritur çmimin e energjisë, pas kërkesës së “CEZ Shpërndarjes”, KESH-it dhe OST-së. Sipas ministrit Meta, “ERE mbrojti konsumatorin, dhe ky ishte një vendim i marrë me profesionalizëm”. Ndër të tjera, Meta theksoi se, edhe qeveria ka si prioritet mbrojtjen e konsumatorit. "Mbrojtja e interesave të konsumatorit do të vazhdojë të jetë prioritet i qeverisë",- tha Meta. Sipas tij, vendimi i ERE-s merr parasysh kërkesat e konsumatorëve familjare dhe tregon integritetin e Entit. Numri dy i qeverisë, duke folur për gjendjen e fundit të krijuar nga përmbytjet deklaroi se situata është e vështirë në të gjithë rajonin. "Shkarkimet nga hidrocentralet kanë qenë të detyrueshme dhe janë bërë konform rregullores. Ato nuk kanë qenë faktor në situatën e përmbytjeve",- tha Meta.

Shkurt//////////////////////////////
Paketa fiskale, rritja e akcizës së cigareve sjell debate ne Komision

Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave është përfshirë edhe dje nga debate të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës, në lidhje me shqyrtimin e Paketës Fiskale për vitin 2011. Kanë qenë pikërisht diskutimet mbi të ardhurat nga akciza e cigareve, e cila parashikohet që të rritet për vitin e ardhshëm, ajo që ka sjellë debate. Deputetët e opozitës kërkuan nga maxhoranca dhe përfaqësuesit e qeverisë që miratimi i paketës fiskale duhet të ishte bërë përpara miratimit të buxhetit të shtetit për vitin 2011, çka do të kishte përcaktuar me realizëm planifikimin e të ardhurave. Akciza e cigareve e propozuar nga Ministria e Financave parashikohet që të rritet vitin që vjen dhe të shkojë në 70 lekë për paketë nga 50 lekë që është aktualisht, pra me një rritje 20 lekë. Efekti pozitiv në rritjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit nga kjo taksë, pritet që të jetë rreth 2.8 miliardë lekë. Por kjo gjë ka sjellë edhe debate te opozita, e cila ka pretenduar se qeveria e rriti përpara një viti këtë taksë. MF-ja e ka justifikuar këtë rritje si një stimulim që ajo po i bën ligjit për ndalimin e duhanit në vend. Statistikat tregojnë se aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 900 mijë konsumatorë të cigareve të cilët gjatë një viti llogaritet që të pinë mbi 6 mijë ton duhan, ndërkohë që konsumi i cigareve në vend po njeh çdo vit rritje.

Informatizimi i administratës, Shqipëria marrëveshje me Austrinë

Ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ambasadori austriak në Tiranë, Florian Raunig, nënshkruan dje marrëveshjen për një kredi të butë në vlerën 40 milionë euro, që qeveria austriake jep për realizimin e disa projekteve në kuadër të programit “E-Goverment”. Ministri Bode falënderoi qeverinë austriake për ndihmën dhe theksoi rëndësinë e projekteve që do të realizohen falë këtyre kredive. Me këtë kredi synohet të modernizohen dhe të bëhen dixhitale tre nga fushat që janë ende problematike në funksionimin e qeverisjes siç janë: 1) Administrata Tatimore, 2) Do të realizohet modernizimi i gjithë sistemit shëndetësor në Shqipëri, informatizimi i tij duke mundësuar realizimin e regjistrit të kontribuuesve, pajisjen me karta dhe lidhjen on-line të administratës së ISKSH-së me atë të ISSH-së. 3) Do të mundësohet dhe modernizimi i sistemit të Regjistrit të Pronave, si një nga çështjet më problematike dhe me ndjeshmëri të lartë për vendin. Ministri Bode, tha se ky hap vjen pas bashkëpunimit shumë të mirë dhe të suksesshëm me palën austriake në zbatimin e projektit të Regjistrit të Gjendjes Civile, i cili shërbeu si bazë në regjistrimin e popullsisë dhe lëshimin e pasaportave biometrike. Ndërkohë ambasadori Raunig, ka theksuar se pas një bashkëpunimi shumë të suksesshëm dhe të frytshëm me qeverinë shqiptare, qeveria austriake vendosi për lëvrimin e kësaj kredie për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›