E Diel, 1 Nëntor 2026

Ecuria post-zgjedhore, ambasadorët takime me Ramën dhe Berishën

Kryeministri Berisha u rikonformoi ambasadorëve vullnetin e qeverisë shqiptare, për të qenë tërësisht e hapur dhe transparente për të bashkëpunuar me opozitën për reformën elektorale

TIRANË Dy ambasadorët Ettore Sequi, Eugen Wollfarth, si dhe zv.ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Debora Xhons, zhvilluan dje takime të veçanta me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama. Fillimisht, ambasadorët i janë drejtuar selisë rozë për një takim që zgjati rreth një orë e 30 minuta. Zyra e shtypit e Partisë Socialiste nuk ka përcjellë dje asnjë komunikatë për mediat, ndërkohë që burime pranë saj deklaruan dje për gazetën “Mapo” se në qendër të diskutimeve ka qenë pikërisht ecuria e procesit post-zgjedhor për Tiranën. Në këtë takim është diskutuar edhe për kërkesën e kryesocialistit Edi Rama, i cili në daljet e fundit publike për mediat, ka kërkuar që ndërkombëtarët të njohin, sipas tij, vjedhjen e Bashkisë së Tiranës nga mazhoranca. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, zëvendës ambasadorja e SHBA në Tiranë, Debora Jones dhe Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëolfarth, zhvilluan dje një takim edhe me kryeministrin Sali Berisha. Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend, pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve vendore të 8 majit, si dhe perspektivat për të ardhmen. Kryeministri Berisha u rikonformoi ambasadorëve vendosmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare, për të qenë tërësisht e hapur dhe transparente për të bashkëpunuar me opozitën për reformën elektorale dhe për të gjitha reformat në shërbim të integrimit dhe anëtarësimit në BE, të cilat kërkojnë konsensus të gjerë. Në këtë kontekst, sipas tij, ishte edhe ftesa që iu dërgua opozitës nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Sipas Berishës, pavarësisht se kjo ftesë mori përgjigje negative nga ana e opozitës, mazhoranca mbetet e hapur për një bashkëpunim të bazuar në respekt të Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Ftesën e PD-së drejtuar opozitës, kryeministri Sali Berisha e përmendi edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së. “Katër apo pesë ditë më parë, në konfidencialitet të plotë, zoti Patozi iu drejtua me një letër zotit Gramoz Ruçi, që të nisnin punën edhe gjatë këtij sesioni, për të dëshmuar dhe dërguar sinjalet më pozitive, për plotësimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, rekomandimeve që ekzistojnë dhe të atyre që vijnë. Sigurisht që do të pritet raporti i këtyre zgjedhje. Padiskutim, pasi edhe ky raport do të ketë rekomandimet e tij. Përgjigjja ishte se kemi të bëjmë me një qeveri fashiste, orientale dhe ky ishte termi i fundit i një fjalori që ka mërzitur aq shumë veshët e shqiptarëve dhe që vet shqiptarët, ditën të qëndrojnë ndaj tij në zgjedhjet e 8 majit”, - tha dje Berisha në mbledhjen e grupit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›