E Diel, 1 Nëntor 2026

Eurodeputetja Fajon: Shqipëria duhet të tregojë rezultate për të përfituar liberalizimin



Diskutimi për liberalizimin e vizave mori shumë pak kohë në takimin BE –Shqipëri që u mbajt në Parlamentin Europian. Si demokratët dhe socialistët bënë thirrje për shpejtim të procesit, ndërsa raportuesja për vizat Fajon përsëriti kërkesën që Tirana të sjellë rezultate konkrete sa më shpejt. “Ne bllokun 2 dhe 3 veçanërisht që u përkasin shqetësimeve si korrupsioni e krimi i organizuar, po lexoj raportin e FRIDE dhe duket se Shqipëria ka performancën më të keqe në rajon, ndaj vlerësoj se do përbëjë vëzhgimin e Komisionit në javët që vijnë, e Shqipëria duhet të tregojë më tepër rezultate. Një tjetër çështje shqetësuese është situata e të riatdhesuarve. Shifrat janë shqetësuese, mes 60 - 65 mijë të riatdhesuar, e komisioni po i adresohet kësaj çështjeje për të parë funksionimin e strategjisë së duhur për integrimin e tyre. Shqetësuese ishte dhe situata në janar- shkurt kur shtetas maqedonas e serbë, shumica me kombësi shqiptare, kërkuan azil në Belgjikë e vende të tjera të BE-së. Ndaj duhet shpjeguar mirë në vend se liberalizimi i vizave nuk jep të drejtën e punës, qëndrimit apo azilit në vendet e Shengenit. Unë shpresoj që vizat do të hiqen në fillim të vjeshtës, megjithëse data më realiste do të ishte në fund të këtij viti. Por edhe një herë është në duart e qeverisë shqiptare të tregojë rezultate”, - u shpreh eurodeputetja, Fajon. Deputeti socialist Ditmir Bushati u shpreh se çështja e vizave është me tepër rëndësi për shqiptarët, duke kujtuar se një e treta e shtetasve jetojnë jashtë vendit.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›