E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin kishat 300-vjeçare, pranga pesë trafikantëve të artit

Të arrestuarit do ti shisnin objektet e grabitura në Maqedoni për 20 mijë euro. Materialet e sekuestruara të viteve 1700-1800, të shpallura pasuri kombëtare

Artan CENA
ELBASAN - Kapet banda e vjedhjeve të objekteve fetare 300-vjeçare. Operacioni është bërë mëngjesin e djeshëm dhe në pranga janë vënë pesë persona, të dyshuar si anëtarë të kësaj organizate kriminale, që merreshin me vjedhjen dhe më pas shitjen e objekteve në Maqedoni. Operacioni është bërë në Elbasan. Burime zyrtare nga policia lokale thanë se, në bashkëpunim dhe me strukturat e Policisë së Shtetit, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Dera e mbyllur”, në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i pesë personave për veprën penale të “trafikimit të veprave të artit e kulturës”. Policia tha se në pranga janë vënë: Ilir Kera, 36 vjeç; Reshit Hyseni, 29 vjeç; Nebi Guracaku, 49 vjeç; Gramoz Poshja, 34 vjeç dhe Armand Meta, 26 vjeç, që të gjithë me banim në rrethin e Elbasanit.
Hetimi
Pas vjedhjeve të shumta të bëra në disa prej kishave të Elbasanit dhe marrjen nga to të veprave artistike me vlera të pakthyeshme, policia lokale, në bashkëpunim dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e këtyre ngjarjeve. Me marrjen e informacioneve në rrugë operative, strukturat e uniformave blu kishin identifikuar disa persona të dyshuar si hajdutë të ikonave të kishave. Pasi janë siguruar informacione të mjaftueshme dhe prova është ndërmarrë dhe operacioni për shkatërrimin e rrjetit kriminal. “Finalizimi me sukses i këtij operacioni u bë i mundur në sajë të një pune të mirorganizuar dhe një hetimi të vazhdueshëm të kryer nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan. Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve është bërë e mundur gjetja e sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i sendeve me vlera kulturore, pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare”, - thanë ditën e djeshme burime zyrtare nga Policia e Elbasanit.
Sekuestrimet
Aksioni i policisë, i koduar “Dera e mbyllur”, nuk ka përfunduar vetëm me arrestimin e të dyshuarve. Gjatë tij janë sekuestruar dhe disa prej sendeve të vjedhura në kisha. Burimet policore tha se është gjetur një kambanë kishe me peshë 50 kilogramë, e gdhendur në material bronzi për të cilën mendohet se i përket vitit 1700. Gjithashtu, të bllokuara janë dhe tri piktura të gdhendura në material bakër me përmasa të ndryshme, që mendohet se mund të jenë të viteve 1700-1800. E bllokuar është dhe një ikonë kishe. Të arrestuarve u janë bllokuar sende dhe objekte antike të ndryshme, të gdhendura në material sermi, të cilat janë vepra arti e kulture në formë monedhe që i përkasin pasurisë kombëtare. Këta persona sendet e mësipërme po përpiqeshin t’i trafikonin për shitje në shtetin e Maqedonisë, kundrejt shumës 20 mijë euro, prova këto të siguruara në rrugë ligjore. Ndaj personave të mësipërm është marrë masa e arrestit në flagrancë për veprën penale të “trafikimit të veprave të artit dhe kulturës” e kryer në bashkëpunim. Dosja me materialet procedurale në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›