Aksidentet, dy persona humbin jetën brenda pak orësh
TIRANË - Dy aksidente me vdekje kanë ndodhur në Tiranë, ku njëri prej viktima është një shtetas maqedonas. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se aksidenti i parë ka ndodhur në Kodër Kamzë, ndërkohë që në orët e natës së dy ditëve më parë ka ndodhur dhe aksidenti tjetër në autostradën Tiranë-Durrës. Në mesditë është bërë arrestimi i Shkëlqim Kosiqit, 47 vjeç, banues në Kamzë. Ky person, rreth orës 11:00, duke drejtuar automjetin kamionçinë “Volkswagen”, me targë AZ 736 AC, kur ka aksidentuar me vdekje Gjyslime Lamajn, 74 vjeçe, e cila në momentin e ngjarjes po kalonte rrugën nga trotuari i djathtë i rrugës për te trafikndarësi.
Disa orë më vonë, rreth orës 23:00, në segmentin rrugor Tiranë-Durrës, ka ndodhur aksidenti tjetër i rëndë automobilistik, ku për pasojë ka gjetur vdekjen maqedonas Iniz Ajeti, 47 vjeç, lindur dhe banues në Gajre, Tetovë të Maqedonisë. 47-vjeçari, duke drejtuar automjetin veturë tip “Peugeot“, me targa TE 996 DF, në autostradën Vorë-Tiranë, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit të mjetit është rrëzuar në kanal në krahun e djathtë të rrugës dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Transportonte 100 kg Cannabis, një person i arrestuar
TEPELENË - Policia e Gjirokastrës ka bllokuar rreth orës 18:30 të mbrëmjes së djeshme, pranë Ujit të Ftohtë, rreth shtatë kilometra larg qytetit të Tepelenës, 100 kilogramë lëndë narkotike Cannabis sativa, ndërsa ka ndaluar Petro Menican, 50 vjeç, nga Gjirokastra. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëri të ditur se lënda narkotike ishte fshehur në bagazhin e automjetit tip "Benz", në pronësi të shtetasit me inicialet N. R., banues në Fier, tashmë i ndaluar. Policia tha se lënda e paligjshme kishte destinacion Fierin, pa saktësuar origjinën e saj. “Është ende herët të japim rezultatet e operacionit, pasi aksioni i policisë lokale po vijon”, - tha mbrëmjen e djeshme Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.
Grabitin rojën e karburantit, arrestohen dy të dyshuarit
DURRËS - Grabitin punonjësin e një karburanti, dy të rinj bien në pranga. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë se mëngjesin e djeshëm janë vënë në pranga Luan Ndoj, 22 vjeç dhe 18-vjeçari me inicialet, K. V., të dy banues në fshatin Rrushkull, Durrës. Sipas policisë, prangosja e tyre është bërë pasi dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, disa ditë më parë kanë vjedhur punonjësin e karburantit “Shahini”, në segmentin e vjetër rrugor Durrës-Shijak, të cilit i kanë marrë dy telefona “Nokia” dhe 3000 lekë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Luan Ndojt është gjetur dhe sekuestruar një automatik, dy krehra dhe 96 fishekë, që i mbante pa leje.
4 Qershor 2010