Xhepa: “BSH duhet të ulë normën e interesit për lekun”
Ervin KOÇI
Norma bazë e interesit të lekut, vendosja e të cilës është kompetencë e Bankës së Shqipërisë, duhet të ulet. Të paktën të këtij mendimi janë disa prej ekspertëve të ekonomisë, duke parë dhe situatën aktuale ekonomike në vend. Ky është dhe sugjerimi i propozuar nga deputeti Selami Xhepa, i cili mendon se situata e inflacionit në vend e mundëson këtë operacion. Duke ia drejtuar propozimin e tij BSH-së, ai deklaroi për gazetën “Albania” se, ulja e normës bazë të interesit do të lehtësonte në radhë të parë kostot e borxhit publik të qeverisë. "Gjendja e ekonomisë së vendit kërkon ndoshta disa masa stimuluese në anën e politikës monetare, mendoj që do të ishte i drejtë. Për më tepër që besimi dhe konfidenca e publikut shqiptar në sistemin e vetë bankar mendoj që është goxha e admirueshme. Kemi një rikthim të ndjeshëm të depozitës në sistemin bankar, që do të thotë që konfidenca është e rikthyer tashmë në sistem, dhe nuk kemi risqe që lidhen me çështje të stabilitetit financiar",- deklaroi deputeti i PD-së, Selami Xhepa. Por për ekspertin Xhepa, ulja e normës bazë të interesit nga BSH-ja, do të ishte një lehtësim edhe për vetë sistemin bankar i cili po përballet me rritje të kredive me probleme. "Do të ishte e rëndësishme për vetë bankat një ulje e normës së interesit, për arsye se bankat natyrisht që kanë pasur një rritje të portofolit të kredive të pakthyera në afat dhe një ulje e normës së interesit natyrisht që do të ndikonte dhe në tregun ndërbankar, në huadhënien e parave në tregun ndërbankar. Pra, do të ulte koston e marrjes së parasë nga vetë sistemi bankar, mendoj që në përgjithësi shoqëria do të ishte më mirë duke pasur një normë interesi më të ulët për lekun",- vijoi Xhepa.
Norma bazë
Aktualisht norma bazë e interesit është 5.25 për qind dhe gjatë vitit 2010 BSH-ja nuk e ka ndryshuar asnjëherë atë. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së la në mbledhjen e tij të fundit të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun. Sipas Guvernatorit, zhvillimet e fundit tregojnë se ekonomia po ecën në mënyrë të ngadaltë. Sipas tij, në këto muaj të parë është konstatuar një tkurrje e investimeve private. Ndërkohë që kredidhënia mbetet e orientuar drejt bizneseve, pasi kërkesa nga individët është tkurrur për 5 muaj radhazi. Megjithatë, kreu i BSH-së bëri thirrje për konsolidim të financave publike, pasi në terma afatgjatë, ky mbetet problemi kryesor për ekonominë. Guvernatori, ka thënë më tej se ekonomia e eurozonës karakterizohet nga pasiguria për të ardhmen. Ndërkohë gjatë vitit 2009 janë bërë dy ndërhyrje në muajt janar dhe tetor me të cilat norma bazë është ulur me 0.5 pikë të përqindjes.
Borxhet
Shqipëria e krijoi borxhin e brendshëm gjatë dy dekadave të fundit, veçanërisht gjatë viteve ’96-2001, kur qeveritë humbën sensin e realitetit dhe filluan të shlyenin detyrimet e qeverisë duke marrë para borxh. Rritmi i shtimit të borxhit të brendshëm u reduktua ndjeshëm gjatë viteve të fundit, gjë që solli edhe stabilitet makroekonomik dhe inflacion të përmbajtur. Por gjatë kësaj kohe, politikanët iu drejtuan me bollëk huamarrjes së jashtme për të paguar delirancat elektorale. Kështu, qeveria socialiste në vitin 2004 pranoi të marrë 100 milionë dollarë kredi tregtare për të paguar ndërtimin e një hekurudhe 40 kilometra të gjatë, rentabiliteti i së cilës qe i pabesueshëm. Plani dështoi, por i kushtoi qeverisë 20 milionë dollarë në gjoba për prishjen e kontratës. Në vitin 2006, qe radha e qeverisë së Partisë Demokratike për t’iu drejtuar tregut ndërkombëtar, nga ku tërhoqi 430 milionë euro borxhe për të paguar autostradën Rrëshen-Kalimash, e cila është vepra më e kushtueshme publike e ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri. Borxhet në valutë janë shumë shqetësuese. Edhe ekspertët e MF-së e kanë theksuar rrezikun që ato mbartin, pasi në rast se qeveria detyrohet të hyjë në treg për të blerë valutë për shlyerjen e borxheve në euro, atëherë leku dhe i gjithë stabiliteti makroekonomik mund të tronditen.
