E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i KLSH-së: Dogana e Tiranës nuk vjell gjobat e subjekteve



Ervin KOÇI

Numri i bizneseve debitorë në Doganën e Tiranës për mospagim të detyrimeve ose të gjobave, është rritur ndjeshëm. Kjo gjë konstatohet edhe në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka vënë re shumën e madhe të parave që subjektet private i detyrohen doganës, si dhe mosarkëtimin e detyrimeve nga kjo e fundit. Borxhet e biznesit në këtë degë doganore po vijnë duke u shtuar dhe në shumë pak raste shikohen ulje të detyrimeve. Në raportin e KLSH-së, vihet në dukje fakti i disa shkeljeve të kryera nga administrata për ndjekjen e procedurave të arkëtimit të gjobave. Ka mjaftë raste kur biznese që gjobiten në shuma të konsiderueshme, dogana nuk zbaton ligjin për vjeljen e tyre dhe të gjitha këto ndodhin në doganën e Tiranës. Nga të dhënat rezulton se, gjatë vitit 2008 borxhi doganor u shtua me 549 subjekte, me një vlerë prej rreth 573 milionë lekësh dhe u pakësua për 444 subjekte me një vlerë prej 283 milionë lekësh, me një diferencë pozitive për 105 subjekte dhe vlerë prej 290 milionë lekësh, ose me rritje në masën 18%.

Borxhi
Rritja e borxhit doganor për 105 subjekte me vlerë 290 milionë lekë, sipas KLSH-së, ka ardhur nga moszbatimi i legjislacionit doganor gjatë kryerjes së procedurave të zhdoganimit të mallrave, mungesa e kontrolleve të plota fizike, mospërcaktimi i saktë i vlerës së mallrave për qëllime doganore e deri te mungesa e mbikëqyrjes doganore të regjimeve ekonomike nga ana e autoritetit doganor kompetent. Një situatë më ndryshe paraqitet në vitin 2009. Sipas raportit, borxhi doganor është shtuar për 411 subjekte me vlerë rreth 364 milionë lekë dhe është pakësuar për 435 subjekte me vlerë rreth 273 milionë lekë me një diferencë në minus 91 milionë lekë, ose me pakësim në masën 5%. “Nga sa shihet më sipër gjendja e debitorëve nga njëri vit në tjetrin jo vetëm që nuk është pakësuar si vlerë, por përkundrazi është shtuar për vlerën prej 91 363 mijë lekësh, gjë e cila tregon punën jo të mirë të administratës doganore në arkëtimin e debitorëve”,- thuhet në raportin e KLSH-së.

Shkeljet
Gjatë viteve 2008 dhe 2009 borxhi doganor është përkeqësuar kryesisht nga zbulimi i shkeljeve doganore të konstatuara prej Departamentit Operativo-Hetimor dhe dega e Tiranës për katër subjekte të ndryshme (emrat nuk publikohen), në shumën e 285.986.727 lekëve. Inspektorët e KLSH-së, që kanë kryer kontroll gjatë inspektimit mars-qershor 2010, shkruajnë në raport se “Dogana e Tiranës nuk ka ndjekur si duhet rrugën për të mbledhur borxhet. Në tërësi janë thirrur bizneset me anë të adresave të tyre të shënuara në dokument dhe përmes listimit në vende publike, por një pjesë e mirë nuk i janë përgjigjur thirrjes së doganës. Disa të tjerë kanë ndërruar dhe emrin e shoqërive duke hapur shoqëri të tjera dhe duke i lënë shoqëritë debitore si shoqëri fantazma dhe duke i trajtuar si debitorë pa shpresë arkëtimi”,- tregon KLSH-ja.

Shkurt//////////////////////////////////////
INSTAT: Inflacioni rritet me 0.2 për qind në muajin nëntor

Çmimet e konsumit e për pasojë kostoja e jetesës pësojnë rritje për muajin nëntor. Instituti i statistikave ka konstatuar se në nëntor, inflacioni ka arritur në 2.8 për qind, duke shënuar një rritje prej 0.2 për qind kundrejt muajit të mëparshëm. Sipas përgjegjëses për çmimet pranë INSTAT-it, Hazbie Bunguri, çmimet e konsumit janë rritur me 0.2 për qind në krahasim me një muaj më parë, ndërsa inflacioni për muajin nëntor të vitit 2010 pëson një ulje me 0.2 për qind. Gjithashtu për muajin nëntor të këtij viti inflacioni është 2.8 kundrejt 3.0 për qind që ka qenë një vit më parë. Rritje më të madhe të çmimit për këtë muaj ka pësuar gazi i lëngshëm me rreth 5.8 për qind. Kjo për shkak të ftohjes së motit dhe përdorimit të gazit për ngrohje, si burim alternativ i energjisë elektrike. Nëngrupet të tjera që kanë pësuar rritje gjatë këtij muaji janë grupi ,”sheqer ëmbëlsira” i cili ka pësuar një rritje me 2.3 për qind,nëngrupi “zarzavate” shënoi rritje me 2.1 për qind. Ndërkohë që uljen më të madhe e ka pësuar nëngrupi i frutave me rreth 4.2 për qind. Gjatë muajit nëntor një rritje kanë pësuar edhe nëngrupe të tjera të ushqimeve ku veçojmë nëngrupin “vajra dhe hyndyrna” me 1.3 për qind dhe nëngrupi “qumësht djathë e vezë” me 0.5 për ind.

