Fabregas kërkon titull me Arsenalin

Cesc Fabregas ka insistuar se nuk dëshiron të largohet nga Arsenali derisa të sjellë titull në Emirates Stadium. Mesfushori spanjoll gjatë verës së vitit të kaluar spekulohej me transferim te Barcelona pasi kishte pranuar se ëndërron të kthehet te klubi i tij i fëmijërisë.
Mirëpo, tani kur ekipi i Arsene Wengerit lufton për titull në të gjitha frontet, Fabregas ka theksuar ambiciet e tij të shtojë ndonjë trofe në kabinetin e klubit. “Pse do të doja të largohem? Këtu është shkëlqyeshëm”, tha Fabregas për News of the World.
Kapiteni i cili ka kaluar pesë vite pa fituar asnjë titull, shtoi: “Do të ishte ëndërr të ngre tituj për Arsenalin. Kjo gjithmonë ka qenë dëshira ime. Pastaj ju mund të josheni nga diçka tjetër, një objektiv i ri, sfida të reja sepse për mua, jeta është e tëra për sfida. Por, sfida ime e vërtetë si kapiten i Arsenalit është të sjell sukses në këtë klub. Kjo është ëndrra më e madhe që kam. Dua t’i përfundoj këto pesë vite pa titull dhe shpresoj ta bëj këtë sezon”.