Problemi tjetër i madh lidhet me kategorinë e “borxheve të padukshme”, detyrimeve që qeveria ka pranuar për t’i shlyer në të ardhmen, por që nuk klasifikohen zyrtarisht si borxhe. Të tilla janë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat mund të jenë në rendin e miliarda eurove.
BOX//////////////////////////////////
Bonot, përqendrimi i tregut rrit spekulimet
Ekspertët thonë se buxheti do të ishte rënduar më pak me kosto nëse tregu i bonove të thesarit do të ishte administruar më mirë. “Mendoj se ky treg reflekton zhvillimet në dy anët, kërkesën dhe ofertën, ashtu sikurse reflekton në normat administrative dhe tek normat e interesit për bonot e thesarit”,- ka deklaruar eksperti i ekonomisë, Zef Preçi. Sipas tij, edhe struktura e përqendruar e tregut të bonove është një faktor që rrit në mënyrë spekulative interesat dhe koston e borxhit të qeverisë. “Nuk përjashtohet mundësia e marrëveshjeve të fshehta mes bankave tregtare. Norma e interesit rrit koston e parasë”,- ka saktësuar më tej Preçi. Borxhi i brendshëm që qeveria ka marrë përmes letrave me vlerë llogaritet në rreth 410 miliardë lekë, 60 për qind e të cilit është në bono me afat maturimi më të shkurtër se 1 vit.
Ekspertët kontabël, 100 milionë lekë gjobë, në rast se kapesh pa licencë
Në rast se nuk je licencuar për të kryer profesionin e ekspertit kontabël, por vazhdon ta kryesh atë në kundërshtim me ligjin, atëherë dënohesh në 100 milionë lekë të vjetra gjobë. Këshilli i Ministrave ka miratuar dje disa ndryshime në ligjin “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit të miratuar”. Në këtë projektligj thuhet se “ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5.000.000 deri në 10.000.000 lekë. Vendimi për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike”. Por nuk mbaron me kaq. Sipas ligjit, miratimi i këtij vendimi nuk ndalon dhe kallëzimin në prokurori për shkelësit e ligjit “Vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori”,- thuhet në projektligj.
BE-ja kërkon të frenojë agjencitë e vlerësimit të riskut
Bashkimi Europian do të vlerësojë dhe monitorojë aftësinë paguese të vendeve debitore me anë të një autoriteti të ri mbikëqyrës. Komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm Michel Barnier, tha se përmes nxitjes së konkurrencës, synohet gjithashtu thyerja e monopolit të krijuar nga tre agjencitë më të mëdha “Moody's”, “Standard and Poor's” dhe “Fitch”. Agjencitë akuzohen se me uljen e nivelit të vlerësimit për Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën e kanë ashpërsuar akoma më shumë krizën e euros.
Interesat bankare
Përditësimi i fundit: 02.06.2010
Interesat në tregun ndërbankar të parasë
TRIBID 'Interesi i kërkuar për pranimin e depozitave'
o/n njëditor 4.16%
12M 12-mujor 7.04%
6M 6-mujor 6.13%
3M 3-mujor 5.34%
1M 1-mujor 5.08%
1Ë njëjavor 4.95%
TRIBOR 'Interesi i ofruar për vendosjen e depozitave'
1M 1-mujor 6.62%
1Ë njëjavor 6.18%
o/n njëditor 5.84%
12M 12-mujor 8.74%
6M 6-mujor 7.77%
3M 3-mujor 7.00%
4 Qershor 2010