Java anti-Hungari nis e përgjysmuar
Sot, në Durrës, do të fillojë grumbullimi i Kombëtares për dy ndeshjet e ardhshme eliminatore në Botërorin 2010 kundër Hungarisë dhe Danimarkës. Pasi ka ndjekur nga afër takimin e Superiores, Dinamo-Elbasani, trajneri Ari Han do të veshë tutat për të filluar përgatitjet për sfidën e 28 marsit në "Qemal Stafa". Holandezi do të ketë në dispozicion një grup të përgjysmuar lojtarësh, pasi një pjesë e legjionarëve nuk do të mund të paraqiten përpara së hënës. Kuqezinjtë do të grumbullohen në hotel "Dyrrahu" në Durrës, në orën 14:30. Të parët që do të paraqiten janë lojtarët e kampionatit shqiptar, të cilët kanë luajtur të gjithë të shtunën. Pranë skuadrës do të jenë edhe Lala e Skela, të cilët luajtën dje në Bundesligë, por edhe Lorik Cana e Hamdi Salihi. Me lojtarët që do të ketë në dispozicion, Han do të zhvillojë një seancë të lehtë stërvitore, kryesisht për çlodhje pas impenjimeve me klubet respektive. Në mbrëmje pritet të mbërrijnë edhe Ujkani, Beqaj dhe Klodian Duro. Paraqitja nën urdhrat e trajnerit për "ukrainasit" Curri, Dallku, Hidi, Bulku e Bylykbashi, por edhe i Besart Berishës, do të bëhet vetëm të hënën.