Edhe Apeli "kryqëzon" Dinamon
Apeli ka hedhur poshtë pretendimet e Dinamos, duke lënë në fuqi humbjen 2-0 në takimin e kthimit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, me Vllazninë. Me këtë vendim, që ka ardhur pas shkeljes së nenit 36, pika 25, blutë eliminohen nga aktiviteti i dytë për nga rëndësia në vend, edhe pse në fushën e lojës ata fituan. Fatal rezultoi aktivizimi i mesfushorit Elis Bakajt, që gjatë këtij edicioni të Kupës kishte luajtur edhe me Partizanin. Në mbledhjen e tyre të djeshme, anëtarët e Komisionit të Apelit lanë në fuqi vendimin e Komisionit të Disiplinës, të datës 16 mars. "Sipas nenit 5/1 të Statutit të FSHF-së, ku klubet kanë pranuar që t‘i binden statuteve të FIFA-s, UEFA-s dhe FSHF-së dhe sipas nenit 36/25 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, lojtari Elis Bakaj rezulton që ka luajtur më parë me Partizanin në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2008/‘09. Në bazë të kësaj dispozite, ky lojtar konsiderohet i skualifikuar (i pezulluar). Sipas neneve 14/G, 53 të KDS të UEFA-s dhe 31, 55 të KDS të FIFA-s, parashikohet humbja e ndeshjes me rezultatin 2-0 në tavolinë, në favor të ekipit kontestues, kur vërtetohet aktivizimi i një futbollisti të skualifikuar (të pezulluar). Në bazë të nenit 23/2 të KDS së FSHF-së, parashikohet sanksioni konkret për shkeljen e rregullores nga Dinamo", theksohet në vendim. "Duke qenë se ndeshja e parë ndërmjet dy ekipeve përfundoi 1-2 dhe ndeshja e kthimit i jepet 2-0 Vllaznisë në tavolinë, ekipi i Dinamos konsiderohet i eliminuar nga Kupa e Shqipërisë për këtë edicion". Menjëherë pas këtij vendimi kanë reaguar drejtuesit e kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Ata pohuan se është përgatitur dosja që do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, për të vazhduar shqyrtimin e çështjes.