E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, një vit në Shqipëri



Më shumë surpriza dhe risi në tregun shqiptar

Ul çmimet e thirrjeve deri në 50 për qind

Prej një viti, shqiptarët kanë pasur një mundësi të tretë për të zgjedhur në komunikimin e tyre me telefoninë celulare. “Eagle Mobile” ishte kompania e tretë celulare që hyri në tregun shqiptar para një viti, duke shtuar konkurrencën në këtë treg dhe duke ofruar shërbime të reja. Kjo kompani ka shënuar dje 1-vjetorin e hyrjes në tregun shqiptar të telekomunikacionit, duke e kremtuar këtë me një ceremoni të thjeshtë, ku u bë dhe bilanci i një viti në treg. Në një komunikim me mediat, drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, u shpreh se “të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë ndjerë ardhjen e “Eagle Mobile” që nga 12 marsi i vitit të kaluar”. “Ne themeluam dhe ngritëm në këmbë një markë, një markë shqiptare, e cila kapi suksesin në një kohë rekord. Që nga mbulimi e deri tek tarifat, që nga risitë teknologjike e deri te çmimet shumë të arsyeshme, “Eagle Mobile” u dha përgjigje kërkesave të shoqërisë shqiptare”, - tha zoti Taskin në fjalën e tij. Ai shtoi se “Eagle” tashmë zotëron rreth 13 për qind të tregut shqiptar të telefonisë celulare me rreth 385 mijë abonentë në të gjithë vendin dhe marrin shërbime në mbi 35 dyqane të kompanisë.

Ofertat e reja

Kompania më e re e telefonisë celulare, në njëvjetorin e saj ka menduar të sjellë për abonentët e saj çmime dhe tarifa tërheqëse dhe të arsyeshme. Tashmë abonentët “Eagle” mund të flasin me çmime shumë të ulëta deri në 50 % me numrat ndërkombëtarë dhe kundrejt operatorëve të tjerë celularë në vend. Gjithashtu, ajo ka lançuar edhe dy tarifa të reja të programit shumë të suksesshëm tarifor Proring, “Proring Corporate” dhe “Proring Business”, të cilat sjellin 6 oferta gjithsej. “Proring Corporate” dhe “Business” do të sjellin mundësi të reja për bizneset, kompanitë dhe korporatat, duke u dhënë atyre të drejtën e përzgjedhjes së tarifës më ekonomike për ta. Po ashtu, tarifa rinore “Riniring” ka ulur edhe më tej çmimet e komunikimit kundrejt operatorëve të tjerë celularë. Kjo do ta bëjë edhe më të kërkuar këtë tarifë që theu të gjitha parashikimet dhe tërhoqi qindra-mijëra abonentë. Tarifa standarde me parapagesë (rimbushje) ka sjellë tashmë një tarifë për të gjitha thirrjet. Çdo abonent me një numër “Eagle” me parapagesë standarde, mund të flasë me 25 lekë për minutë kundrejt të gjithë operatorëve celularë, fiks dhe atyre ndërkombëtarë. Një risi e zbuluar rishtas, ka qenë edhe portali i argëtimit i “Eagle Mobile”. Për herë të parë në Shqipëri një kompani celulare sjell nocionin e Shërbimeve të Vlerës së Shtuar si shërbimi i internetit, televizioni në celular, lajmet dhe padyshim një faqe tërësisht kushtuar argëtimit. Të gjithë abonentët “Eagle” mund të kenë tashmë zonën e tyre të argëtimit VAS portalin në adresën www.eaglezone.al.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›