Fond special për emergjencat, opozita kërkon rishikim të buxhetit 2011
Ervin KOÇI
Punimet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave janë shtyrë dje ku në rend të ditës ka qenë diskutimi për taksat doganore që pritet të ndryshojnë me fillimin e vitit 2011. Por kërkesa e opozitës për rishikim të buxhetit të vitit të ardhshëm, ka bërë që kjo mbledhje të mos zhvillohej duke e shtyrë seancën në komision. Opozita ka kërkuar rishikimin e buxhetit të vitit 2011 nisur nga situata më e fundit e përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nëpërmjet rishikimeve në buxhet, opozita ka kërkuar një ndryshim ose një shtim të fondit të emergjencave, si dhe një ndryshim në fondin e investimeve për rehabilitimin e kanaleve në zonat që rrezikohen çdo vit nga përmbytjet. Por duket se maxhoranca nuk ka qenë dakord me këto kërkesa, ku si pasojë e kësaj mendohet se ka qenë edhe moszhvillimi i mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ekonomisë.
Refuzimi
Kërkesës së bërë disa ditë më parë nga Kryetari i PS-së, Edi Rama për një rishikim të buxhetit të vitit 2011 në Parlament, për fondet dhe investimet për zonat që preken nga përmbytja, si dhe argumentit se opozita ishte gati ta votonte unanimisht këtë ndryshim, maxhoranca i është përgjigjur me heshtje. Por disa deputet të maxhorancës, si dhe ekspert të ekonomisë kanë shkuar edhe më tej duke e konsideruar rishikimin e buxhetit tashmë të votuar parimisht në kuvend, si të pamundur. “Edhe pse fatura e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit në zonën e Nën-Shkodrës nuk ka dalë akoma, një ndërhyrje në buxhet është e pakuptimtë”,- ka deklaruar deputeti i PD-së dhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Selami Xhepa. Sipas tij, financimi i dëmeve për këto zona do të bëhet nga çelja e fondeve të posaçme ose do të mbulohet nga fondi i kontigjencave të qeverisë në buxhetin e këtij viti (2010).
Buxheti 2011
Përveç opozitës që e ka kërkuar me forcë këto ditë rishikimin e buxhetit, edhe komuniteti i biznesit ka qenë me kohë pro këtij vendimi. Ky komunitet ka kritikuar mënyrën sesi qeveria ka planifikuar të kryejë investimet publike vitin e ardhshëm. Në një analizë që Konfindustria dhe përfaqësi të tjera të biznesit në vend kanë bërë për buxhetin 2011, ka vlerësuar se në këtë draft parashikohet pjesëzim i theksuar të projekteve që do të financohen, çka rrezikon seriozisht uljen e efektivitetit, cilësisë, rritjen e shpërdorimit të parave publike në kushtet edhe të fushatës zgjedhore të afërme. Industrialistët argumentojnë se copëtimi i investimeve publike në një numër mjaft të madh projektesh të shtrirë në gjithë hapësirën gjeografike të vendit, për më shumë në kushtet e institucioneve publike kontrolluese mjaft të dobëta rrezikon, që të pakësojë ndjeshëm efektivitetin e investimeve dhe shpërdorim të parave publike.
Shkurt
Reforma në Sistemin e Inspektimit, METE diskuton projektligjin me bizneset
Zëvendësministri i Ekonomisë, Enno Bozdo, zhvilloi dje një takim konsultativ me organizatat dhe shoqatat e biznesit, gjatë të cilit u diskutua mbi projektligjin e Inspektimit. Ky takim u zhvillua në kuadër të reformës në sistemin e inspektimit, e cila është një ndër reformat për përmirësimin e klimës së biznesit. Takimi kishte në fokus vjeljen e mendimeve dhe opinioneve nga komuniteti i biznesit për ligjin. Përfaqësuesit e biznesit dhe grupeve të tjera të interesit të pranishme në takim, paraqitën vërejtjet dhe propozimet e tyre për përmirësimin e projektligjit. Komuniteti i biznesit tërhoqi vëmendjen për përfshirjen në projektligj të ndryshimeve që po ndodhin në legjislacion, në përgjithësi sipas fushave përkatëse. Gjithashtu, biznesi kërkoi që ky komunitet të përfshihet edhe në procedurat specifike të inspektimit në çek-list për çdo lloj inspektimi, etj. Nga biznesi u kërkua që në projektligj të përfshihet edhe roli i komunitetit të biznesit në vlerësimin e performancës për çdo inspektim apo inspektor, si dhe u kërkuan sqarime për një sërë parimesh që janë futur në këtë draft-ligj.
Çmimi i energjisë, ERE sot vendos për rritjen
Enti Rregullator i Energjisë do të bëjë publik sot vendimin për çmimin e energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe “CEZ Shpërndarje” kanë kërkuar për vitin e ardhshëm një rritje të çmimit për konsumatorët me 13 për qind. E thënë ndryshe, nga 9.53 lekë për kilovat orë që është aktualisht çmimi mesatar i energjisë propozohet që të rritet në 10.67 lekë për kilovat orë. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta ka deklaruar se, në vendimin që do të merret, do të synohet mbrojtja e konsumatorëve. CEZ ka kërkuar gjithashtu që të hiqet fasha e konsumit prej 300 kilovat orë, mbrojtëse për shtresat e varfra. Një tjetër propozim ky për të cilin Enti Rregullator do të shprehet sot. Kompania “CEZ Shpërndarje” e ka argumentuar rritjen e çmimit të energjisë me kryerjen e investimeve, ndërkohë që humbjet mbeten të larta për shkak të vjedhjes së energjisë nga një pjesë e konsumatorëve.
Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, vizitoi komunën e Trushit
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Ilir Meta, ishte dje në komunën e Trushit, ku u njoh nga afër me situatën e krijuar aty nga përmbytjet dhe me masat që janë marrë për tu ardhur në ndihmë banorëve. Në këtë vizitë, Meta shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe nga Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. Ministri Meta, u takua nga afër me banorë të komunës së Trushit dhe me punonjës ushtrisë, policisë dhe pushtetit lokal që prej ditësh po punojnë për të përballuar situatën e krijuar për shkak të përmbytjeve. Në prononcimin e dhënë për median, Meta bëri më dije se, “në komunën e Trushit sot u bë furnizimi për banorët me 800 pako ushqime dhe me 18 tonë ujë dhe shprehu sigurinë se, ky furnizim do të vazhdojë edhe në ditët që vijnë”. Në çdo zonë të izoluar për shkak të përmbytjeve, tha Meta, po vazhdojnë furnizimet për të plotësuar nevojat më jetike për banorët. Ai u shpreh se, situata paraqitet më e mirë se në ditët e mëparshme dhe deklaroi se, qeveria do të përpiqet që ta administrojë situatën.
7 Dhjetor 2010