E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi në Bruksel, PS refuzon ftesën e mazhorancës

Kryetarja e Komisionit të Integrimit është ftuar nga ministri Haxhionasto për t’u bërë pjesë e delegacionit shqiptar, por nuk ka pranuar. Sot diskutimet për ecurinë e 12 prioriteteve

Polarizimi i politikës shqiptare nuk njeh kufij edhe përballë ndërkombëtarëve. Pavarësisht se ka premtuar se do të realizoje një kurs të ri politik në favor të procesit integrues të vendit, PS-ja ka refuzuar të bëhet pjesë e delegacionit që do të përfaqësojë sot vendin tonë në takimin e tretë të Këshillit të Stabilizim Asociimit, Shqipëri-Bashkim Europian. E ftuar nga ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, që të bëhet pjesë e këtij delegacioni edhe si përfaqësuese e opozitës, ish-ministrja e Integrimit, sot kryetare e komisionit parlamentar të Integrimit, Ermelinda Meksi, nuk ka pranuar që të jetë sot në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e lartë të BE-së. Burime nga PS-ja e kanë argumentuar këtë refuzim me faktin se përsa kohë PS-ja nuk është në Kuvend, ajo nuk mund as të përfaqësojë atë as kur bëhet fjalë për takime të tilla.

Delegacioni

Shqipëria dhe Bashkimi Europian do të diskutojnë sot në Bruksel ecurinë e vendit në kuadër të plotësimit të kërkesave që kërkon procesi i Stabilizim-asociimit. Delegacioni shqiptar përbëhet nga dy ministra, Haxhinasto dhe Bregu. Duke parë rëndësinë që ka një takim i tillë që vjen pak muaj para vendimit të KE-së për dhënien ose të statusit të vendit kandidat në delegacion, është ftuar edhe kryetarja socialiste e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi. Por përfaqësuesja e opozitës ka refuzuar ftesën e Haxhinastos, duke mos iu bashkëngjitur delegacionit. Të kontaktuar me telefon, burime nga PS-ja kanë bërë të ditur dje për gazetën se ftesa nuk ka qenë e sinqertë, për sa kohë dihet tashmë se opozita nuk merr pjesë në jetën parlamentare. Ndaj në kushte të tilla asnjë përfaqësues i PS-së nuk mund të përfaqësojë Kuvendin, kur nuk merr pjesë në punimet e tij. Megjithatë, ata kanë kërkuar të bëjnë të ditur se kjo nuk duhet marrë si refuzim apo bojkot që opozita i bën dhe tryezës së Stabilizim-asociimit me BE-në.

Axhenda

Në takimin e tretë të Këshillit të Stabilizim-asociimit, përfaqësuesit e Komisionit Europian, Presidencës polake të BE-së, si dhe zyrtarë të lartë të EEAS (Shërbimit të Jashtëm Europian) do të diskutojnë me palën shqiptare mbi ecurinë e procesit të integrimit europian në vend. Plotësimi i 12 prioriteteve të dala nga Opinioni i Komisionit Europian, zbatimi i MSA-së midis Shqipërisë dhe BE-së, zhvillimet ekonomike në vend, politika e jashtme shqiptare si dhe zhvillimet në rajonin tonë do të jenë midis çështjeve kryesore që do të trajtohen në takim. Përmbushja e kriterit politik dhe atij ekonomik natyrisht vlerësohen si pikat më të rëndësishme të këtyre prioriteteve dhe që mund të kushtëzojnë jo pak vlerësimin pozitiv të Brukselit për arritjet e vendit tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›