AMC, 10 vjet pjesë e Grupit COSMOTE

AMC, kompania numër një e telefonisë celulare në Shqipëri, festoi 10 vite të suksesshme si pjesë e Grupit COSMOTE. AMC ftoi në një pritje speciale, të organizuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, miq nga të gjitha fushat e jetës shoqërore për të ndarë së bashku arritjet e këtyre viteve. Të pranishëm ishin personalitete nga qeveria dhe politika, nga bota e biznesit dhe e medias. Mbrëmja filloi me fjalimin e zotit Stefanos Oktapodas, ish Drejtorit Ekzekutiv të AMC dhe njeriut që e drejtoi me sukses kompaninë gjatë këtij dhjetëvjeçari. Në fjalimin e përzemërt ai foli për një dekadë pune produktive që ndryshoi telekomunikimin në Shqipëri. Ai më pas prezantoi Drejtorin e ri Ekzekutiv, zotin Dimitris Blatsios, i cili në fjalën e tij tha, ndër të tjera, se “AMC ka qenë dhe do të jetë një kontribuese kryesore në plotësimin e nevojës primare sociale që është komunikimi”. Ai u shpreh për të ardhmen e AMC se “sfidat do t’i përballojmë me konsumatorin dhe
shoqërinë në fokusin tonë”. Zoti Dimitris Blatsios, para ardhjes në AMC, ka mbajtur postin e Drejtorit Komercial në GLOBUL, kompania bijë e COSMOTE në Bullgari, që në mars 2009, dhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm në “GERMANOS Telecom Rumani”, që në tetor 2006. AMC, gjatë 10 viteve të fundit, është lider në tregun e telekomunikacionit në Shqipëri, duke ofruar para një dekade cilësi në nevojat e përditshme të abonentëve për komunikim. E filloi me telefonata, SMS dhe MMS, për të vazhduar më pas me produkte dhe shërbime inovative, si portofoli i Business Solutions, interneti në celular dhe së fundmi Blackberry dhe iPhone. Gjatë gjithë kësaj kohe AMC ka dëshmuar jo vetëm vëmendjen që u kushton nevojave të abonentëve, por edhe vetëdijen mbi rëndësinë e respektimit të çështjeve sociale dhe mjedisore. AMC ka qenë shpesh në krye të përgjegjësisë sociale të koorporatës falë procedurave dhe veprimeve të ndërmarra brenda kompanisë, si dhe realizimit të projekteve në të mirë të grupeve të shoqërisë. 10 vitet e AMC si pjesë e Grupit COSMOTE kanë sjellë novacion dhe progres. E ardhmja do të sjellë sfida të reja, të cilat kompania është e gatshme t’i përballojë me sukses.

Albtelekom prezanton ofertat më te reja për të gjithë abonentët

Me “Albtelekom” të gjithë festojnë gjatë dhe ndajnë gëzimin bashkë. Gjiganti i telefonisë fikse sjell oferta fantastike për të gjithë pajtimtarët familjarë të telefonisë fikse, duke u mundësuar të flasin gjatë dhe lirë më të gjithë të afërmit e tyre jashtë Shqipërisë. Duke filluar nga data 1 dhjetor 2010 deri më 15 janar 2011 “Albtelekom” sjell çmime të pabesueshme për telefonatat ndërkombëtare. Përmes ofertës më të fundit me 8 Lekë për minutë, për thirrjet ndërkombëtare drejt Zonës 1 komunikimi me miqtë dhe të afërmit që ndodhen jashtë Shqipërisë është më i lehtë dhe më i lirë. Tarifa 8 lekë/minutë do të jetë e vlefshme për të gjitha thirrjet drejt operatorëve fiks në Greqi, Itali, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Angli, Gjermani, Francë, Turqi, Hungari, Kroaci, Zvicër dhe Bullgari. Të njëjtat tarifa do të jenë edhe për të gjitha thirrjet edhe drejt operatorëve Fiks dhe GSM në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Kjo ofertë do të jetë e njëjtë për të gjitha brezat orare, duke u mundësuar pajtimtarëve familjarë të komunikojnë më të afërmit e tyre në çdo orë dhe çdo kohë gjatë 24 orëve pa menduar për koston. Nga kjo ofertë përfitojnë edhe pajtimtarët e paketës “FOLFIKS1500”. Pasi të kenë konsumuar limitin e tyre prej 30 minutash, pjesë e ofertës “FOLFIKS1500” për thirrjet ndërkombëtare drejt Zonës I, pajtimtarët e kësaj paketë do të mund të flasin për 8 lekë në minutë. Për të përfituar nga kjo ofertë abonentët nuk kanë nevojë të kryejnë asnjë procedurë regjistrimi. Tarifat do të aplikohen automatikisht nga data 1 dhjetor 2010 deri në datë 15 janar 2011. Duke filluar nga data 16 janar 2011, me përfundimin e ofertës për të gjithë pajtimtarët familjarë, Albtelekom do të aplikojë tarifat standarde të Zonës I.

10 Dhjetor 2010

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›