Greva e 22 deputetëve, Fyle i telefonon Ramës dhe Berishës
Në kulmin e krizës politike në Shqipëri, komisioneri europian për Zgjerimin, Stefan Fyle, u ka telefonuar dje dy krerëve të politikës shqiptare, Berishës dhe Ramës. Gjatë bisedave telefonike Fyle u ka kërkuar palëve që të ndajnë përgjegjësitë dhe të zgjidhin sa më parë krizën politike në vend. Ai ka shtuar se situata në këtë mënyrë po shkon drejt përkeqësimit dhe kjo nuk është një shenjë e mirë për Shqipërinë, aq më tepër në një moment që KE-ja do të vendosë për liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Komisioneri Europian për Zgjerimin ka bërë thirrje për ecurinë e mëtejshme të reformave, pasi, sipas tij, ka disa kritere të përcaktuara në Udhërrëfyes, që nuk janë përmbushur ende. Ka qenë vetë Fyle që ka pranuar dje, gjatë takimit që ka zhvilluar në Bruksel me delegacionin parlamentar shqiptar, që u ka telefonuar Ramës e Berishës duke u bërë thirrje atyre për të zgjidhur ngërçin politik në vend. Ai u ka shpjeguar të dyve përgjegjësitë përkatëse për situatën e krijuar. “Partitë politike ndajnë përgjegjësinë, si ato në qeveri, ashtu dhe ato në opozitë, për gjetjen e zgjidhjes së ngërçit politik. Këto parti e ndajnë njësoj përgjegjësinë për këtë. Por shtova gjithashtu se në kuadër të grevës së urisë ka një përgjegjësi shtesë për zotin Edi Rama mbi mirëqenien dhe shëndetin e këtyre njerëzve”, - u shpreh Fyle. Situata politike vlerësohet e përkeqësuar dhe kjo gjë do të reflektohet në opinionin e Komisionit Europian për Shqipërinë. “Situata nuk ka ndryshuar, është përkeqësuar dhe derisa një zgjidhje të mos gjendet, të gjitha partitë politike mbajnë përgjegjësi. Kjo nuk do të krijonte një atmosferë pozitive, teksa ne po finalizojmë opinionin tonë për Shqipërinë”, - deklaroi Fyle.
5 Maj 2010