E Diel, 1 Nëntor 2026

E.coli mbyllet nje ferme ne veri te Gjermanise

Një fermë në Gjermaninë veriore është mbyllur ndërsa dyshohet se aty ndodhet  buriumi i bakterit vrasës, esherika-coli. Në kërkimet për shkaktarin e mundshëm të sëmundjes së rrezikshme, autoritetet e Saksonisë së Poshtme deklaruan se  origjina e infeksionit ka gjasa të jetë nga një firmë prodhuese e farërave në Binenbytel, qarku i Ulcenit, e cila shet edhe filiza. Filizat e dyshuar përfshijnë filiza fasuleje të kuqe, brokoli, bizele, barbunja, fasule e thjerrëza, të gjitha të rritura në kushte serre për tu konsumuar në sallata.

Ministri i Bujqësisë i landit të Saksonisë së Poshtme, Gert Lindemann, u shpreh se ato janë shitur direkt ose indirekt nga tregtarët nëpër restorante, mensa apo tregje javore.

"Kjo është një gjurmë shumë e qartë e burimit të infeksionit. Nga kjo firmë në Binenbytel janë furnizuar të gjithë tregtarët kryesorë, të cilët kanë furnizuar më pas firma të tjera, nga ku edhe janë sëmurur njerëzit”- shpjegoi Lindemann, ndërsa paralajmëroi mbi përdorimin dhe gatimin e të gjitha llojeve të barbunjave.

Sipas tij këto perime rriten në temperatuar mbi 38 gradë celscius, domethene në kushte ideale për shtimin dhe përhapjen e bakteries.

Ferma e dyshuar është 100 km në jug të Hamburgut. Sipas të dhënave të Institutit "Robert Koch" numri i të vdekurve është rritur në 21 vetë, ndërsa të prekurit tejkalojnë 2000.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›