Izraeli: KS-ja hipokrit. NATO shton presionin: Lironi 460 pengjet
Këshilli i Sigurimit të OKB-së që u mblodh për 12 orë për të diskutuar lidhur me sulmin e forcave izraelite ndaj anijeve me aktivistë që po udhëtonin me ndihma për në Rripin e Gazës ka kërkuar një hetim të hollësishëm dhe lirimin e aktivistëve nga Izraeli. Me këtë rast, vendet që morën pjesë në këtë mbledhje urgjente dënuan aktet e dhunshme që çuan në humbjen e jetëve njerëzore. Pas mbledhjes u arrit në përfundimin e një dokumenti formal, i cili “dënon humbjen e jetëve njerëzore pas përdorimit të forcës gjatë një operacioni ushtarak izraelit në ujërat ndërkombëtare ndaj anijeve që po drejtoheshin për në Gaza”.
Presioni
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, i kërkoi Izraelit të lirojë menjëherë civilët dhe anijet që po transportonin ndihma për në Rripin e Gazës. Kjo kërkesë erdhi pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Aleancës që u zhvillua dje në pasdite. “I shtoj emrin tim thirrjeve të OKB-së dhe BE-së për një hetim të menjëhershëm, të paanshëm, të besueshëm dhe transparent mbi incidentin”, përfundon Rasmusen në deklaratën për mediat.
Përgjigja
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, e ka quajtur “hipokrit” dhe subjektiv organin e lartë OKB-së, Këshillin e Sigurimit gjatë një bisede telefonike që ka zhvilluar me sekretarin e përgjithshëm, Ban Ki Mun. Lajmi bëhet i ditur nga qeveria në Izrael. Sipas Lieberman, deklarata e Këshillit të Sigurimit është një episod “i trishtueshëm”, fryt i gjykimit të padrejtë të komunitetit ndërkombëtar. Ministri ka konsideruar si një veprim hipokrit faktin që vetëm në muajin e kaluar “rreth 500 persona janë vrarë në Tailandë, Afganistan, Pakistan, Iran dhe Indi", në atentatet, aksionet e policisë dhe në operacionet ushtarake, çka nuk ka shkaktuar reagimin e ashpër të ndërkombëtare. Ndërkohë sipas tij, Këshilli i Sigurimit nuk humbi kohë të dënonte veprimin e Izraelit për atë që Liberman e konsideroi “një aksion mbrojtjeje”. Qeveria izraelite e konsideron të papranueshëm pozicionin që ka marrë Këshilli i Sigurimit.
Të arrestuarit
Pas aksionit ushtarak të Izraelit kundër një grupi anijesh të Gazës, deri tani në burgun Bershava në shkretëtirën Negev janë dërguar 480 aktivistë. Kjo u bë e ditur nga radioja izraelite. Sipas fjalëve të ministrit, Jitzak Aharonovitch, pjesa më e madhe e 630 të arrestuarve do të lirohen pas marrjes në pyetje. Para gjyqit do të dalin ata aktivistë që dyshohen se kanë përdorur dhunë. 50 pjesëtarë të flotës humanitare janë dërguar në aeroportin e Tel Avivit për t'u dëbuar. 45 persona janë në trajtim mjekësor në spitale. Pjesa tjetër e rreth 700 aktivistëve gjenden ende në qytetin Portual Ashdod. Izraeli nuk lejon asnjë kontakt me të arrestuarit. Për këtë arsye është aktualisht e pamundur të konfirmohen informacionet.
Anija
Ndërkohë një anije tjetër me aktivistë është nisur në drejtim të Rripit të gazës. Lajmi bëhet i ditur nga Avi Pazner, zëdhënës i qeverisë izraelite, që thekson se do të bllokohet. “Një tjetër anije irlandeze, duket se është nisur drejt Gazës. Do të bllokohet, ashtu siç u bllokuan edhe të tjerat”, është shprehur Pazner, duke shprehur dëshirën se mbase nuk do të ketë viktima të tjera. “Nuk do të lejojmë që asnjë anije të mbërrijë në Gaza pa u kontrolluar më parë: nuk mund ta them se si do të procedohet me këtë, meqë dje ramë në një kurth të projektuar me kujdes. Nuk do të lejojmë që anijet të kalojnë me armë apo eksploziv për Hamasin”.
2 Qershor 2010