E Diel, 1 Nëntor 2026

Mirëkupton fqinjët

Fatmir Sejdiu

Fatmir Sejdiu flet për njohjen e Kosovës dhe problemet e kufirit me shtetin maqedonas. Vetëm Shqipëria e ka njohur Kosovën e pavarur ndër fqinjët. Për momentin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, kundërshtoi të enjten mundësinë e komplikimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, për faktin se kjo e fundit po kushtëzon njohjen e pavarësisë së vendit me demarkacionin e kufirit. Kryetari kosovar tha se në asnjë mënyrë nuk do të komplikohen marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Shkupit për sa i përket çështjes së përcaktimit të vijës kufitare. Sejdiu tha se këto janë procese normale që do të zhvillohen në bazë të Planit të Ahtisarit. “Kosova është shumë e gatshme që të hyjë në procese të bashkëpunimit edhe me bashkësinë ndërkombëtare, për të bërë atë çështje që ne e kemi quajtur teknike të përfunduar dhe kjo do të ndodhë në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh kryetari i Republikës. Mbase, sipas tij, ekziston dëshira e ndokujt që të ngrejë konflikte në mes dy vendeve, mirëpo institucionet e Prishtinës dhe ato të Shkupit nuk kanë qasje të tilla destruktive. Ndryshe, Kosova si shtet i pavarur dhe sovran deri më tani është njohur nga 26 shtete të ndryshme evropiane dhe botërore. Madje është pranuar edhe nga shtetet më me ndikim në botë, përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, mirëpo përveç Shqipërisë, akoma nuk është njohur nga shtetet fqinje. Kryetari Sejdiu ndërkaq, deklaroi se shumë shpejt Kosova do të njihet edhe nga vendet fqinje. “Këto të fundit janë në proces dhe duhet t’i mirëkuptojmë se kanë edhe çështje të brendshme të tyre, por janë në proces pozitiv dhe shpresojë që shpejt do të ketë njohje edhe nga fqinjët”, tha ai. Republika e Malit të Zi dhe ajo e Kroacisë duket se shumë shpejt do ta njohin Republikën e Kosovës. Maqedonia ndërkaq, e cila popullohet nga një përqindje shumë e lartë me shqiptarë, kohën e fundit ka shfaqur obstruksione të njohjes së realitetit në Kosovë. Ajo edhe pse nuk e ka përmend zyrtarisht, njohjen e ka kushtëzuar me demarkacionin e kufirit, problem ky që e ka mbjellë Serbia në vitin 2001. Ndërkohë që kryetari i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, në një takim me homologun e tij bullgar Georgi Përvanov, deklaroi dje në Bullgari, se para demarkacionit kufitar nuk duhet të ndodhë akti i njohjes së shtetit të Kosovës. Për kushtëzimin nga Kosova, se Maqedonia njëherë duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe pastaj demarkacionin kufitar, Cërvenkovski vlerësoi se bëhet fjalë për një fillim jo të mirë për ndërtimin e marrëdhënieve nga ana e Prishtinës. Ai më pas shtoi se deklarata me të cilën Kosova shpalli pavarësinë është e bazuar në planin e Ahtisarit, dhe në atë saktë parashihen afatet dhe mënyra sesi duhet të kryhet demarkacioni. Sipas tij, ajo nuk është e lënë në vullnetin e lirë të autoriteteve kosovare, por parasheh kyçjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, të cilët duhet ta garantojnë këtë proces. Ai sugjeroi Qeverinë e Maqedonisë, që në vend të autoriteteve të Kosovës t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare. Sipas “Kosovalive”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›