E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecim, pastaj vrapojmë

Menaxheri i ri i Liverpoolit, Kenny Dalglish ka bërë thirrje për bashkim dhe mendon se kjo është mënyra e vetme që ekipi të dalë nga kriza aktuale. Ai thotë se nuk pret përmirësime të menjëhershme, por angazhim të madh nga të gjithë. Pavarësisht gjendjes së vështirë, ai ende beson se Reds mund të përfundojnë pozitivisht sezonin. Nga Express më 10 janar 2011 në ora 10:15

Menaxheri i përkohshëm i Liverpoolit, Kenny Dalglish u ka bërë thirrje të gjithëve në klub ta lënë të kaluarën prapa tyre dhe të bashkohen për të shpëtuar sezonin e Liverpoolit.

Dalglish u emërua pasardhës i përkohshëm i Roy Hodgsonit, deri në fund të sezonit, pasi ish-menaxheri i Fulhamit u largua nga Anfield Roadi të shtunën në mëngjes në “marrëveshje dypalëshe”.

Dalglish është idhulli i tifozëve të Liverpoolit, klub për të cilin luajti e më pas edhe e udhëhoqi në vitet ‘80. Ai e di se e pret një punë e madhe për të transformuar rezultatet e ekipit që aktualisht gjendet në pozitën e 12-të në Premierligë, vetëm katër pikë mbi zonën e rrezikshme.

“Krejt çka do të them është se do të bëj më të mirën që mundem për t’i ndihmuar klubit, por të gjithë duhet të shkojmë në drejtim të njëjtë. Nuk ka arsye të mos jemi forcë e bashkuar. Nëse shkojmë në drejtime të kundërta, nuk do të mbërrijmë askund. Ne nuk do të jemi gjithmonë të suksesshëm dhe të përkryer”, tha Dalglish për uebfaqen zyrtare të Liverpoolit.

“Mendoj se duhet të themi ‘të fillojmë të ecim para se të vrapojmë’. Nuk duhet të jemi të çmendur dhe të mendojmë se do të fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund të sezonit. Jemi në gjendje ta bëjmë edhe atë, por duhet të jemi realistë, të shkojmë atje dhe të mundohemi të japim maksimumin dhe t’i marrim ndeshjet njërën pas tjetrës. Për mua do të jetë kënaqësi që do të jem përsëri në zhveshtore dhe në bankinë”, shtoi ai.

Dalglish ka ftuar futbollistët të jenë më optimistë dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të arrijnë objektivat e tyre.

“Nuk ka rëndësi sa të mirë jeni, nëse nuk jemi optimistë në atë çfarë bëni dhe nuk keni besim, nuk do të shkoni askund. Djelmoshat tanë do t’ia pranojnë vetes se nuk i kanë përmbushur parashikimet këtë sezon dhe nuk kanë qenë në standardin në të cilin janë në gjendje ta arrijnë. Liverpool është shumë i veçantë dhe ne duhet të mundohemi të japim maksimumin për të shkuar përpara dhe të mundohemi të fitojmë më tepër ndeshje. Do të mundohem të shfrytëzoj rastin tim dhe të nxjerrim më tepër rezultate pozitive sesa negative”, theksoi ai.

Dalglish nuk pret përmirësime të menjëhershme. “Gjërat nuk do të ndryshojnë brenda natës. Ne duhet të gjejmë formën e duhur prej tani deri në fund të sezonit. Mund të ketë disa dëshpërime, por dëshpërimi më i madh për mua është nëse i shoh të gjithë ata që punojnë në këtë klub duke mos dhënë të gjithë atë që duhet ta japin. Nëse e bëjmë atë, kemi shanse të mira të përfundojmë sezonin pozitivisht”, përfundoi Dalglish, i cili të dielën në rikthimin e tij në bankinën e Liverpoolit, u mposht 1-0 nga Manchester United në rrethin e tretë të FA Cup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›